Jump to content

Historia e Jehudëve në Shqipëri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Jehudët në Shqipëri)

Hebrenjtë në Shqipëri dhe historia e tyre në Shqipëri daton që para 2000 vjetëve. Sipas historianit Apostol Kotani në librin e tij “Shqipëria dhe hebrenjtë”: “Hebrenjtë e nderuar mund të kenë ardhur për herë të parë në Shqipëri në fillim të viteve 70-të e.r. si robër në anijet romake që zbarkuan në brigjet jugore të vendit. Pasardhësit e këtyre robërve ndërtuan në shekullin e pestë edhe sinagogën e parë në portin jugor të Sarandës".[1][2][3] Pakçka dihet për hebrenjtë e viseve të sotme shqiptare deri nga shekulli 15.

Hebrenjtë e Shqipërisë në ditët e sotme, kryesisht Sefarditë, të grishur dhe të ndihmuar nga Perandoria Osmane gjetën strehë edhe në viset shqiptare pjesë të perandorisë pasi u dëbuan nga Spanja nga Rekonkuista, trashëgimtarët e të cilëve përbëjnë vetëm një përqindje shumë të vogël të popullsisë shqiptare.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte një nga vendet e pakta në Europë në të cilën u pa një rritje në popullsinë hebreje në sajë të ndihmës që u dhanë shqiptarët dhe faktit se asnjë hebre nuk iu dorëzua gjermanëve. Gjatë diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë u ndaluan të gjitha fetë, duke përfshirë Judaizmin, në përputhje me aderimin ndaj doktrinës së ateizmit shtetëror. Në epokën paskomuniste, shumë hebrenj kanë emigruar në Izrael dhe numri i tyre në Shqipëri sot është shumë i vogël.

Rrënojat e Sinagogës së Sarandës

Raportet e para të hebrenjve që jetonin në Shqipëri datojnë në shekullin e 7-të e.s.

Mesjeta dhe periudha osmane

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shekullin e 12, Benjamini i Tudelës i rrahu si vise dhe radhiti në udhëpërshkrimet e tij se kishte hebrenj të pranishëm. Në shekullin e 13 në Durrës kishte një bashkësi hebrenjsh që ishte përfshirë në tregtinë e kripës. Më 1426 në Vlorë u nxit nga Osmanët krijimi i një ngulimi hebre në Vlorë që të ishin të përfshirë në veprimtari tregtare. Bashkësia e hebrenjve vlonjatë u rrit më pas si pasojë e dëbimit të hebrenjve nga Korfuzi, zotërimet venedikase, Napoli si dhe gadishulli Iberik.

Të dëbuar nga Spanja e pas Rekonkuistës, 150,000 hebrenj sefardikë u ndihmuan, transportuan dhe strehuan nga shteti osman. Mëhalla hebree u themeluan në përpos Vlorës edhe në Berat; si dhe njoftohet prania e hebrenjve në Elbasan dhe Lezhë.

Në vitin 1520 në Vlorë u raportuan 609 familje hebreje, ku dhe me sa dihej u ngrit edhe një sinagogë, e vetmja në viset shqiptare, cila u shkatërrua në Luftën e Parë Botërore. Vlora ishte një qendër e komunitetit hebre në Shqipëri, jo vetëm prej vendosjes së sinagogës, por dhe për shkak të rëndësisë së saj tregtare dhe lidhjes me qytete të tjera tregtare në rajon. Shumë nga hebrenjtë e vendosur në Vlorë, ishin familje të ardhura nga Janina nga komuniteti i njohur si hebrenjtë romaiotë, një komunitet shumë i vjetër hebre, që daton që nga periudha bizantine dhe të vendosur historikisht në pjesë të Greqisë si, Janina, Vollos, Arta dhe Kavalla. [4]

Në vitin 1673 i vetëquajturi profet Sabbatai Zevi u syrgjynos nga sulltani në portin shqiptar të Ulqinit, në Mal të Zi, ku ai vdiq disa vjet më vonë.[5]

Hebrenjtë gjatë viteve 1912 - 1939

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Komuniteti hebre gjatë kësaj periudhe ishte kryesisht i përqëndruar në Vlorë. Hebrenjtë e Vlorës ishin të ndarë në portugezë, kastilianë dhe katalanas. Gazeta L’Univers israélite ka botuar më 20 mars 1914 një shkrim në lidhje me hebrenjtë e Vlorës, ku përmendet përbërja e komunitetit si dhe fakti se shpeshherë kishte grindje mes tyre. Rabini dhe filozofi David Leon shërbeu si rabin atje dhe paguhej me 70 florinj, pak më pak se buxheti vjetor për Princ Vidin.[6]

