Ihsan Toptani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Ihsan bej Toptani (1908-2000) ishte veprimtar i çështjes kombëtare dhe gazetar shqiptar.

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Ihsani lindi më 25 gusht 1908, i biri i firmëtaritShpalljes së Mvehtësisë, Abdi bej Toptanit.

Me revoltën e Shqipërisë së mesme iu dogj shtëpia bashkë me shtëpitë e t'afërmëve, Esad pashë Toptanit, xhaxhait Refik bej Toptanit dhe kushuririt të të atit, Murat beut. Prej kësaj u detyrua të jetojë në shtëpinë e gjyshes.

Dërgohet me shkollim në Austri. Gjimnazin klasik e bën në Gratz (1920-1928), ku vijon dhe shkollën e lartë për shkenca politike. Më 1940 doktoroi me temën "Mendime ekonomike-ushtarake kontradiktore lidhur me drejtimin e politikës gjermane të tregtisë së jashtme përpara Luftës Dytë Botërore".

Mbas mbrojtjes së diplomës ai qëndroi edhe dy vite në Austri, kur më 1942 kthehet në Shqipëri. Kthimi i tij në atdhe u bë kur shteti shqiptar ishte nën pushtimin fashist. Ai u përfshi në një martesë të shkurtër, e mblesëruar nga familja e tij.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore dr. Ihsan Toptani luajti një rol mjaft të rëndësishëm si ndërmjetës mes përfaqësuesve të Ballit Kombëtar, zogistëve dhe komunistëve si dhe bashkëpunoi ngushtë me misionet ushtarake të aleatëve e sidomos me ata anglezë.

Ndërmjetësi mes palëve[redakto | redakto tekstin burimor]

Ihsani u dallua veçanërisht në përgatitjen e Mbledhjes së Mukjes. Kishte biseduar disa herë me Mit'hat Frashërin e Ballit Kombëtar, Abaz Kupin të krahut zogist, dhe Mustafa Gjinishin të lëvizjes komuniste. Mit'hati me Abazin nuk shkonin dhe aq mirë, gjë që trondiste qyshë në nisje një marrëveshje të mundshme.[1]

Takimi i parë midis tyre u mbajt në shtëpinë e Toptanajve në Tapizë me 26 korrik 1943. Në takim kishin ardhur delegatët kryesor: Mit'hat Frashëri dhe Hasan Dosti nga Balli Kombëtar, Mustafa Gjinishi dr. Ymer Dishnica, Abaz Kupi dhe Myslim Peza nga LNÇ. Sekretar për të mbajtur shënimet u emërua Mustafa Gjinishi, Ihsani do ishte vetëm vëzhgues bashkë me Atë Lekë Lulin, Xhemal Herrin, etj.

Ndërkaq që për t’iu ikur rrezikut delegatët u detyruan që ta ndërrojnë vend takimin e mbledhjes, dhe për këtë zgjedhën fshatin Mukje në rrethinën e Krujës si vend më i përshtatshëm për ta mbajtur mbledhjen. Mbledhja u mbajt më 1 dhe 2 gusht 1943, në të cilën morën pjesë përfaqësues të dy delegacioneve: ata të Frontit Nacionalçlirimtar të kryesuar nga Ymer Dishnica dhe grupi i Ballit Kombëtar të cilën e kryesonte Mit’hat Frashëri. Në këtë mbledhje u ra dakord që të luftohej për “Shqipërinë etnike” dhe u vendos që të krijohej “Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë”, me një numër të barabartë përfaqësuesish, si nga Balli Kombëtar ashtu edhe nga Fronti Nacionalçlirimtar, gjithsejtë 12 vetë prej dy palëve nga 6 persona. Ky komitet do të kishte atributet e një qeverie të përkohshme.[2]

Me pak ndryshime kjo marrëveshje u nënshkrua dhe mbledhja u shpërnda duke pritur që secila palë të njoftonte nga gjashtë kandidatë për takimin e ardhshëm. Mirëpo shpejtë kishte mbërri lajmi që Enver Hoxha me insistimin e Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviqit e kishte hedh poshtë marrëveshjen. Pas kësaj ngjarjeje filloi lufta civile ne Shqipëri”.[3]

