Letërsia e Rilindjes Kombëtare
Letërsia shqiptare e Rilindjes Kombëtare lindi dhe u zhvillua si pjesë e pandarë e lëvizjes politiko-shoqërore e kulturore për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj.
Lëvizja Rilindase
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Artikulli kryesor: Rilindja Kombëtare
Kjo lëvizje, që nis nga mesi i shekullit XIX dhe arrin deri në vitin 1912, quhet Rilindje Kombëtare, prandaj edhe letërsia e kësaj periudhe quhet letërsi e Rilindjes Kombëtare. Kjo është kryesisht një letërsi patriotike me frymë demokratike e popullore. Tema kryesore e saj ishte dashuria për atdheun dhe popullin, evokimi i së kaluarës heroike dhe lufta për çlirimin kombëtar e shoqëror.
Kushtet historike që përcaktuan zhvillimin e saj, ishin kryengritjet e vazhdueshme kundër pushtuesve osmane, lufta për pavarësi dhe për ruajtjen e tërësisë tokësore të vendit nga synimet grabitqare të imperialisteve dhe të qarqeve shoviniste fqinje.
Letërsia e Rilindjes pati një drejtim iluminist e në periudhën e fundit edhe vepra realiste, por në thelbin e vet ajo ishte një letërsi romantike. Në veprat më të, mira të saj u shprehen ideale të larta kombëtare, malli dhe dashuria e zjarrtë për mëmëdheun, krenaria për të kaluarën e lavdishme të popullit shqiptar dhe ëndërra për ta parë Shqipërinë e lirë, të pavarur e të lulëzuar.
Shkrimtarët
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Figura më e shquar e kësaj periudhe është padyshim, Naim Frashëri, autor i poemës "Bagëti e Bujqësi„ i "Historisë së Skënderbeut„ dhe i shumë poezive të tjera patriotike, lirike e filozofike. Figura të tjera të shquara janë Zef Skiroi, Jeronim de Rada, A. Z. Cajupi, Gavril Dara i Riu, Ndre Mjeda, Asdreni etj.
Letërsia e Rilindjes shënon një etapë të re në historinë e letërsisë shqiptare. Ajo shënon kalimin nga letërsia me brendi fetare e karakter didaktik, në letërsinë e re shqiptare, në letërsinë e mirëfilltë artistike, duke hedhur në të njëjtën kohë edhe bazat e gjuhës sonë letrare kombëtare.
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Mirësevini në portalin e letërsisë, portalin e artit të fjalës. |