Jump to content

Kultura e Hasit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Rrethi i Hasit, si njësi etnografike më vete paraqet interes etnografik dhe folklorik. Në një ekspeditë kërkimore gjatë muajit tetor të vitit 1970[1] u studiuan vallet e burrave dhe grave, u studiuan përmbajtja, struktura dhe karakteri i tyre, u inçizuan melodi vokale dhe instrumentale që i shoqërojnë, jeta materiale, shoqërore e shpirtërore e krahinës, si dhe të dhëna për marrëdhëniet dhe afëritë folklorike me krahinat kufitare.

Folklori koreografik i krahinës së Hasit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Folklori koreografik i krahinës së Hasit[2] përbëhet nga vallet, muzika, pantomimat, termat, elementet koreografike në lodrat dhe argëtimet popullore dhe etimologjia. Vallja ne Has, ashtu si në të gjithë vendin tonë, është pjesë përbërëse e jetës shpirtërore të popullit dhe një nga format e shprehjes së emocioneve dhe mendimeve të tij nga më të ndryshmet. Vallet praktikohen dhe sot e kësaj dite në raste festash dhe gëzimesh shoqërore e familjare.

Në krahasim me vallet e burrave, janë më të shumta në numër dhe gjejnë një praktikim më të dendur. Krijimet koreografike të grave, përsa i përket gjinisë, formacionit, tematikës, ekzekutimit, strukturës dhe mënyrës së shoqërimit muzikor, paraqiten në tipe dhe lloje të ndryshme.

Nga pikëpamja e gjinisë, ato i përkasin kryesisht lirikës, por ka edhe elemente epike, nga pikëpamja e formacionit dallojmë valle njëshe, dyshe, treshe dhe në grup, nga pikëpamja e tematikës dallohen disa valle, të cilat, në bazë të fabulës që trajtojnë, kanë marrë emërtimet përkatëse por mund të shtojmë edhe larminë e argëtimeve koreopantomimike.

Shoqërimi muzikor mund të jetë me këngë homofonike, me këngë e dajre[3] njëkohësisht. E gjithë kjo pasuri koreografike e grave paraqet një unitet krahinor me tiparet e tij të veçanta, të kristalizuara gjatë shumë viteve. Karakteristikë për gratë e kësaj krahine është edhe fakti se ato gati të gjitha janë të afta për të luajtur valle, aq sa rrallë mund të ndodhë që ndonjëra të mos e ketë këtë aftësi.

Karakteristikë për vallet e grave të Hasit të Gurit përbën edhe veshja krahinore tradicionale, në pregatitjen e së cilës predominon puna e dorës së grave hasiane, që janë dalluar në këtë drejtim për mjeshtërinë dhe fantazinë e tyre artistike.Veshja, si një komponent i rëndësishëm, ndikon në fizionominë dhe strukturën e kërcimit, duke dhënë në rastin konkret mundësinë e ekzekutimit të motiveve dhe lëvizjeve me gjerësi e plasticitet.

Në krahinën e Hasit njihen dy lloje veshjesh: Veshja e Vlahnes (në të cilën bëjnë pjesë, sipas emërtimit popullor: Opingat, çorapet, kamzat, t'linat, këmisha, krahëzat, fustani, kanaci i mbrapmë, kollani, kanaci i përparmë, mitani, mërhama dhe shamia), e kanë përdorur kryesisht fshatrat e Hasit të Brinjës, ndërsa Veshja e Rekës (në të cilën bëjnë pjesë:

Opingat, çorapet, kamzat, t'linat, këmisha, krahëzat, kanaci i perparmë, kanaci i mbrapmë, jeleku, mërhama -që lidhet për rreth kokës dhe gushës-, lidhëza -që lidhet në ballë-, dhe zbukurimet -rruza gjerdan më parë, rryp lëkure,etj, që përdoren dhe në veshjen e Vlahnes) e kanë përdorur kryesisht në Hasin e Thatë dhe të Rrafshit, me gjithë nuancat që mund të kenë nga një nënkrahinë në tjetrën. Në raste të veçanta janë përdorur edhe dimi mëndafshi ose veshja kule (e përdorur nga vajzat në kohën e vajzërisë), një lloj dimije me ngjyra të errëta.

