Jump to content

Idriz Gjilani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Mulla Idriz Gjilani)
Mulla Idriz Gjilani

Mullà Idriz Gjilani (Velekincë, 4 qershor 1901 - 25 ose 26 nëntor 1949) ka qenë ulema dhe patriot shqiptar i Kosovës. Cilësohet një ndër tre shqiptarët në mesin e 100 personaliteteve botërore muslimane në enciklopedinë "100 great Muslim leaders of 20 century" përgatitur nga 40 akademikë muslimanë dhe botuar në Nju Delhi më 2005.[1]

Më 11 qershor 2012, me rastin e Ditës së Lirimit të Republikës së Kosovës, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dekoroi pas vdekjes Mulla Idriz Gjilanin për kontributin e lartë për liri të Kosovës me dekoratën "Urdhri i Lirisë".[2] Më 20 janar 2015 u nderua edhe me dekoratën "Nderi i Kombit" nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani me rastin e 70 vjetorit të Masakrës së Gjilanit.[3]

U lind në Velekincëkazanë e Gjilanit në kohën e Perandorisë Osmane, i biri i Hajrullah Hasanit i vëllazërisë Kurteshi dhe i Sale Smakajt nga Cërnica. Mësimet e para i mori në mejtepin e Mulla Halim Cernicës, pasi i kreu më 1911 vijoi studimet në Ruzhdijen e Gjilanit për punë administrative. Lufta Ballkanike ia pengoi shkollimin dhe më pas nuk mundi të ndiqte më shkollimin e mëparshëm sepse shkolla u mbyll. Vijoi shkollimin e tij në medresen Atik në Gjilan. Pas shërbimit ushtarak në vitet 1924-'25, u diplomua më 1926 me Ixhezetnamé duke u bërë imam dhe marrë titullin mullà.[4] Ishte në kontakt me Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe përkrahte partinë Xhemijeti të Ferhat bej Dragës, ku ndihu në mosdëbimin e popullsisë shqiptare në Mbretërinë Jugosllave.[5] Kreu detyrën e imamit në xhaminë e Pidiçit në Karadak në vitet 1927-'32 dhe më pas në Hogosht të Moravës së Poshtme deri më 1938 kur shkoi në detyrën e anëtarit i Mexhlis Ulemasë në Shkup, që e administronte jetën fetaro-arsimore të viseve shqiptare nën administrimin shtetëror të Jugosllavisë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, si i pari i besimtarëve të fesë islame në Nënprefekturën e Gjilanit, Myfti dhe Nënmyfti, e si imam ushtarak i Regjimentit IV të Ushtrisë së Mbretnisë Shqiptare, në Prishtinë.[4] Drejtoi forca paraushtarake nën flamurin e Mbretnisë Shqiptare duke luftuar për Shqipërinë etnike kundër jugosllavëve dhe bullgarëve deri në vjeshtën e 1944. Më pas jetoi i fshehur,[6] deri kur natën e 25-26 nëntorit 1949 Mulla Idrizi u dogj i gjallë nga serbët.[4]

  1. ^ Terziu, Lavdrim (10 shkurt 2014). "Tre shqiptarë ndër 100 myslimanët më të famshëm të shekullit XX". orientalizmi.wordpress.com.
  2. ^ "Jahjaga dekoroi 30 personalitete vendore e ndërkombëtare". kosovaonline.info. 11 qershor 2012. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 2 dhjetor 2018.
  3. ^ "Nishani honors personalities on 70th anniversary of Gjilan massacre". arkiva.ata.gov.al (në anglisht). 22 janar 2015. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 2 dhjetor 2018.
  4. ^ a b c Pirraku, Muhamet (2 dhjetor 2012). "Mulla Idriz Gjilani, figurë madhore e kombit". kumti.com.
  5. ^ Bunjaku, Nebih (9 shkurt 2008). "Mulla Idriz Gjilani". skenderjashariblog.wordpress.com.
  6. ^ Elsie, Robert (2013). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). Londër: I.B.Tauris. fq. 172. ISBN 9781780764313.
  • Mohammad Manzoor Alam (2005). 100 great Muslim leaders of the 20th century (në anglisht). New Delhi: Institute of Objective Studies. fq. 411. ISBN 9788185220062.