Dr. Ihsan Toptani nga pikëpamjet e tij politike ishte i pavarur. Gjatë luftës në Shqipëri shoqërohej dhe mbante lidhje të mira me misionarët britanikë. Kur disa misionarë oficer ushtarak të lartë britanikë si, William Tillmani, Julian Amary dhe Peter Kempy u gjendën në tokat shqiptare, atyre iu doli shumë në ndihmë dr. Ihsani , i cili u veçua me shoqërimin që i bëri më së shumti kapitenit Julian Amery, i cili shkruan:

Ihsani ishte një çifligar dhe kreu i njërës prej familjeve më të mëdha në Shqipërinë e mesme. Ai gjithmonë kishte ndenjur larg politikës por personalisht ai kishte simpati pa rezerva ndaj anglezëve dhe kishte përballuar rreziqe të mëdha për t’i shpëtuar oficerët britanikë, që kishin mbetur të sëmurë ose të plagosur pas operacioneve ndëshkimore të 1943. Për ne ai ishte një këshilltar i mençur e i paanshëm dhe më se njëherë ai kishte shërbyer si ndërmjetës për t’i penguar planet e gjermanëve që ta forconin regjimin “kolaboracionist” në Tiranë”.[4]

Ihsani qëndrimet e Qeverisë britanike për një ndihmë në ngjarjet në Shqipëri i kishte parë si të vonuara. Mendonte se Britanikët, deri më 1943, nuk ishin në favor të një aktiviteti të dukshëm ushtarak në Shqipëri. Britanikët kishin sjellë një vendim qëllimi i të cilit ishte që të vriten sa më shumë gjermanë duke mos marr asgjë tjetër parasysh. Dr. Ihsani mendonte se Britania e Madhe nuk kishte pasur interesa ne Shqipëri, andaj për britanikët, nuk ishte fort me rëndësi ndryshimi i strukturës shoqërore shqiptare. Britanikët, sipas dr. Ihsanit u ndihmuan atyre me të cilët kishin interesa. Interesa të tilla anglezët kishin me Greqinë e cila ndaj Shqipërisë është sjellë gjithmonë në mënyrë armiqësore, agresive dhe grabitqare.[1]

Rrethanat e ngjarjeve vijuan në mënyrë të tillë që tregoi fitoren e palës komuniste, të cilët ndaj Ihsanit ndonëse i paanë nuk kishin një qëndrim korrekt prej prejardhjes së tij në zë. Oficerët britanikë kishin marrë urdhër që gjatë tërheqjes së tyre të mos e marrin asnjë qytetar jo britanik me vete. Ky ishte një lajm shumë i hidhur për grupin e intelektualëve shqiptar të cilët nuk kishin ra n'ujdi me palën komuniste, dhe tani qëndrimi i tyre në një Shqipëri komuniste çdo herë e më tepër rrezikohej. Ihsani duke mos lënë që të kalojë koha, shkon në Shkodër dhe nga një mik i tij merr një barkë. Me të cilën udhëtoi me Abaz Kupin me dy djemtë e tij Petritin dhe Rustemin, dhe Gaqo Gogën.[5] Gjatë udhëtimit ju ishte prishur barka dhe disa ditë kishin qëndruar nën mëshirën e Zotit dhe detit.

Morëm vesh se një natë pas largimit tonë me benzinatën MAS, Ihsani dhe kapedani malazez kishin dalë në det nga gryka e Bunës. Duke marr me vete Again dhe miqtë e tij. Gjatë natës kishin lundruar mjaft dhe, të nesërmen në mëngjes kishin arritur në një pikë ku dukej Brindisi. Ndërkaq motorri i barkës ishte prishur përnjëherësh. Ata ishin përpjekur ta ndreqnin dhe kishin bërë shenja për të kërkuar ndihmë, por të gjitha mundimet e tyre kishin qenë të kota dhe valët, i kishin hedhur përsëri në det të hapur. Shtatë net dhe shatë ditë, u shtynë në drejtim të jugut, duke mbajtur veten e tyre gjallë me ujët e shiut dhe me thërrimet e pakta të ushqimeve që kishin marr vetëm për një natë. Ishin dëshpëruar shumë, por mëngjesin e shtat, ndërsa rryma i shpinte në ngushticën e Otrantos, u panë nga një minaheqës dhe u shpunë në Brindisi krejt të kapitur”.[3]

Mërgimi[redakto | redakto tekstin burimor]

Pas aventurës së padëshiruar dhe shpëtimit nga përmbysja e barkës në det, Ihsani vendoset për disa muaj në një kamp refugjatësh afër Barit. Ndërkohë bashkudhëtarët shpërndahen dhe Ihsani shkon në Romë ku punësohet në revistën amerikane “Newsweek” e më pas u bë edhe menaxher për biznes i Zyrës së Romës. Dr. Ihsani në Itali qëndroi deri në vitin 1947, prej nga u shpërngul në Angli.