Gratë e Hasit i praktikojnë vallet e tyre në raste të ndryshme festash e gëzimesh, por kryesisht gjatë ceremonialit të dasmës. Kur gratë kërcejnë në dasëm, është si rregull që të parat të ngrihen bijat e shtëpisë (nuset që kanë dalë nga ajo shtëpi ku zhvillohet dasma) të cilat, në krahasim me të tjerat, kërcejnë e këndojnë më fort.

Kënga karakteristike që nis dasmën është:[4].

Shyqyr natë e shyqyr ditë, hoj, dado, hoj!

si na vjen nusja shpinë na zdrit, hoj, dado, hoj.

Shyqyr natë e shyqyr ditë, hoj, dado, hoj

si po marrim kët kunatë, hoj, dado, hoj.

Në fondin e kulturës popullore tradicionale të Hasit zënë vendin e tyre dhe vallet e burrave[5]. Pasuria e këtyre valleve, ashtu siç u tha edhe më lart, në krahasim me ato të grave, është më e kufizuar, si nga sasia e larmia ashtu dhe nga përmbajtja e tipologjia. Pavarësisht nga kjo, vallet janë krijime që kërkohen dhe pëlqehen shumë nga hasianët e të gjitha moshave dhe s’ka gëzim a festë ku ato të mos praktikohen. Në këtë rast vallja rrëmben e frymëzon jo vetëm kërcimtarin që e ndjen atë me shpirt, por edhe të pranishmit, që e ndjekin me gëzim e passion duke marrë pjesë shpirtërisht në të. Në raste festash e gëzimesh në ambientin e burrave është praktikuar më shumë kënga epike, e cila i përshtatet atmosferës së përmbajtur e solemne si dhe shijeve ideoestetike të hasianit.

Tirqet janë veshja më tradicionale dhe tipike e burrave te Hasit. Nje veçori për vallet e burrave përbën shoqërimi i tyre melodik, komponent ky i rëndësishëm, që influencon në fizionominë dhe larminë e tyre.

Është dhe një tjetër fakt se vallet e burrave hasianë kurrë nuk janë luajtur pa u shoqëruar me muzikë. Ata thonë se: < asht zor me kcye n't'that, sepse nuk ja din nrrimin e kajdes>. Ndryshe nga kërcimet apo vallet e grave, ato të burrave kurrë nuk janë shoqëruar me këngë. Ky tipar është karakteristik për folklorin tonë koreografik të burrave në krahinat malore të Shqipërise së Mesme, Veriore dhe Verilindore.

Përmbajtja epike e këtyre valleve lidhet me patosin heroik dhe frymën e tyre trimërore. Kjo duket më shumë në strukturën e motiveve[6]., ku bien në sy kthesat e shumta të trupit, ngritjet e mëdha e të gjera të këmbëve gjysmë të thyera n'ajër, zhvendosjet e theksuara të këmbëve, lëvizjet e gjera e të prera të duarve, plastika monumentale e trupit dhe pozicionet e tij krenare, ngritjet e herë pas hershme në majë të gishtave si të diktuara nga dëshira për të qëndruar sa më lart e sa më lirshëm, përkuljet e prera e të forta të trupit, etj.

Fryma trimërore e këtyre valleve manifestohet edhe gjatë interpretimit artistik të tyre prej valltarëve. Këta artistë popullorë dinë të fusin këtu shpirtin dhe talentin e tyre në funksion të mendimeve dhe përmbajtjes ideore të valles; prandaj ata i karakterizon një qëndrim serioz, krenar e burrëror.Ndërsa tek elementet lirike që hasen në vallet e burrave janë më tepër ndikime nga fondi koreografik i grave, gërshetime midis elementëve të këtij fondi me fondin e burrave ose elemente që lidhen me situata shpirtërore dhe ndjenja të caktuara të individualitetit krijues të kërcimtarëve popullorë.

