Jozefina Topalli
Jozefina Topalli | |
---|---|
Kryetarja e 25-të e Kuvendit të Shqipërisë | |
Në detyrë 2 shtator 2005 – 9 shtator 2013 | |
Presidenti | Alfred Moisiu Bamir Topi |
Kryeministri | Sali Berisha |
Paraprirë nga | Servet Pëllumbi |
Pasuar nga | Ilir Meta |
Anëtare e Kuvendit | |
Në detyrë 26 maj 1996 – 8 shtator 2017 | |
Kryeministri | Edi Rama Sali Berisha |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 26 nëntor 1963 (57 vjet) Shkodër, Shqipëri |
Nënshtetësia | Shqiptare |
Partia politike | Partia Demokratike e Shqipërisë (PD ose PDSH) |
Shkollimi | Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi" Universiteti i Tiranës |
Nënshkrimi | |
Jozefina Çoba Topalli (lindi më 26 nëntor 1963, Shkodër) është politikane shqiptare, e cila shërbeu si kryetare e Parlamentit të Shqipërisë nga 3 shtatori 2005 deri më 9 shtator 2013 dhe ish-zëvendëskryetare e Partisë Demokratike.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lindi në Shkodër, në një familje qytetare, e bija e Filip Çobës, i biri i regjentit Gjon Çoba dhe mbesë e ish-të përndjekurit, Ejëll Çoba.[1]
Jozefina Topalli është gruaja e parë kryeparlamentare në gjithë historinë parlamentare në vend dhe e gjashta Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë në historinë parlamentare pluraliste, që nga viti 1991. Ajo e mori detyrën në muajin shtator 2005 dhe u rizgjodh Kryetare e Kuvendit për një mandat të dytë katër vjeçar, në shtator 2009. Në dy legjislatura paraardhëse radhazi (1997-2001, 2001-2005) Jozefina Topalli ishte në postin e Nënkryetares së Kuvendit.
E lindur në Shkodër në nëntor 1963, Jozefina Çoba Topalli kreu studimet e larta në dy fakultete; në atë të Matematikës dhe të Drejtësisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Studioi për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Padovës, në Itali dhe u diplomua për master “Administrim publik” në Universitetin e Tiranës. Aktualisht është master-kandidate në “Studime europiane”.
Jozefina Topalli është njohëse mjaft e mirë e gjuhëve angleze, italiane, frënge dhe ruse.
Në vitet 1992-1995 ajo punoi në Dhomën e Tregtisë në qytetin e Shkodrës dhe në vitet 1995-1996 ishte kancelare dhe pedagoge në Universitetin “Luigj Gurakuqi”.
Viti 1996 shënon fillimet e karrierës së saj politike. Si kandidate e Partisë Demokratike, bashkëqytetarët e saj e zgjodhën përfaqësuesen e tyre në Kuvendin e Shqipërisë për katër legjislatura radhazi, ndërsa strukturat e Partisë Demokratike, në vitin 1997, e zgjedhin atë Nënkryetare të kësaj partie, detyrë të cilën e mban në vijimësi.
Gjatë gjithë veprimtarisë së saj si drejtuese e lartë e Kuvendit dhe përfaqësuese e lartë e Partisë Demokratike, gjithashtu edhe si anëtare e Këshillit të Europës, që nga viti 2002, Jozefina Çoba Topalli është angazhuar maksimalisht në ecurinë e reformave në vend për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Si anëtare e Komitetit të Punëve Sociale, Shëndetit dhe Familjes dhe si Zëvendëspresidente e Komitetit të Fëmijëve, ajo vazhdon të japë një kontribut të vyer në çështjen e mbrojtjes së grave dhe fëmijëve, në reduktimin e varfërisë, në luftën kundër punës së të miturve, si dhe në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Si një ndër figurat më në zë të parlamentarizmit dhe të politikës shqiptare, ajo është në krye të nismave për reforma në rrugën e integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike.
Ndër veprimtaritë jashtë vendit, gjatë viteve 2004-2005, janë: pjesëmarrja në grupin e monitoruesve të KE-së në zgjedhjet në Ukrainë; pjesëmarrja në grupin monitorues NDI/ Qendra Karter për zgjedhjet në Palestinë.
Jozefina Topalli shquhet për marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin aktiv me shoqërinë civile e veçanërisht me median, ku çmohet për kontributin e saj opinionist jo vetëm për çështjet politike.
- 1992-1995 - Instituti i Misrit; Dhoma e Tregtisë, Shkodër.
- 1995-1996 - Kancelare dhe Pedagoge në Universitetin "Luigj Gurakuqi", Shkodër .
- 1996 - Deputete në Parlamentin Shqiptar.
- 1996-1997 - Kryetare e Komisionit të Ligjeve.
- 1997-2001 - Nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
- Nënkryetare e Partisë Demokratike.
- 2001-2005 - Nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
- Nënkryetare e Partisë Demokratike.
- 2002 e në vazhdim - Anëtare në Këshillin Evropian.
- Anëtare e Komitetit të Punëve Sociale, Shëndetit dhe Familjes në KE.
- 2004 - Zv/Presidente e Komitetit të Fëmijëve në KE, Strasburg.
- 2004 - Monitoruese nga KE-ja për zgjedhjet në Ukrainë.
- 2005 - Anëtare e Grupit NDI dhe Qendrës "Karter" në Palestinë, për zgjedhjet, pas vdekjes së Arafatit
- 2005-2013 - Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Ilnica, Elisabeta (5 shtator 2011). "Ejëll Çoba, dëshmitë dhe tmerret në qelitë e diktaturës". panorama.com.al. Panorama.