Shko te përmbajtja

Osman Myderizi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Ridrejtuar nga Osman Myderrizi)

Osman Myderizi (Tiranë, 14 mars 1891 - 20 dhjetor 1973) ka qenë arsimtar, gjuhëtar dhe orientalist shqiptar. Ka kontribuar në fushën e studimeve të gjuhës shqipe, bashkëhartues i Fjalorit të gjuhës shqipe (1954), si dhe hulumtues i letërsisë së bejtexhinjve.[1] Është hartuesi i pjesës historike të monografisë Tirana 1604-1937 botuar më 1937 nga bashkia e kryeqytetit, e para monografi për temën në fjalë.[2]

U lind në Tiranë, i biri i Sali Myderizit, në një familje hoxhallarësh. Pas shkollimit në vendlindje dhe ryzhdijen në Shkodër, shkollimin e lartë e ndoqi në Stamboll. Pasi u kthye në Shqipëri më 1913, çeli një shkollë shqipe në Ndroq. Më 1917 bashkëthemeloi shoqërinë Dituria që ishte aktive në jetën politike të kohës. Gushtin e 1920 nisi botimin e të përdyjavshmes jetëshkurtër "Zani i ri".

Më 21 prill 1921 Myderizi u bë pjesë e të parit parlament shqiptar dhe përfaqësoi Tiranën në Asamblenë Kushtetuese më 1924. Me Triumfin e Legalitetit dhjetorin e 1924, shkoi në mërgim, si shumë mbështetës të tjerë të Lëvizjes së Nolit.[3] Me dekretin e 1925 për çeljen e liceut të Tiranës, shkolla u vendos në shtëpinë Myderizëve.[4]

Përfitoi nga amnistitë e mëpasme për t'u kthyer, dhe u punësua mësues në Berat (1929-1934). Më 1940, gjatë pushtimit italian, u internua në Arezzo të Toskanës, dhe u kthye në Shqipëri vetëm pas kapitullimit italian më 1943.

Prej 1947 e deri kur doli në pension më 1966, ka qenë studjues aktiv në Institutin e Shkencave dhe më pas në Institutin e Gjuhësisë dhe Historisë në Tiranë.[3]

Myderizi është autor i një gramatike shkollore në standardin e para 1972, Gramatika e ré e shqipes (Tiranë, 1944), bashkëpunoi në hartimin e Fjalorit të gjuhës shqipe (Tiranë, 1954).

Emri i tij ama lidhet në mënyrë parësore me punimet e tij mbi letërsinë e hershme shqipe me alfabet arab. Në këtë lëmi, ai zbuloi dhe shpëtoi dorëshkrimet e shumë poetëve të hershëm myslymanë, dorëshkrime të cilët i tejshkroi, studjoi dhe i bëri të njohur. Puna e tij ka qenë veçanërisht delikate duke qenë se u zhvillua në gjatë fushatës së hovshme të regjimit komunist për shtypjen dhe zhdukjen e fesë, kur shumë libra dhe dorëshkrime të vjetër u lanë të kalbeshin kishave dhe xhamive para se këto të shembeshin. Po të mos ishte për kontributin e Myderizit, e gjithë tradita e letërsisë shqipe me alfabet arab do të ishte humbur.

Studimet e tij u botuan në një gjerdan artikujsh në vitet 1950' dhe 1960' që i çelën rrugën studimeve orientalistike në Shqipëri.[3]

  1. Balcı, Mustafa; Dibra, Fatos (2020). "Arnavutluk'ta Türkoloji". academia.edu (në turqisht). fq. 81.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. Gjinaj, Maksim; Elmazi, Myrvete; Mele, Margarita (2010). Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare (PDF). Tiranë: Biblioteka Kombëtare, Sektori i Bibliografisë Kombëtare. fq. 64. ISBN 9992773189. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 2 shtator 2021. Marrë më 8 nëntor 2021.
  3. 1 2 3 Elsie, Robert (2013). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). I.B. Tauris në bashkëpunim me Qendrën për Studime Shqiptare. fq. 323–324. ISBN 9781780764313.
  4. Abazi, Enika (10 maj 2021). "Osman Myderrizi, një jetë mes njerëzve të mençëm". liberale.al.