Jump to content

Manastiri i Ardenicës

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Manastriri i Ardenices

Manastiri i Ardenicës[1] ose Manastiri Ardenicë (shqip: Manastiri Lindja e Hyjlindëses Mari,[2][3] greqisht: Ιερά Μονή Γεννήσεως Θεοτόκου Αρδευούσης)[4][3] shtrihet afër fshatit Ardenicë, 18 km në jugperëndim të qytetit të Lushnjes, Shqipëri buzë rrugës kombëtare që lidh qytetin e Fierit me atë të Lushnjës ne një pozitë dominuese në kodrat me të njëjtin emër, në lartësinë 237 m mbi nivelin e detit.[5][5] Manastiri mesjetar mban emrin e Marisë Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të trevës së Myzeqesë, në të cilën ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike bujqësore.

Mendohet se themelet e këtij manastiri janë hedhur në vitin 1282 me nismën e perandorit Andronik II PaleologBizantit, i cili e ngriti këtë tempull pas fitores mbi anzhuinët në Berat.[6] Shtysë për këtë veprim do të jetë bërë ndodhja në atë vend e kapelës së Shën Triadhës, e ngritur aty shekuj më parë. Ekziston hipoteza se kapela mund të jetë ndërtuar në themelet gërmadhë të një tempulli pagan, i cili ka qenë ndërtuar për nder të hyjneshës Artemisa nga ka rrjedhur dhe emri i sotëm Ardenica.[5][7] Fare pranë këtij tempulli, në rrethinat e të cilit sot ndodhet manastiri, kalonte dega jugore e rrugës antike Egnatia, pikërisht 1 km në perëndim të tij. Për rreth manastirit shikohen, aty-këtu, ndërtime të vjetra, të cilat të japin mendimin se rreth tij ka pasur ndoshta një qendër të banuar. Sipas defterit osman të vitit 1431-'32, në nahijen e Myzeqesë, ndodhej fshati Ardenicë me tetë shtëpi, i cili mund të jetë shtrirë për rreth manastirit. Dëshmi tjetër, për rëndësinë e këtij manastiri është dhe fakti që po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, se në altarin e Kishës së manastirit të Ardenicës, është bërë edhe kurorëzimi i martesës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti me Andronika Arianitin. Ceremoniali u bë në mesditën e 21 prillit 1451 nga peshkopi i Kaninës Feliks, në prani të princave shqiptarë dhe ambasadorëve të Napolit, Venedikut, Raguzës.[8] Këtë fakt e përmend për herë të parë në vitin 1940, italiani A. Lorenconi.[6]

Kisha e Shën Mërisë dhe Kapela e Shën Triadhës
Kisha e Shën Mërisë dhe Kapela e Shën Triadhës

Manastiri është i tipit bizantino-ortodoks. Ai, së bashku me konaket që i janë shtuar më vonë, zë një sipërfaqe prej 2.500 m2. Ky monument përbëhet nga kisha e Shën Mërisë, kapela e Shën Triadhës, konaket, mulliri vajit, furra, stalla, etj. Në qendër të tij ndodhet kisha "Lindja e Shën Mërisë", e cila është ndërtuar pjesërisht me gurë të sjellë nga Apollonia dhe gurë shtufi. Kisha është e tipit Bazilikal. Ajo zë një vëllim të madh dhe është e mbuluar nga një çati druri me tavan të rrafshët. Mjediset që përbëjnë këtë kishë janë: naosi, narteksi, egzonarteksi dykatësh, ku në fund u bashkëngjitet kambanorja e lartë 24 m. Në anën jugore ndodhet portiku i hapur i ndërtuar me kolona dhe harqe. Naosi përbëhehet nga tre pjesë, të cilat ndahen në dy rreshta kolonash prej druri. Naosi ndahet nga altari me anë të ikonostasit. Dyshemeja e kishës është shtruar me pllaka guri, e cila përfshin edhe ambientet e narteksit dhe egzonarteksit.

Në vitin 1743 me nismën e peshkopit të Beratit, Metodit, i cili ishte me origjinë nga Bubullima (Myzeqe), u bënë në këtë manastir punime rregulluese përfshirë edhe kishën e Shën Mërisë. Kapela e Shën Triadhës shtrihet në pjesën verilindore të manastirit dhe ka përmasa 7,50 m x 3,70 m.

Hyrja e saj është në anën perëndimore dhe është e pajisur me dy dritare të vogla në faqen jugore. Kjo kapelë është ndërtuar me gurë shtufi dhe është e pajisur me një hapësirë, muri gjysmërrethor i së cilës e ndan atë nga një sternë uji. Porta e kapeles është mbuluar me harkë guri, pranë dritares lindore të saj ndodhet edhe një reliev qeramike.

Katedra e Manastirit

Kisha e Shën Mërisë është zbukuruar me afreske të mrekullueshme nga veprat e piktorëve Kostandin dhe Athanas Zografi. Këta piktorë korçarë punuan për zbukurimin e këtij tempulli në vitin 1744. Veprimtaria artistike e ateliesë së piktorëve Zografi është shpalosur në bazilikat e Voskopojës, Vithkuq, në Myzeqe dhe në malin i Shenjtë në Greqi, ku shkuan disa herë dhe shfaqën talentin e tyre të fuqishëm, nëpër kishat dhe manastiret e atjeshme.