Valle të veçanta

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në fondin koreografik tradicional të grave, përveç valleve të burrave e grave, gjejmë që, në bazë të një përmbajtjeje specifike ose shoqërimit të tyre muzikor, kanë marrë një fizionomi të caktuar, aq sa ato mbajnë emërtime të veçanta siq janë: Kcim burrash katunarçe[7], Kcim burrash sheherniançe,[8], Valle dyshe me dy dajre[9], vallet e kënduara: Nama ni pikë ujë[10]. , Qitma kamën përmbi kamë[11]. , Moj Hatixhe n'shami t'kuqe[12]., Po shkon vjehrra me mjel lopën[13], Moj e mira bardhë si pllumi[14]. Të paraqitura në këngë:

Nama ni pikë ujë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nama ni pikë uje-o, gonxhe trandafili.

S'kam me se ta japun, o zambak i prillit.

Me njat' doren tande, gonxhe trandafili.

Dora nodhi zanun, o zambaki prillit.

Me se ndodhi zanun, gonxhe trandafili?...

Me mihir florini, o zambak i prillit.

Qitma kamën përmbi kamë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Qitma kamën përmbi kamë

si bilbili neper lamë;

rumga, gumga,

hajde, shoqe, ktu ke na!

Qitma dorën përmbi dorë

si bilbili nëpër borë.

Moj Hatixhe n'shami t'kuqe

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Moj Hatixhe n'shami t'kuqe

n'Elbasan do t'çojme nuse,

t'i lyn dada flokt e kuqe.

Flokt e kuqe ti shitoft zana,

a s't'u dhimet baba e nana?

Nana, baba-o ty vllaznia,

shkon te burri t'rrok pleçnia;

t'rrok pleçnia, t'kapin fmia,

lypin bukën argatia,

shum-o hangrën ju raft'terpia,

n'mall i pata teshat e mira.

Po shkon vjehrra me mjel lopën

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Po shkon vjehrra me mjel lopën,

gujas-e, gujas-o;

po shkon reja me i nimue,

hjedhas-e, hjedhas-o;

Po shkon vjerra me mjelë dhentë,

gujas-e, gujas-o;

po shkon reja me i nimue,

hjedhas-e, hjedhas-o;

Po shkon vjerra me mjelë dhitë,

gujas-e, gujas-o;

po shkon reja me i nimue,

hjedhas-e, hjedhas-o.

Moj e mira bardhë si pllumi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Moj e mira bardhë si pllumi, hoj, dado, hoj!

a m'kallxon qysh millet gruni? hoj, dado, hoj

Gruni millet ni kështuni: hoj, dado, hoj

Moj e mira bardhë si pllumi, hoj, dado, hoj

a m'kallxon qysh herret gruni? hoj, dado, hoj

Gruni herret ni kështuni: hoj, dado, hoj

Moj e mira bardhë si pllumi, hoj, dado, hoj

a m'kallxon qysh korret gruni? hoj, dado, hoj

Gruni korret ni kështuni: hoj, dado, hoj

Moj e mira bardhë si pllumi, hoj, dado, hoj

a m'kallxon qysh fshihet gruni? hoj, dado, hoj

Gruni fshihet ni kështuni: hoj, dado, hoj.

a m'kallxon qysh fshihet gruni? hoj, dado, hoj.

Një veçori për vallet e burrave përbën shoqërimi i tyre melodik, komponent ky i rëndësishëm, që influencon në fizionominë dhe larminë e tyre.


Një ndër instrumentet që ka shoqëruar vallet e kësaj krahine, ashtu edhe ato të malësisë së Shqipërise së Mesme dhe Veriore e Verilindore është çiftelia, Sharkia, Curlet, Tupanat, Fyelli e Bishnica[15]. Për shoqërimin e valleve të burrave instrumentat janë përdorur jo vetëm në mënyrë solistike, por edhe si grup. Dhe ky formacion në grup mund të jetë i përbërë prej instrumentash të njëjta apo të llojeve e familjeve të ndryshme.

Në Hasin brenda kufirit për shoqërimin e valleve të burrave nuk janë përdorur kurrë instrumenta membranofonë si dajreja apo lodra, megjithëse këto, përdoren gjerësisht në shumë krahina malore të Shqipërise së Mesme dhe të Veriut, bile dhe në krahina kufitare me Hasin ( Luma dhe Malësia e Gjakovës ). Afrimi dhe lidhjet koreografike të Hasit me krahinat e tjera shtrihen në tregues të tillë si: struktura, trajta dhe formacioni i valleve.