Regjistrimi i parë i hebrejve në Shqipëri është bërë në vitet 1923 – 1930 dhe nga të dhënat e këtij regjistrimi del se bashkësia e hebrenjve me banim të përhershëm në Shqipëri arrinte deri në afro 200 veta. [7]

Në vitin 1934, Komisioneri i Lartë për Refugjatët pranë Lidhjes së Kombeve, Z. James Mac Donald, i kërkoi Mbretërisë Shqiptare, nëse ekzistonte mundësia për vendosjen në Shqipëri të një numri jahudijnsh nga Gjermania dhe menjëherë mori përgjigjen pozitive. Historianët e llogarisin numrin e familjeve që përfituan nga kjo ndihmë në rreth 500 familje hebreje. Po atë vit, Herman Bernstein, ambasador i SHBA-së në Tiranë gjatë asaj kohe, shkruante në gazetën "Jewish Daily Bulletin" se: “nuk ekziston asnjë diskriminim kundër hebrenjve në Shqipëri, sepse Shqipëria është një ndër vendet e rralla të Europës së sotme ku paragjykimet fetare nuk ekzistojnë”.[7] Kryesisht, qëndrimi i Mbretit Zog ndaj hebrenjve ka qenë dashamirës, madje ai bëri thirrje edhe për pranimin në Shqipëri të hebrenjve të cilët do t’i pajiste edhe me toka, thirrje të cilën e përsëriti edhe gjatë luftës, kur ndodhej në Angli.[8]

Gjatë Luftës së Dytë Botërore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Listë e hartuar nga autoritetet gjermane në Konferencën e Wansee, ku deklarohen rreth 200 hebrenj si popullsi në Shqipëri.

Shqipëria kishte rreth 200 hebrenj në fillim të luftës së dytë botërore.[9] Ajo më pas u bë një strehë e sigurt për disa qindra refugjatë hebrenj nga vende të tjera.[10][11] Në Konferencën Wannsee në vitin 1942, Adolf Eichmann, projektuesi për vrasjen masive të hebrenjve nëpër Europë, vlerësoi numri i hebrenjve në Shqipëri që do të vriteshin si 200.[12] Megjithatë, hebrenjtë në Shqipëri ishin të mbrojtur nga popullata vendase dhe kjo mbrojtje vazhdoi edhe pas pushtimit të Shqipërisë nga forcat naziste, pas kapitullimit të Italisë në shtator, 1943. Në fund të luftës, Shqipëria kishte një popullsi prej 2.000 hebrenj.[13][14]

Më 7 prill 1939, Italia pushtoi dhe aneksoi Shqipërinë. Hebrenjtë u dëbuan nga qytetet e porteve bregdetare dhe u shpërngulën në brendësi të Shqipërisë. Disa familje austriake dhe gjermane u strehuan në Tiranë dhe Durrës në vitin 1939, me shpresën për t'u larguar përfundimisht në Shtetet e Bashkuara ose në Amerikën e Jugut. Shumë refugjatë hebrenj kaluan gjithashtu përmes Shqipërisë në rrugën e tyre për në Palestinë. Këta refugjatë u trajtuan mirë nga forcat italiane dhe nga popullata vendase. Familjet e refugjatëve hebrenj filluan të shpërndaheshin në të gjithë Shqipërinë dhe të asimiloheshin në shoqëri. Fëmijët hebrenj vazhdonin të ndiqnin shkollën, por me emra dhe fe të rreme.

Italianët hodhën poshtë zgjidhjen përfundimtare dhe prandaj nuk zbatonin ligjet antihebreje. Megjithatë, shumë shqiptarë u bashkuan me divizionin SS "Skënderbeu".

Disa refugjatë hebrenj u vendosën përfundimisht në një kamp tranzit në Kavajë dhe prej aty dërgoheshin në Itali. Në një moment, gati 200 hebrenj u vendosën në kampin e Kavajës. Disa zyrtarë shqiptarë u përpoqën t'i shpëtonin këta hebrenjë të Kavajës, duke lëshuar letra identiteti për t'i fshehur ata në kryeqytetin e Tiranës.

Në pranverën e vitit 1941, me rënien e Jugosllavisë, provinca e Kosovës u aneksua në Shqipëri duke krijuar Shqipërinë e Madhe. Shumë familje hebreje në territoret e sapopushtuara të Shqipërisë së Madhe u vendosën në burgun e internimit në Prishtinë, Jugosllavi. Rreth 100 burra hebrenj dhe familjet e tyre nga burgu i Prishtinës u morën në Berat, pasi në Berat, shumë nga këta refugjatë hebrenj u mbrojtën nga shqiptarët vendës. Sipas kërkesës së Gjermanisë, refugjatët hebrenj që po mbaheshin në burgun e Prishtinës në territorin e aneksuar të Jugosllavisë u dorëzuan në forcat gjermane. Këta refugjatë u dërguan pastaj në Beograd dhe u vranë.

