Jump to content

Medreseja e Isa Beut

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Medreseja e Isa Beut është një shkollë e mesme islame e orientuar në përgatitjen arsimore profesionale dhe bën pjesë në rangun e shkollave të mesme fetare. Ajo ndodhet në Kondovë, në pjesën perëndimore të Shkupit.[1]

Medreseja “Isa Beu” vazhdon traditën e medresesë se dikurshme me të njëjtin emër, e themeluar në shekullin XV, me ardhjen e osmanllinjve në këto troje. Ajo mban emrin e themeluesit të saj Isa Beut, i cili ka qenë i biri i Is’hak Beut, serhat muhafizit ose mbrojtësit të njohur të Shkupit. Kjo medrese, në të kaluarën ka prezantuar institucionin më të lartë arsimor dhe njihej si shkollë më me famë në Rumeli. Nga Vakëfnameja e Isa Beut kuptojmë se ai përveç Medresesë ka themeluar bibliotekën dhe xhaminë që mbajnë edhe sot e kësaj dite emrin e tij. Xhamia e Isa Beut është ndërtuar në vitin 1475 dhe është njëra nga xhamitë më të bukura të Shkupit.

Medreseja që nga themelimi e deri më sot ka pushuar së punuari disa herë, për shkak se godina e Medresesë është shkatërruar nga luftërat dhe fatkeqësitë e tjera. Për herë të parë ka pushuar më 1689, kur gjenerali austriak, Pikolomini me ushtrinë e tij, e dogji Shkupin. Gërmadhat e mureve të godinës së saj, pas këtij shkatërrimi, u ruajtën deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore.

Me tërheqjen e osmanllinjve nga trojet tona, Medreseja e Isa Beut, me iniciativën e prijësve fetarë dhe intelektualëve të atëhershëm, më 1932 u rindërtua, kështu që në vitin 1936 u krijuan kushte për të filluar me punë të rregullt. Njëkohësisht u reformua edhe programi i saj dhe ajo fitoi statusin e shkollës së mesme. Pas Luftës së Dytë Botërore, ajo sërish pushoi një kohë të gjatë, deri në vitin 1979, kur Bashkësia Islame solli vendimin për rindërtimin e saj. Pas shumë peripecish objekti i ri u ndërtua në fshatin Kondovë dhe në vitin shkollor 1984/85 filloi procesi edukativo-arsimor.

Gjatë shkollimit katërvjeçar nxënësit dëgjojnë 30 lëndë, nga të cilat si gjuhë amtare mësohen maqedonishtja, shqipja dhe turqishtja; a arabishtja si gjuhë profesionale kurse anglishtja si gjuhë e huaj.

Që nga fillimi, në medrese punojnë mësimdhënës me përgatitje përkatëse profesionale. Shkollimi në Medrese është falas. Edhe përkundër ndërprerjes së punës gjatë historisë së saj Medreseja “Isa Beu” ka luajtur një rol të rëndësishëm në ngritjen e nivelit edukativo-arsimor e fetar të myslymanëve në këto troje, duke dhënë kontribut të çmueshëm për përgatitjen e kuadrove të ndryshme të cilët profesionalisht angazhohen në prezantimin dhe kultivimin e këtyre vlerave.

Pas vendimit të cilën e solli Mexhlisi Shura i BFI në RM, që kishte të bëj me shkollimin e rregullt të gjinisë femërore, pasuan aktivitetet për hapjen e Degës së femrave të medresesë së "Isa Beut", nga më 24.06.2004 u mbajë provimi i parë pranues për Degën e femrave, për vitin shkollorë 2004/2005. Ëndrra e kamotshme u realizua më 31. 08. 2004, ku u bë hapja solemne e degës së femrave të Medresesë së Isa Beut në Tetovë. Vërtetë ky ishte një sihariq për të cilin popullata myslimane prej kohësh e priste. Kjo paralele tani vazhdon me punë aktive, nga dhe vërehen edhe frytet e para që dalin nga aktivitetet e nxënëseve në sfera të ndryshme edukativo kulturore.

Gjinia femerore gjithnjë e më tepër po shfaqin interesim për të mësuar e studjuar shkencat islame, andaj, BFI ishte e detyruar të ndërmarr gjithçka për t'ua realizuar të drejtën e shkollimit fetar, për këtë qëllim është në ndërtim e sipër godina e re e Paraleles në fjalë në Tetovë që do të ket kapacitet nga 250-300 nxënëse, kurse më 29.07.2008 u bë hapja solemne e godines së Paralels së shtrirë të Medresesë Isa Beu për vajza në Gostivar me kapacitet prej 120-180 nxënëse. Kurse në Shkup aktualisht në Paralelen e shtrirë të Medresesë Isa Beu per vajza, po e ndjekin mësimin mbi 80 nxënëse. Lokali i kësaj paralele është i huazuar dhe së shpejti BFI do të vendos gurthemelin e godinës së re me kapacitet deri në 300 nxënëse.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Al-Faruqi, Ismail Raji (1998). Islam and Other Faiths (në anglisht). Shkup: IIIT. ISBN 978-0-86037-276-9. Marrë më 27 maj 2020.