Shkolla Normale Darulmualimin e Shkupit
Shkolla Normale Dar-ul Mualiminë e Shkupit (turqisht: Darulmualimin - "shtëpia e mësuesve") ka qenë një institucion arsimor dhe edukativ që ka funksionuar në Shkup, në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Mision primar i saj ka qenë përgatitja profesionale e mësimdhënësve.
Historiku
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shkolla e parë normale Darulmualimin në Perandorinë Osmane është themeluar më 16 mars të vitit 1848 në Stamboll ndërsa në vitin 1872 në gjithë territorin e Perandorisë Osmane vepronin 200 shkolla normale darulmualimin.
Objektin e Shkollës Normale Darulmualimin në Shkup e kishte ndërtuar Hafiz Mehmet Pasha në vitet 20 të shekullit XIX. Fillimisht kishte funksionuar si një shkollë osmane e tipit Idadije e pastaj Gjimnaz ndërsa me kalimin e kohës riorganizohet si shkollë normale. Në Darulmualimin mësoheshin këto lëndë mësimore: pedagogjia, psikologjia, gjuhët orientale, frëngjishtja, gjimnastika, punëdore dhe këngë (muzikë). Mësimet në këtë institucion arsimor janë zhvilluar në gjuhën osmane. Vetëm në vitin 1910, në Shkollën Normale Darulmualimin të Shkupit si lëndë mësimore futet edhe gjuha shqipe. Po nga ky vit shkolla nxjerr edhe revistën e saj pedagogjike "Shkolla e Re" (Jeni Mekteb). Shkolla kishte edhe konviktin për nxënësit nga viset e largëta. Konvikti mbikëqyrej nga personeli i shkollës. Si mësimdhënës të kësaj shkolle kanë qenë: Ahmet Gashi, Salih Gjuka, Niman Ferizi, Sabri Xhemili, Mehmet Shekibi, etj. Nga dyert e kësaj shkolle dolën edhe emra të shquar mes të cilëve dallohen: Ibrahim Fehmiu, Ibrahim Kolçi, Sali Morina, Qazim Bakalli, Murat Gjakova, Isuf Puka, Avni Zajmi, Jonuz Blakçori, Sadi Pejani, Munush Shala, Ferid Imami, Sylejman Shala, etj.[1][2][3]