Struktura dhe motivet

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vallet e burrave të Hasit nga pikëpamja strukturore[16]. paraqiten të pa kristalizuara e të pa percaktuara në mënyrë të prere. Struktura e tyre është shumë elastike dhe lejon improvizimin, spontaneitetin dhe një thurje gjithmonë të ndryshueshme të motiveve dhe figurave koreografike, prandaj ato nuk mund të kenë emërtime të veçanta.

Sigurisht improvizimi dhe spontaneiteti është i mundshëm sepse këto valle interpretohen në menyrë individuale (edhe kur kërcehen nga dy valltarë, secili prej tyre luan për vete, pavarësisht se ruajnë një farë lidhjeje e komunikim midis tyre, sidomos në qëndrimet përballë njëri tjetrit, në lëvizjet paralele, në rrotullimet, etj). Kjo lidhet me aftësitë individuale të valltarit, me gjendjën e tij shpirtërore gjatë momentit të kërcimit, me temperamentin, me sensibilitetin, kulturën e tij koreografike, ambientin, karakterin e momentit të kërcimit, shoqërimin melodik (instrumentet, zgjatja e melodisë, mënyra e interpretimit) etj. Kjo është arsyeja që dy valltarë të ndryshëm nuk mund të interpretojnë kurrsesi një valle me të njëjten strukture koreografike, bile dhe i njëjti valltar nuk mund t'ia arrijë kësaj po ta përsërisë për herë të dytë vallen e tij.

Bazën e valles e përbëjnë motivet koreografike. Këto janë të pasura, të larmishme, kanë strukturën e tyre dhe, në përgjithësi ekzistojnë si elemente në fondin tradicional koreografik të Hasit, pavarësisht se konceptimi, lidhja dhe gërshetimi i tyre në valle mund të paraqitet në formë të ndryshme. Secili prej tyre ka strukturën e vet, në esence e ka të percaktuar; është i inkuadruar dhe i ndërtuar në mënyrë simetrike. Dhe kjo bën që vallja të ketë në përgjithësi një shtrat, një bazë karakteristike hasiane, një farë organizmi të brendshëm arkitektonik, një fizionomi të përgjithshme që e dallon në një farë mënyre nga vallet e krahinave fqinje, qoftë dhe të atyre ku luhen valle të këtij karakteri.

Në këtë simbiozë artistike merr pjesë, me cilësinë e një mjeti origjinal shprehës, edhe pantomimat. Siç dihet, ky element i rëndësishëm i folklorit tonë dramatik, është arti i të shprehurit të një mendimi nëpërmjet lëvizjeve, që gërsheton tre elemente: gjestin, mimikën e fytyrës dhe plastikën.

Vlera e madhe ideoestetike e lodrave dhe argëtimeve popullore qëndron në përmbajtjen, në fabulën e caktuar që ato kanë përgjithësisht dhe në mjetet shprehëse figurative-artistike. Shtjellimi i fabulës ecën në rrugën e spontaneitetit dhe improvizimit sipas fantazisë krijuese të artistëve popullorë.Kjo është edhe arsyeja që këto krijime të cilat praktikohen si nga gratë ashtu dhe nga burrat, kërkojnë mjeshtra të zotë , me të dhëna të gjithanshme artistike, kërkojnë valltarë, këngëtarë dhe interpretues të mirë në të njejtën kohë.

Hasi ka disa veçori karakteristike, të cilat janë tipike në Has dhe e dallojnë Hasianin dukshëm nga Malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe Luma, Mali i Zi, Gora Tej, Drini (Kukësi) dhe nga Puka, Gjakova, Prizreni, rrethe me të cilat dhe kufizohet.

Një veçori për këtë krahinë është dialekti karakteristik që ngjason shumë me atë letraren. Kjo po të krahasohet me krahinën e Lumës është shumë ndryshe. E folmja e Hasit anohet më shumë me të folmen e Tropojës por dhe me këta, ne kemi veçoritë tona. Hasi me gjithëse është i ndarë në tre rrethe: Hasi i Gjakoves, Hasi i Prizrenit, Hasi i Kukësit megjthatë asnjë herë nuk është "asimiluar" në doke e zakone por ka ruajtur veçorinë e tij. Një problem i madh për hasin është se kjo zonë nuk është e studiuar aq sa duhet për të mos thënë fare pasi kjo zonë është e banuar që në kohët e ilirve dhe për këtë janë gjetur shumë tuma ilire që vërtetojnë këtë.