Në gushtin e vitit 1949, me ndihmën e Fuqive të Mëdha, gjegjësisht me iniciativën e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe u formua Komiteti "Shqipëria e Lirë" me në krye Mit'hat Frashërin, ku Ihsani aderoi. Themelimi i këtij Komitetit qe bërë më 26 gusht 1949, kurse menjëherë të nesërmen, anëtarët e këtij komiteti kishin shkuar në Londër dhe po atë ditë kishin shpallur themelimin e saj nëpërmjet Radio BBC-së. Qendra e këtij komiteti qëllimi i së cilës ishte veprimtaria kundër regjimit komunist në Shqipëri, pa zgjedhur format dhe metodat që iu vinin në dorë, u caktua Roma. Nga Komiteti, Ihsani caktohet me u vendosë në Athinë ku ishin vendosur rreth 400 refugjatë. Ihsani kishte për detyrë të rekrutonte shqiptarë për çështjen e Komitetit, të cilët u përfshinë në trupat që stërviteshin nga dy anglezët David Smiley dhe Julian Amery në Maltë. Komiteti i ndihmuar nga Fuqitë ndërmorri masa kundër pushtetit komunist t'instaluar në Shqipëri, por misionet me parashutistë të nisura dështuan në sajë të veprimtarisë së poli-agjentit Kim Filbi.

Në vitin 1953, dr. Ihsan Toptani dha dorëheqje nga ky Komitet. Dorëheqja e tij pasoi për shkak se sipas tij, anëtarët e tjerë kishin vendosur që në Komitet të hynë edhe njerëz të cilët gjatë okupimit fashist të Shqipërisë kishin bashkëpunuar me okupatorin. Mori nënshtetësinë britanike më 1958.

Pas disa vitesh nën drejtimin e Rexhep Krasniqit, Komiteti bëri përpjekje për të riorganizuar në ShBA, me ç’rast ftohet edhe dr. Ihsani që të marrë pjesë përsëri, por një kërkesë të tillë ai e refuzoi për shkaqe të njëjta. Pas kësaj iu kthye sërish punës në BBC, ku qëndroi deri në mbylljen e Seksionit Shqip, që ndodhi në vitin 1967, kur ai doli në pension. Që nga kjo kohë e deri në vdekje Ihsani u angazhua në “Shoqatën Anglo-Shqiptare” të themeluar qyshë më 1922 nga Aubrey Herbert dhe Edit Durham, i vlerësuar si dekani i shqiptarëve dhe Beu i Fundit otoman që jetoi në Britani.

Në vitin 1993 ai e kishte vizituar Shqipërinë dhe nuk i kishte pëlqyer situata politike por i kishte pëlqyer natyra e atjeshme. Mbërriti të marrë mbrapsht disa prona dhe rikrijoi lidhjet me mbesën Gajde Toptani-Mema pas 45 vjetësh.[6]

Vdiq më 28 maj 2001, në moshën 93 vjeçare,[7] ndërsa varrimi u bë më 7 qershor 2001, në Krematoriumin e Londrës Jugore.

Burime[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ a b Dauti D., Reflektime Shqiptaro-Britanike fq. 58-59, Instituti i Kosovës për Integrime Evro-Atlantike, 2001
  2. ^ Bartl P., Albanien: Vom Mittelalter bis zur Gegenwart, Pustet, Regensburg, 1995
  3. ^ a b Berisha T., “Shënime dhe ecejake të një refugjati nga Kosova”, Londër 2001.
  4. ^ Tilman H.W., Amery J., Kemp P., Kujtime që nuk shlyhen: tre oficerë anglezë të zbulimit gjatë luftës në Shqipëri dhe në Kosovë fq. 134, Botimet Toena, 1997
  5. ^ Amery J., "Bijtë e shqipes" fq. 382-363, përkthye nga Filatun Vila më 1952, botuar nga shtëpia botuese "Lumo Skëndo" 2002
  6. ^ (Anglisht) Ihsan Bey Toptani, telegraph.co.uk, 18 qershor 2001
  7. ^ (Anglisht) Van der Beek A.,Ihsan Toptani - Albanian champion of his country's freedom, The Guardian, e mërkurrë 13 qershor 2001