Ikonë e Shën Gjergjit dhe Dragoit nga vëllezërit Çetiri nga Manastiri i Ardenicës, shek. XVIII, tash në Muzeun Kombëtar në Tiranë

Piktura e Zografëve cilësohet nga specialistët si vazhdim i traditës më të mirë të pikturës kishtare në vendin tonë. Tematika pasqyron ngjarje nga Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, dogmatika, liturgjia, jeta e shenjtorëve, etj.. Disa nga skenat janë "Festat e Virgjëreshës", skenat nga "Jeta dhe vuajtjet e Krishtit", "Fjetja e Shën Mërisë", "Zbutja e shpirtit të shenjtë tek apostujt", etj..

Në brezin e fundit, ndërmjet figurave të shenjtorëve është pikturuar muzikologu i shquar bizantin nga Durrësi Johan Kukuzeli. Në narteks, në të gjithë faqen lindore paraqitet skena e madhe që titullohet "Gjyqi i Fundit".

Krahas afreskeve një vend të rëndësishëm në dekoracionin artistik zë edhe ikonostasi i gdhendur në dru, i polikromuar me ar, i cili mban dy radhë ikonash të mëdha dhe të vogla. Zbukurimi i ikonostasit me ikona është realizuar në vitin 1744, ku kanë ndihmuar edhe esnafët e bakërxhinjve dhe muratorëve voskopojarë, ç'ka tregon lidhjen e tyre shpirtërore me këtë trevë. Ikonat janë vepër e piktorit më të mirë miniaturist të shekullit të tetëmbëdhjetë, Kostandin Shpataraku. Disa nga ikonat janë: "Lindja e Shën Mërisë", "Krishti në Fron", "Shën Mëria me Krishtin", "Johan pagëzori", "Mbledhja e kryeengjëjve", "Kryqëzimi", etj.. Interesant është fakti se si në ikonën e Shën Gjon Vladimirit, në një nga ndarjet e cilklit të saj është pikturuar princi shqiptar i shekullit të katërmbëdhjetë, Karl Topia, me kurorë mbretërore në kokë dhe skeptër në dorë, që piktori e quan mbret të Shqipërisë.

Këtij manastiri nuk i kanë munguar asnjëherë klerikët e përkushtuar. Për t'u përmendur janë shumë prej tyre po ne po prekim vetëm dy. Njëri prej tyre, Igumeni, Nektar Tërpo, me origjinë nga Voskopja, shkroi në vitin 1731 një lutje të shkurtër në formë afresku. Lutja është shkruar në katër gjuhë: latinisht, greqisht, arumanisht dhe shqip. Është i rëndësishëm fakti se ky tekst përmban shkrimin e parë të shqipes të shkruar në shkollë nga grekët, teksti shqip i shkruar në alfabetin grek është i tillë: "Vigjin dhe mame e Perendis uro pren fajt orete" në fund të tij ndodhet nënshkrimi i autorit, Hieromonah - murgu, Nektarit. Ky murg ka shkruar edhe librin me përmbajtje fetare "Besimi" (Pistis), i cili u botua në Venedik në vitin 1773.[5][6]

I dyti klerik që përmendet në historinë e kishës Ortodokese, është prifti Marko, i cili është ai që gjeti kufomën e shenjtit Kozma të hedhur në lumë nga suvarinjtë turq. Ja ç'thuhet në "Martirdogun" Shën Kozma Etollosit të përshkruar nga Shën Nikodhimi: Pas tri ditësh një prift i përkushtuar i quajtur Marko që shëbente në manastirin e Ardenicës, pranë fshatit të Kolkondasë hipi në një trung bëri kryqin dhe shkoi të kërkonte. Gjatë ecejakeve të tij me barkë përgjatë lumit Seman ai gjeti trupin e të shenjtit, i cili qëndronte mbi ujë sikur të ishte i gjallë. Pasi e nxori nga lumi ai e veshi kufomën me rrasën e vet dhe e varrosi atë në kishën e Shën Mërisë së Kolkondasit, ku vite më vonë Ali Pashë Tepelena do të ngrejë manastirin e Shën Kozmait, si qendër të rëndësishme të kristianizmit në Myzeqe. Në fund të viteve 60 të shekullit të XX, në këtë manastir kaloi vitet e fundit të jetës edhe krypeshkopi i kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Irene Banushi, një nga figurat më të shquara të klerit ortodoks.