Gjermania rifitoi territorin nga Italia në shtator, 1943. Në fillim të vitit 1944, Gestapoja detyroi të gjithë hebrenjtë në Tiranë të regjistroheshin me zyrtarët gjermanë. Rrjedhimisht, shumë hebrenj u larguan drejt fshatrave shqiptare, jashtë qyteteve. Kur gjermanët kërkonin një listë të familjeve hebreje që jetonin në Shqipëri, zyrtarët refuzuan të zbulonin informacionin; në vend të kësaj, shqiptarët paralajmëruan hebrenjtë dhe premtuan t'i mbrojnë ata.

Në prill të vitit 1944, 300 hebrenj u vendosën në burgun e Prishtinës, kryesisht refugjatë në Kosovë, pasuar nga disa qindra më shumë brenda muajve të ardhshëm. Në fund të fundit, 400 prej këtyre hebrenjve u transportuan në Bergen-Belsen në verën e vitit 1944, ku vetëm 100 vetë mbijetuan.

Mes viteve 1941 dhe 1944, gati 600 hebrenj nga Shqipëria e Madhe u dërguan në kampe të ndryshme përqendrimi në Evropë. Për këtë arsye shumë historianë nuk pajtohen me rolin e shqiptarëve në holokaust. Ndërsa shqiptarët mund të kenë tentuar t'i shpëtojnë hebrenjtë në Shqipëri, qeveria ishte e vetëdijshme për grumbullimin dhe dëbimin e hebrenjve nga rajoni i Kosovës.

Pas vitit 1944, italianët dhe gjermanët ranë dakord të vendosnin pjesën më të madhe të territorit jugosllav nën autoritetin e Shqipërisë. Shumë hebrenj nga Serbia, Greqia dhe Kroacia ikën në këtë territor. Më 29 dhjetor 1944, Tirana u çlirua nga pushtimi gjerman.

Deri në fund të luftës, Shqipëria ishte shtëpia e rreth 2.000 hebrenjve për shkak të guximit të qytetarëve shqiptarë në rrezikimin e jetës së tyre për të siguruar një strehë për hebrenjtë që iknin nga vendet fqinje. Shqipëria ishte i vetmi territor i pushtuar nga nazistët në të cilën pati një rritje të popullsisë hebraike gjatë holokaustit.

Deri në janar të vitit 2011, muzeu memorial i holokaustit izraelit Yad Vashem kishte njohur 69 shqiptarë si paganë të drejtë, ose si ata që ndihmuan ose shpëtuan hebrenjtë nga nazistët gjatë Holokaustit.

Gjatë regjimit komunist të Shqipërisë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë regjimit komunist të Shqipërisë nën diktaturën e Enver Hoxhës, komuniteti hebre ishte i izoluar nga bota hebreje. Që të krijohej unitet i qëndrueshëm kombëtar si dhe vendosja e socializmit të ri, Hoxha ndaloi ceremonitë në të gjithë spektrin fetar. Në këtë mënyrë, fati i komunitetit hebre ishte i lidhur pazgjidhshmërisht me fatet e shoqërisë shqiptare si një tërësi. Të gjitha fetë u ndaluan rreptësisht në vend.

Popullsia hebreje numërohej me rreth 200 qytetarë. Pas rënies së komunizmit, në vitin 1991, pothuajse të gjithë hebrenjtë e Shqipërisë emigruan në Izrael dhe u vendosën kryesisht në Tel Aviv. Kishte pak histori të antisemitizmit në Shqipëri midis të krishterëve lokalë, muslimanëve dhe hebrenjve. Pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare nuk ishte armiqësore ndaj tyre.

Në ditët e sotme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Ish-Kryeministri Sali Berisha duke u takuar me kryerabinin Joel Kaplan në Tiranë.

Ka shqiptarë të shumtë me origjinë hebreje që kanë dhënë kontributin e tyre në vendin tonë, edhe pse shumica e atyre që ishin strehuar në Shqipëri pas luftës, u shpërngulën në Izrael menjëherë pas rënies së komunizmit.[15]

Në ditët e sotme, mbi 160 hebrenj jetojnë në Shqipëri, shumica e tyre në kryeqytet, Tiranë. Një sinagogë e vjetër u zbulua në qytetin e Sarandës dhe një sinagogë e re e njohur si "Hekal Shlomo" filloi të ofrojë shërbime për komunitetin hebre në Tiranë, në dhjetor, 2010. Një sinagogë është në Vlorë, por nuk përdoret. Në dhjetor të 2010-ës, kryerabini Joel Kaplani u nderua si rabini kryesor i parë i Shqipërisë, nga ana e kryeministrit Sali Berisha dhe kryerabiti i Izraelit Shlomo Amar. Një qendër e komunitetit hebre e quajtur "Moshe Rabenu", u përurua edhe në Tiranë.

