Jump to content

Marrëveshja e Mukjes

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Marrëveshja e Mukjes u nënshkrua më 2 gusht 1943 në fshatin shqiptar të Mukjes midis Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë për të bashkërenduar e rezistencën shqiptare në Luftën e Dytë Botërore dhe për tu përgatitur për të ardhmen e Shqipërisë Etnike.

Mbledhja e Mukjes

Marrëveshja themeloi një Komitet të Shpëtimit Kombëtar i cili duhet të merrte drejtimin e lëvizjes së rezistencës shqiptare. Nga ana e komunistëve shqiptarë, marrëveshja u nënshkrua nga Ymer Dishnica, një anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Një mosmarrëveshje u ngrit në lidhje me statusin e Kosovës. Ndërsa Balli Kombëtar propozoi për të luftuar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përfaqësuesit komunistë kundërshtuan ashpër. Më në fund u arrit një kompromis, ku çështja e Kosovës të vendosej në një referendum të popullit të saj në fund të luftës.

Marrëveshja u konsiderua kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, i deleguari i të cilëve pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë Svetozar Vukmanoviç-Tempo ushtronte ndikim të konsiderueshëm mbi komunistët shqiptare e veçanërisht mbi drejtuesin e tyre, Enver Hoxha. Si pasojë, kjo marrëveshje u dënua zyrtarisht nga Enver Hoxha në një takim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Mbledhja Kombëtare në Tapizë, 26 korrik 1943

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sot më 26 korrik 1943, ora 11 p.dite, u mblodhën në shtëpinë e Z. Dr. Ihsan Toptani në katundin Tapizë të Tiranës, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i përbërë prej Z. major Abaz Kupi. Myslim Peza, Dr. Ymer Dishnica, Kamber Qafmolla dhe Mustafa Gjinishi dhe Delegacioni i organizatës "Balli Kombëtar", i përbërë prej Z. Mithat Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Quku. Me vendim të përbashkët u zgjodh Z. Mithat Frashëri si kryetar i mbledhjes dhe Z. Mustafa Gjinishi si sekretar. U vendos të pranohen si dëgjues Z. Pater Lek Luli, Dr. Ihsan Toptani, Xhemal Herri, Gogo Nushi, Sali Vata dhe Abdullah Ymeri. Delegatët e të dyja organizatave, duke interpretuar dëshirën dhe vullnetin e popullit shqiptar për me ndjekë një luftë të përbashkët kundër okupatorit fashist dhe atë të dy organizatave përkatëse, vendosën:

Neni 1: Të formohet një komitet i përbashkët lufte me emrin "Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë". Neni 2: Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë ka për qëllim realizimin e këtij programi: 1- Luftë imediate kundër armikut okupator për çlirimin e Shqipërisë. 2- Indipendencën e plotë të Shqipërisë në kufijtë e 1913-ës dhe realizimin e bashkimit me atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtut të parimit të përgjithshëm të vetëvendosjes së popujve, të njohur universalisht dhe garantuar prej Kartës së Atlantikut. 3- Një Shqipëri të lirë independente, demokratike të vërtetë. 4- Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh universal. 5- Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë pushon të ekzistojë me formimin e një qeverie provizore.

Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë do të formohet sa më shpejt që ta lejojnë rrethanat.

Delegatët e Ballit Kombëtar për deri në aprovimin e organizatës së tyre e nënshkruajnë këtë rezolucion "Ad referendum".

Delegatët K. i Përgjithshëm Nacionlaçlirimtar (5 firmat) Balli Kombëtar (3 firmat)[1]

Procesverbalet e Mbledhjes së Mukjes

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Proces-verbal Sot më datë 1 gusht 1943 u mbajt në katundin Mukje, mbledhja e dytë e delegacioneve të Organizatës B.K. dhe të Organizatës Nacional-Çlirimtare. Kryesia e mbledhjes me vota unanime iu ngarkua Z. Thoma Orollogajt dhe sekretaria Z. M. Gjinishi. Bisedimet i hap Z. Dosti, delegat i B.K. i cili deklaron se pas bisedimesh që bëri qendra e Ballit proces-verbalit të marrëveshjes së bërë më 26 korrik 1943, të nënshkruar ad-referendum prej delegacionit të Ballit, e gjen të nevojshme të bëhet një shqyrtim disa pikave të akordit të arritun. Bisedohet dhe vendoset që pika 1 e nenit 2 të ndryshohet dhe të qëndrojë në këtë mënyrë: Pika 1. Luftë imediate kundër armikut okupator dhe kundër çdo armiku tjetër eventual okupator Pika 2. Luftë për një Shqipëri independente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri Etnike. Pika 3. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Një Shqipëri të lirë, indipendente, demokratike, popullore. Pika 4. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë bie me formimin e një qeverije provizore. Pika 5. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh universal direkt.

Delegacionet:

B.K.

K.P.N.Çlirimtar

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare

Proklamatë

Popull shqiptar!

Po bëhen afro 5 vjet që Italia fashiste ka pushtue vendin tonë të shtrenjtë dhe po mbjell kudo zi e mjerim.

Barbarizma ka arritur kulmin. Në këto kohë të fundit ka djegë e ka shkatërrue fshatra e qytete dhe me një etje të tërbueme ka vra e ka therë burra e gra, djem e vajza, pleq e të rinj dhe fëmi të vegjël shqiptar që ende thithin qumështin e nënës... Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, shprehje e gjallë e fuqive të kombit, paraqet këtë program:

1. Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve më të mëdhenj, Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si dhe popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar. 2. Luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuar nga Karta e Atllantikut të vetvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike. 3. Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.

Shqiptarë!

Nuk keni ç'të prisni ma. Armiku është akoma në vatrat tona.

Erdhi koha që të çohemi të gjithë të vegjël e të mëdhenj, burra e gra, intelektualë e patriotë qytetarë dhe katundarë dhe të rrokni armët për dëbimin sa më të shpejtë të pushtuesit të huaj nga toka e shenjtë shqiptare.

Ngrihuni të gjithë pra, betohuni rreth flamurit të Skënderbeut, bashkohuni rreth Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë dhe sulmoni në çdo vend e kënd, me armë e çdo mjet armikun pushtues, zgjidhni prangat e robërisë që i kini në duar afër 5 vjet dhe merrni gjakun e martirëve tanë që ditën të vdesin në fushën e nderit për lirinë e Shqipërisë. Dita e shpëtimit erdhi!

Jashtë armiku zaptues!

Rroftë Shqipëria e bashkueme në luftë kundër pushtuesit!

Rrofshin aleatët tanë të mëdhenj, Angli, Shtetet e Bashkueme e Bashkimi Sovjetik!

Rroftë Shqipëria e pavarme, demokratike popullore!

Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë[2]