Ndikimi i njeriut mbi floren dhe faunen

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Rreziku vjen nga dora e njeriut dhe mungesa e ndërgjegjësimit. Mungesa e rezervateve për mbrojtjen e gjitarëve në Shqipëri, një vend i pasur në florë dhe faunë, ende pak i njohur për shumëllojshmërinë dhe veçantitë që ofron, konsiderohet si një ndër strehat e vetme në Europë të gjitarëve të mëdhenj, të zhdukur në pjesën më të madhe të Europës, mund të çojë në zhdukjen e tyre. Zhvillimi ekonomik përgjatë viteve, mungesa e gjatë e vëmendjes, faktorët klimatikë, por edhe presioni human, konsiderohen "armiqtë" kryesorë në zhdukjen dhe minimizimin e shumëllojshmërisë në florë dhe faunë. Dikur në qytete kishte më shumë shpendë, ndërsa në zonat malore krahas dhive të egra dhe kapronjve, kishte shumë shpendë të egër si shqiponja, huta, skifteri. Sot ato janë më të paktë në numër, ndërsa rreziku për zhdukjen e tyre është evident. Shqipëria njihej si vendi i koranëve, peshk i rrallë që rritet në liqenin e Ohrit (Pogradec), por sot ky lloj peshku është drejt zhdukjes. Në vendin tonë në të 28 mijë metra katrorë të sipërfaqes gjenden afro 84 lloje gjitarësh, 320 lloje shpendësh, 37 lloje reptilësh, 15 lloje amfibësh, 313 lloje peshqish (4 prej të cilëve endemike) dhe 3850 lloje insektesh (900 prej të cilëve flutura). Gjitarë të mëdhenj të rrallë si ariu, ujku, rrëqebulli, që janë zhdukur në pjesën më të mëdha të Europës, sot gjenden në Shqipëri. Por ambjentalistët shpesh ngrenë pyetjen "Edhe sa kohë do të mund të mburremi me ekzistencën e tyre?". Është ky një paralajmërim që shtrohet në kohën e duhur për të ndërgjegjësuar gjithkënd, që nesër askush të mos përdorë shprehjen: "Na ishte nji herë një vend, në malet e të cilit mund të gjeje gjitarë të rrallë, apo ku strehoheshin edhe shpendët migratorë, veçanërisht dimëronjës të ujit".

Faktorët shkatërrues[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kushtet klimatike dhe aktiviteti njerëzor, si kudo në botë, janë shkatërrimtarët kryesorë të faunës dhe florës. Por, kjo merr peshë më të madhe, kur baza e mirë ligjore dhe politikat shtetërore në vend për mbrojtjen e specieve të rralla dhe mjedisit, nuk gjejnë zbatimin e duhur. Ndotja e ujërave, përdorimi intensiv i burimeve natyrore si përdorimi i tokës, zënia e saj me ndërtime, përdorimi i bimëve mjekësore aromatike, shfrytëzimi pa kriter i pyjeve, gjuetia dhe peshkimi i papërgjegjshëm, mbeten faktorë evidentë për shkatërrimin e një pasurie, që duhet të na bënte krenarë. Ndikim negativ kanë zjarret në pyje dhe përmbytjet, ngricat dhe thatësirat e tejzgjatura. Pavarësisht nga premtimi global për të zvogëluar shkallën e humbjes së biodiversitetit në mënyrë të konsiderueshme dhe një angazhim evropian për të ndalur atë plotësisht, tkurrja vazhdon. Europa Jugore, përfshi Shqipërinë, ka përjetuar kushte të motit të thatë, me një rënie prej 20% në krahasim me mesataren e shek. XX, e nga ana tjetër ngjarje ekstreme me reshje, e si pasojë përmbytje. Alarmi i dhënë herë pas here nga ambientalistët duket se nuk mjafton, por kërkohet më tepër zbatueshmëri e planeve dhe projekte konkrete.

Studimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Prof. Dr. Qamil Haxhiu ka rreth 10 vite që hulumton faunën shqiptare dhe bashkë me ambjentalistë të tjerë kryen studime intensive bioekologjike për një popullatë breshkash detare në gjirin e Rodonit. Breshkat Detare përfaqësohen me numër të madh individësh nga lloji Caretta caretta, si dhe nga shumë pak individë të llojit Chelonia mydas, që janë markuar (targuar) sipas një programi të veçantë për Shqipërinë. Prania e breshkës detare në Shqipëri, sidomos e llojit C. caretta, përbën një rast me vlera të rëndësishme shkencore për shtegtimin e gjatë të këtij individi. Vitet e fundit shtegtimi i breshkave nga vendet e tjera në brigjet e vendit tonë ka ardhur në rritje, që lidhet me kushtet klimaterike. "Prania shumë e madhe e gaforreve të llojit Carcinus mediterraneus dhe i kandilave të detit, Risostoma pulmo duhet të jetë e lidhur me prishjen e ekulibrave natyrorë në Gjirin e Rodonit, gjë e cila ka të bëjë me ngarkesën (ndotjen) e madhe organike që ka kjo zonë, e shkaktuar nga prurjet, sidomos të lumit Ishëm", thonë ambjentalistët. Por, për mbrojtjen e kësaj specie të rrallë është i domosdoshëm edukimi i njerëzve, sidomos peshkatarëve, të cilët jo pak herë i dëmtojnë ato. Po kështu, ndodh me koranin, peshkun karakteristik të Liqenit të Ohrit, mjaft i rëndësishëm nga pikëpamja ekonomike. Korani është peshku i ujrave shumë të pastra dhe ky është kushti kryesot për mirërritjen e tij. Por, peshkimi pa kriter gjatë viteve, faktor negativ në prishjen e ekuilibrave natyrorë në Liqen, po çon drejt zhdukjes së këtij specie e rrallë endemike në rajon. Korani peshkohet edhe në kohën e shumimit të tij, që është katastrofale. Pas vitit 1992, në liqen nisën të peshkojnë me qindra peshkatarë në Pogradec, Hudënisht dhe në Lin, në mjaft raste pa liçencë e pa asnjë kriter. Në muajin dhjetor 2009 Inspektorati i Peshkimit ndaloi peshkimin gjatë periudhës së shumimit në liqenin e Ohrit (dhjetor-mars), duke sekuestruar mjetet te peshkimit dhe rrjetat e peshkatarëve. Ndërkaq për mbrojtjen dhe ruajtjen e ekosistemit të biodiversitetit të Liqenit te Ohrit po zbatohet një projekt prej dy milionë dollarësh financuar nga Banka Botërore.

Shpendët[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Karabullaku i Vogël, një shpend i vogël, është lloj strikt i mbrojtur në Shqipëri që i përket kategorisë së llojeve tepër të rrezikuar, sipas Librit të Kuq Shqiptar (2007), përveçse një lloj globalisht i kërcënuar dhe i listuar në disa konventa ndërkombëtare, si një lloj i një rëndësie të veçantë, i cili gjendet në ligatinat shqiptare gjatë gjithë vitit, ndërsa numri më i madh vërehet në dimër me 900-3000 individë. Shqetësimi nga njeriu gjatë periudhës së folezimit është ndër faktorët kryesorë kufizues të pranisë së karabullakut të vogël folezues në Shqipëri. Kolonitë që gjendeshin në të kaluarën në Shqipëri janë zhvendosur në vendet fqinje. Sot karabullakët e vegjël, që shihen gjatë folezimit, bëjnë pjesë më tepër tek individët që përdorin territorin shqiptar si vend ushqimi. Ndërsa folezuesit janë zhvendosur në Malin e Zi (Liqeni i Shkodrës ose lumi i Bunës), ose në Greqi në Liqenin e Prespës së Vogël. Sipas një raporti në vitin 1998, kjo specie nuk folezon më në Shqipëri, ndërsa kërkimet e fundit në vitin 2004 tregojnë se llojet mund të folezojnë akoma në liqenin e Shkodrës me rreth 25 çifte folezues. Kolonitë e mëparshme ishin brenda zonave të mbrojtura si në rezervatin e Velipojës dhe Kune-Vain. Sot karabullakët e vegjël, që shihen gjatë folezimit, bëjnë pjesë më tepër tek individët që përdorin territorin shqiptar si vend ushqimi. Kompleksi Divjakë-Karavasta në Ultësirën Perëndimore të vendit vazhdon të jetë një nga zonat më të rëndësishme për shpendët e ujit, ndonëse pjesa më e madhe e tij është objekt i ndërhyrjeve negative nga aktiviteti i njeriut.

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]