Qendër arsimi dhe kulture

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Manastiri i Ardenicës ka qenë mjaft i përmendur për pasurinë e bibliotekës së tij. Deri nga Greqia vinin në Ardenicë murgj dhe priftërinj për të studiuar në këtë bibliotekë. Kjo u pasurua me një fond të madh librash gjatë shekujve XVII - XVIII, sidomos nga ndihmat e shoqërisë voskopojase "Shoqata e Manastirit të Ardenicës", e cila i sillte librat jo vetëm nga Evropa Perëndimore, por edhe nga Hungaria e Polonia. Kjo bibliotekë, që ishte një thesar i çmuar kulturor me 32.000 vëllime, u dogj nga zjarri në vitin 1932?! Qysh prej vitit 1780, në Manastirin e Ardenicës u hap edhe një shkollë e tipit të ulët në gjuhën greke. Qëllimi i saj ishte përgatitja e klerikëve të thjeshtë, për nevojat e kishës ortodokse. Lëndët bazë ishin Bibla, Liturgjia dhe greqishtja.[5]

Gjatë rilindjes kombëtare shkolla e Manastirit të Ardenicës do të bëhet një nga vatrat e mësimit të gjuhës shqipe, nga ku do të dalin një brez i tërë shkollash. Në vitin 1817, shkolla e ulët në manastirin e Ardenicës u shndërrua në gjimnaz, i cili ishte pajisur edhe me konvikt, shkak ishin lëndët bazë të kësaj shkolle. Nga bankat e saj dolën edhe priftërinj që u ngritën në karrierë, si për shembull: Peshkopi i Beratit, Josifi.[5]

Në dokumentet historike, manastiri "Lindja e Shën Mërisë" së Ardenicës, përmendet për herë të parë në vitin 1715, ndërsa vetë ky objekt kulti na ofron disa mbishkrime, të cilat janë të gjithë në gjuhën greke. Më i vjetri në kohë, është ai i datës 1 maj 1477. Ky mbishkrim gjindet mbi hyrjen qendrore të Manastirit. Një mbishkrim tjetër ndodhet në brendësi të Naosit mbi portën kryesore të tij dhe na jep datën 1743 - '44 që është edhe periudha e pikturimit të kishës së Shën Mërisë nga vëllezërit piktorë Kostandin dhe Athanas Zografi. Në manastir ndodhen edhe dy pllaka me data të ndryshme që i përkasin shekullit XVII. Njëra pllakë, me datën 1754 ndodhet në pjesën perëndimore të hajatit të kishës, ndërsa tjetra që mbart datën 1770 ndodhet në një nga harqet e furrës. Datimet ndodheshin edhe në kambanat që përdorte manastiri.[6]

Kodrat e Ardenicës ndodhen në jug të fushës së Myzeqesë së madhe me një pozitë dominuese që shihet nga të gjitha anët me një lartësi 237m mbi nivelin e detit. Kjo pozitë si ballkon, ku nga këmbanorja e tij shihen Kruja, mali i Dajtit, Tomorri, deti Adriatik, laguna e Kravastasë e deri në jug malet e Labërisë, e bëjnë Ardenicën një vend të vizituar nga turizmi shplodhës dhe argëtues, vlerat e të cilit ia shton edhe pylli halor dhe ullishtat që ndodhen në bregoret për rreth manastirit. Gjithashtu vlerat që zotëron ky tempull, për të cilat folëm më sipër, e bëjnë atë një nga qendrat më tërheqëse të turizmit studimor. Në këtë drejtim ndikon dhe fakti që pellgu i Myzeqesë, në sajë të pozitës kyçe dhe të privilegjuar ka pasur gjithmonë një nivel të lartë zhvillimi ekonomiko-kulturor. Dëshmi për këtë janë një sërë manastiresh të mesjetës së hershme si forma refleksesh të këtij zhvillimi. I tillë ka qenë dhe mbetet edhe manastiri "Lindja e Shën Mërisë" së Ardenicës.[5]

  1. ^ Eastern Churches Journal: A Journal of Eastern Christendom. Society of Saint John Chrysostom. 1997. fq. 222. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ "Manastiri "Lindja e Hyjlindëses Mari", Ardenicë (i restauruar)". orthodoxalbania.org. Orthodox Autocephalous Church of Albania. Arkivuar nga origjinali më 28 shtator 2011. Marrë më 28 qershor 2011. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ a b "The Monastery of Theotokos Mary, Ardenica (restored)". orthodoxalbania.org. Orthodox Autocephalous Church of Albania. Arkivuar nga origjinali më 16 korrik 2011. Marrë më 28 qershor 2011. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ "Ιερά Μονή Γεννήσεως της Θεοτόκου, Αρδενίτσα (Αρδέυουσα) (αναστήλωση)". orthodoxalbania.org. Orthodox Autocephalous Church of Albania. Arkivuar nga origjinali më 28 shtator 2011. Marrë më 28 qershor 2011. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ a b c d e f g Andoni, Ben. "Manastiri i Ardenices: Ku shqiptaret piskasin ne vend te lutjes". Arkivuar nga origjinali më 4 shkurt 2015. Marrë më 28 korrik 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ a b c d GJIKA, Ilirjan. "Manastiri i Ardenices". Arkivuar nga origjinali më 24 gusht 2010. Marrë më 28 korrik 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. ^ Albanian ethnography. Science Academy. 1976. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  8. ^ Elsie, Robert (2000). A dictionary of Albanian religion, mythology, and folk culture. New York University Press. fq. 14. ISBN 0-8147-2214-8. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)