Persona të njohur

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Anna Kohen - mjeke dhe shkrimtare. E lindur në Vlorë, Anna Kohen ka shkruar librin 'Lulja e Vlorës', në të cilin nderon familjen shqiptare që shpëtoi familjen e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.[4]
  • Geront Kureta - kryetari i Komunitetit Hebre në Shqipëri. Ai lindi në 1968 në Vlorë.
  • Konstandin (Bardhyl) Martiniani - kinematograf dhe kameraman i njohur në periudhën e komunizmit. Ka xhiruar mbi 50 filma artistikë, ndër ta Nusja dhe shtetrrethimi, Vdekja e Kalit, Kthimi Ushtrisë së Vdekur, Dora e Ngrohtë etj.
  • Robert Shvarc - lindi në Sarajevë, më 10 dhjetor, 1932 nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë shqiptare nga Elbasani. Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip nga Remarku, Gëte, Fojtvanger, dhe Markez.[15]
  1. ^ Jewish Virtual Library. "Albania". Virtual Jewish History Tour: Albania (në anglisht). Jewish Virtual Library. Marrë më 27 gusht 2012.
  2. ^ Kotani, Apostol. "From Titus to Hitler: An Overview of the Jewish Community in Albania" (në anglisht). www.giovanniarmillotta.it. Marrë më 27 gusht 2012.
  3. ^ "Hebrenjtë në Shqipëri". Albanian Profile. Arkivuar nga origjinali më 2 shtator 2022. Marrë më 2022-09-02.
  4. ^ a b "Lulja e Vlorës, Anna Kohen rrëfen libër historinë e familjes hebreje në Shqipëri". Diaspora Shqiptare. 2022-07-24. Arkivuar nga origjinali më 2 shtator 2022. Marrë më 2022-09-02.
  5. ^ A dictionary of Albanian religion, mythology and folk culture by Robert Elsie Edition illustrated Publisher C. Hurst & Co. Publishers, 2001 ISBN 1-85065-570-7, ISBN 978-1-85065-570-1 page 141
  6. ^ Bebja, Aurenc. "L'Univers Israélite 1914/ Përbërja e komunitetit hebre të Vlorës në shekullin e XV-të dhe rabini i tyre David Leon". www.balkanweb.com. Arkivuar nga origjinali më 2 shtator 2022. Marrë më 2022-09-02.
  7. ^ a b Gjana, Sulejman. "Si shpëtuan Hebrenjtë në Shqipëri në kohën e Mbretit Zog". Izraeli Sot – Zeri i Izraelit ne Shqiperi dhe Kosove. Arkivuar nga origjinali më 2 shtator 2022. Marrë më 2022-09-02.
  8. ^ Harshova, Ilir. "Hebrenjtë në Shqipëri gjatë Holokaustit". Gazeta Tema. Marrë më 2 shtator 2022.
  9. ^ "Jewish Population of Europe Before the Holocaust Map" (në anglisht). www.jewishvirtuallibrary.org. Marrë më 2009-01-05.
  10. ^ Gilbert, Martin (2002). The Routledge Atlas of the Holocaust (në anglisht). London: Routledge. fq. 179.
  11. ^ Ehrlich, M. Avrum (2008). Encyclopedia of the Jewish diaspora: Origins, experiences, and culture (në anglisht). Vëll. 1. Santa Barbara: ABC-CLIO. fq. 944.
  12. ^ "Conclusions of the Estonian International Commission for the Investigation of Crimes Against Humanity". Arkivuar nga origjinali më 29 qershor 2008. Marrë më 7 korrik 2013.
  13. ^ Epstein, Scarlett (2010-07-07). "Albania's remarkable philo-Semitism" (në anglisht).
  14. ^ Albania at war, 1939-1945 by Bernd Jürgen Fischer Edition illustrated Publisher C. Hurst & Co. Publishers, 1999 ISBN 1-85065-531-6, ISBN 978-1-85065-531-2 page 187 Albanian is certainly the only state in Europe where the Jewish population actually grew during the Axis occupation; it is estimated that there were 1800 Jews in Albania at the end of war.
  15. ^ a b "Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, historia e hebrenjve në Shqipëri". Euronews Albania (në anglishte amerikane). 2022-01-27. Arkivuar nga origjinali më 2 shtator 2022. Marrë më 2022-09-02.