Elemente koreografike në lodrat dhe argëtimet popullore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për ta dhënë kuadrin koreografik të Hasit sa më të plotë, ka disa lodra dhe argëtime popullore, në të cilat, ku më shumë e ku më pak, gjejmë elemente a specimente të veçanta koreografike. Si krijime të kësaj natyre, ato praktikohen dendur në Has dhe pasurojnë traditën e tij folklorike. Këto krijime në vetvete, përbëjnë një unitet e bashkëveprim artistik të elementit koreografik, poetik e melodik. Disa prej argëtimeve janë: Loja e iriqit, loja e kapuçave, plaku i dasmës, etj.

Në krahinën e Hasit nga gratë është praktikuar, ku më shumë e ku më pak, edhe ky argëtim koreopantomimik, i cili, gjithashtu luhet në shumë krahina të vendit tonë. Në variantin hasian të këtij argëtimi marrin pjesë një grup grash, por vetëm njëra luan rolin kryesor. Kjo futet në një thes dhe mban ritmin me anën e dy lugëve, ndërsa gratë përreth, duke shoqëruar me dajre, këndojnë :Del, iriqi ,del e luej ./qat nuse t'mirë po ta ruej .Lojtarja kryesore, kur dëgjon fjalët, del nga thesi, fillon e kërcen e gëzuar, me improvizime të rastit, me ndonjë motiv të thjeshtë të kërcimeve të grave, ose duke imituar iriqin. Kur grupi i grave, në vazhdim të argëtimit, këndon: Del,iriq ,del e luej ,/qat plakë të keqe po ta ruej, iriqi- ulet në tokë, nxjerr nga mesi torokopin(një vegel pune) dhe, në shenjë zemërimi, qëllon shpeshherë me të.

Është një ndër lojrat më të popullarizuara jo vetëm në Has por edhe në krahina të tjera të Shqipërise së Mesme, Veriore dhe Verilindore si dhe të Rrafshit të Dukagjinit, megjithëse në të elementi koreografik, në krahasim me argëtimet e tjera, është i kufizuar.Loja praktikohet ndër tubimet e burrave, sidomos në dasëm, në orët e vona të natës, pasi janë ekzekutuar këngët e vallet. Në kapuçat[17] marrin pjesë 30 vetë gjithsej. Loja nis me dy lojtarë, të cilët, me rradhë, zgjedhin shokët midis pjesmarrësve dhe formojnë secili nga një parti.

Të dy grupet, të ulur në shesh në formë, fshehin me rradhë një kokërr të vogël në çorape të leshta apo në kapuçe. Grupi kundërshtarë duhet të gjejë ku është fshehur kokrra.Po e gjeti fiton nje sasi pikësh,në mos humbet disa prej tyre (kjo lojë vazhdon 1-1.30 orë). Grupi që grumbullon më parë pikët e caktuara shpallet fitues. Sipas rregullit pala që humbet është e detyruar të qëndrojë ulur, pa folur, kurse burrat e palës fituese ngrihen në këmbë rreth tyre, vendosen në formacionin gjysëmrrethi dhe, të kapur prej krahësh, nisin tu këndojnë të mundurve. Kënga, në përgjithësi, ka karakter thumbues, dhe shpesh her me fjalë të rënda.

Teksti poetik i këngës nuk është krejt i përcaktuar, por lojtarët e improvizojnë sipas dëshirës dhe momentit, duke shfrytëzuar vargje e shprehje klishe. Zakonisht vargu i parë këndohet nga lojtari i parë i palës fituese dhe përsëritet nga shokët e tij të grupit. Kënga këndohet në mënyrë homofonike, pa shoqërim instrumental dhe përbëhet nga një fazë muzikore prej katër masash, me vlerë 5/8, që përsëritet.

Një këngë e lojës së kapuçave,e inçizuar gjatë një loje në një dasëm në fshatin Domaj-Has[18]:

Djem të mirë janë për krushkë,

me ja dhanë ka'i tesh për pushkë.

Mos ma prek kokrrën me dorë,

nuk t'vyn loja me t'hasiane,

kto lojën e kem' zanat;

e kem zanatin fort të keq,

nuk asht gja çartaqef

Fal i kofshim zotit shpisë!

Është një argëtim koreopantomimik që praktikohet në shumë krahina të vendit tonë dhe me një origjinalitet e trajtë të veçantë, paraqitet edhe në repertorin e krijimeve folklorike tradicionale të krahinës së Hasit. Fabula e këtij argëtimi temën e ka marrë nga sfera e jetës shoqërore e familjare. Këtu bëhet fjalë për një nga plagët e shoqërisë së kaluar, atë të martesës së burrit të moshuar me një vajzë të re.

Mjeshtëria dhe mënçuria popullore e sulmon këtë realitet nëpërmjet paradonizimit dhe thumbimit. Ky argëtim është praktikuar dhe vazhdon të praktikohet kryesisht gjatë ceremonialit të dasmës, më shumë nga gratë, si një krijim artistik i këndësh që krijon një atmosferë humori dhe gazi. Për arsye të vështirësisë që paraqet interpretimi i këtij krijimi nuk mund të marrë pjesë në të kushdo, por gratë që kanë aftësi koreografike, muzikore e poetike dhe, nga tjetër, janë të njohura si shakaxhesha. Ndër ato që kanë luajtur shumë këtë argëtim janë dhe Zoja Isuf Sheta[19] nga Kishaj si dhe Shake Sadria nga Vogova. Plaku i dasmës, është praktikuar edhe nga burrat e Hasit, zakonisht ndër dasmat. Në këtë rast rolin e nuses e luante një burrë i veshur e i maskuar sipas rastit.

Te burrat është praktikuar më shumë varianti i rrëmbimit të nuse nga të pranishmit dhe i përpjekjeve të plakut që qoftë me forcë, qoftë me të lutura, ta gjejë nusen. E kur e gjejnë, fillon kërcimin që shpesh shoqërohet me çifteli. Kërcimi nuk është serioz, por vetëm me qeshë dhe nuk i shkon çiftelisë. Plaku i dasmës, në këtë krahinë paraqitet dhe me variante të tjera, të cilat ndryshojnë midis tyre nga rrjeshtimi i episodeve, nga format e kërcimit, nga veshja që përdorin ekzekutueset. Kështu në ndonjë variant tjetër, plaku nuk e sjell me vete nusen, por e zgjedh midis grave; ai kërcen me nusen dorë për dore; në vend të kapuçit mund të lidhë në kokë një shami, ose në vend të pushkës të ketë një shtagë(shkop) e ta përdorë si çifteli. Elementi koreografik është një nga komponentet më të rëndësishme të këtij krijimi dhe del gjatë tij në momente të ndryshme. Ky nuk është një kërcim i mirfilltë dhe i kristalizuar por një argëtim me dëshirë të femrës ose mashkullit që do ta luajë plakun e dasmës.[20]

Sipas gojëdhënave fjala Has[21]: do të thotë i kulluet; në një rast tjetër shpjegohet kundërshtar. Sipas një legjende thuhet se në një dyluftim midis dy ushtarëve, njëri vendas e tjetri i huaj, vendasi u tregua me trim dhe i pari i ushtarëve të huaj, për të vlerësuar trimërinë e vendasit, i thotë: <je tamam Has>. Edhe sot e kësaj dite, fjalën hasian e lidhin me idenë e patriotizmit, trimërisë dhe atdhedashurisë. Pastaj thonë se: <Fjala Has> në gjuhën turqishte ka domethënien e tokave si pronësite e sulltanëve të cilët gjithë frytet (të ardhurat) shfrytëzoheshin për interesat personale të sundimtarëve otomane. Një dëshmi nga fusha e koreografise, ekzistencën në Has të termit rrethi i çikave,[22] shkenca koreografike ka provuar se figura e rrethit në valle është një nga format më të hershme e më të përhapura të kërcimit, që ruhet në shumë popuj të botës e të Ballkanit, dhe në mjaft krahina të Shqipërise.

  1. ^ ekspedite kerkimore gjate muajit tetor te vitit 1970, Në këtë ekspeditë nga ana e Institutit të folklorit morën pjesë: Jorgo Panajoti, Ramazan Bogdani e Beniamin Kruta. Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Folklorit, RAMAZAN BOGDANI, Fq 3, TIRANE, 1977.
  2. ^ Folklori koreografik I krahines se Hasit, RAMAZAN BOGDANI, Argetimet koreopantomimike si një fushë e rëndësishme e koreografisë popullore dhe funksioni i tyre, Konferenca Albanologjike, TIRANE, 1969.
  3. ^ Dajre, Ky instrument muzikor në gratë e Hasit zakonisht e ka termin Def. Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Folklorit, RAMAZAN BOGDANI, Fq 20, TIRANE, 1977, Biblioteka Personale, Shpend Jaku.
  4. ^ Kënga karakteristike që nis dasmën, AIF, bob. 770/2, 770/7
  5. ^ Vallet e burrave,AIF, R.Bogdani, bob.770/11, Fq 76, Tiranë, v.1977
  6. ^ Strukturen e motiveve,AIF, R.Bogdani, bob.770/5, Fq 76, Tiranë, v.1977
  7. ^ Kcim burrash katunarçe, AIF, R.Bogdani, v.1972, janar-shkurt, Fq 97, Kf. Nr. 7/7
  8. ^ Kcim burrash sheherniançe, AIF, R.Bogdani, v.1972, janar-shkurt, Fq 102, Kf. Nr. 7/5
  9. ^ Valle dyshe me dy dajre, AIF, bob.817/6-7, 870/12;R.Bogdani, Ekspedita e Kosovës, 1972, fl.1 , Fq 61-63,111-112,129-130.
  10. ^ Nama ni pikë ujë,AIF, R.Bogdani, bob.770/19, Fq 61,Shalqin-Kukës, v.1970
  11. ^ Qitma kamën përmbi kamë,AIF, R.Bogdani, bob.770/17, Fq 62, Vlahen-Kukës, v.1970
  12. ^ Moj Hatixhe n'shami t'kuqe,AIF, R.Bogdani, bob.812/6, Fq 64, Brekoc-Gjakovë, v.1972
  13. ^ Po shkon vjehrra me mjel lopën, AIF,R.Bogdani, fl.1 , Fq 167.
  14. ^ Moj e mira bardhë si pllumi, R.Bogdani,Pasuria folklorike koreografike e krahinës së Lumës, Fq 29-69, AIF, v.1969, Fq 96.
  15. ^ Bishnica,AIF, R.Bogdani, Fq 80, Tiranë, v.1977
  16. ^ Pikëpamja strukturore,AIF, R.Bogdani, Valle burrash hasiane, në kinofilmin (Vallet e krahinës së Hasit),K.f.Nr.2/5, Fq 86, Tiranë, v.1977
  17. ^ Loja e kapucave, Ky argëtim luhet nga burrat, e cila shoqërohet me këngë.
  18. ^ Një këngë e lojës së kapuçave, e incizuar gjatë një loje në një dasëm në fshatin Domaj-Has,Beniamin Kruta, Jorgo Panajoti, Kur e nisëm t'parën lojë (këngë kapuçash), mbledhur në fshatin Brekoc, AIF.bob.812/4
  19. ^ Zoja Isuf Sheta, lindur në fshatin Kishaj më 1917 dhe martuar në Krumë. AIF, R.Bogdani, Ekspedita e Hasit, v.1970, Fl 1, Fq 91.
  20. ^ Plaku I dasmës, AIF, bob.770/3, Krume-Kukes, 1970.
  21. ^ Fjala Has, Hasi, Jehona, Nr.7-8, Viti VII, Shkup, 1969, Fq 110.
  22. ^ Rrethi i çikave, N.Agolli, R.Bogdani, Vallja si shprehje e ndjenjave dhe të mendimeve të gruas në jetën shoqërore, Studime filologjike, 4/1968, Fq 173-178; S.Selimi, Mbi lashtësinë e valles shqiptare, kumtesë e mbajtur në Konferencën e Studimeve Albanologjike 1968, AIF