Palok Traboini

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Palok Traboini

Palok Traboini ka lindur në prill të vitit 1888TrabojinHotit, në trojet që ndodhen në shtetin e Malit të Zi, në një familje që i takon fisit Gojçaj.

Jeta[redakto | redakto tekstin burimor]

Ka mbetur jetim në moshë të vogël dhe e ëma Nora, gjendur në varfëri, deshi ta çonte në Shkrel tek gjinia e vet, por vojvoda i Traboinit Dedë Gjo Luli, që kishte mendimin për të shkolluar një njeri nga Hoti, ku të gjithë ishin analfabetë veç priftit, ndërmjetëson dhe e dërgon në Shkodër, në Shkollën Tregtare Italiane, e ku ky vogëlush hotjan do të jetonte në shtëpinë e profesorit zemërmirë Andrea Skanjeti (i vjetri), italian ky i martuar me një vajzë shqiptare, atë bukuri qytetare shkodrane që tashmë të gjithë e njohin si Xhokonda shqiptare, Motra Tone e Kolë Arsen Idromenos.

Me të mbaruar shkollën në vitin 1908, në pamundësi për të vazhduar studimet e larta për gjuhësi, siç aspironte, kish arritur të mësonte pesë gjuhë, me ndërmjetësimin e Kolë Idromenos emrohet mësues në shkollën e fretënve. Po këtë vit martohet me vajzën e profesorit të vet, Katrinën, çfarë e afroi familjarisht me rrethin e elitës aristokrate shkodrane, bartëse e kulturës dhe traditave që prej kohës së venecianëve, se Shkodra dihet, ishte një Venecia e vogël, madje e ngjashme edhe nga rrethimi me ujra; tre lumej e një liqen përreth qytetit që frymëmerrte prej daljes përmes Bunës në det, duke u bërë qendra tregtare ndër më të njohurat në Ballkan.

Shërbeu si mësues në Prizren në vitet 1910-1911 dhe u gjend në mes të luftëtarëve në Hot kur nisi kryengritja e Malësisë së Madhe më 24 mars 1911.

Dedë Gjo Luli, të cilit i shërbente si sekretar (sipas shkrimeve të Gjush Sheldisë që mbajnë vitin 1959), duke qënë se ishte i vetmi hotjan i shkolluar, njohës i shumë gjuhëve dhe i pari mësues i Malësisë së Madhe, e ngarkon me detyrë të sjellë flamurin kombëtar të porositur muaj më parë nga Kolë Ded Gjo Luli gjatë një vizite që kishte bërë në kancelaritë e oborrit perandorak në Vjenë. Por, disa hotjanë të moshuar, luftëtarë të kryengritjes antiosmane, thonin se flamuri ishte porositur në një punëtori artistike të kryeqytetit perandorak me përkujdesjen e pretendentit si pasardhës i heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti - Skënderbeut. Ky pretendent për kurorë në Shqipëri që mbante një emër të gjatë aristokratik Juan Alardo Castriota de Perez y Valesco, më herët kishte patur lidhje me Faik Konicën, por më pas shkrimtari ynë e kishte satirizuar thekshëm. Kundërshtar i regjimit vijues, zogist, u pushue nga puna. Vdiq më 1951.

Dedë Gjo Luli me të birin, Kolën[redakto | redakto tekstin burimor]

Lufta e Maleve - Palok Traboini

Flamuri që solli Palok Traboini është pikërisht ai që njihet si “Flamuri i Dedë Gjo Lulit“ dhe është fiksuar në fotografi nga Kel Marubi me shënimin “Flamuri që u ngrit në Deçiq”. Ai flamur është shpalosur së pari tek Kisha e Traboinit në Hot, dhe luftëtarët …’e ngritën disa herë në Majën e Bratilës, duke i paraprirë kështu shpalljes së pavarësisë e ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar në Vlorë me 1912”.(sipas Prof.dr. Gjovalin Shkurtaj, 2002). Ish mik e bashkëluftëtarë me poetin Hilë Mosi, tribunin Luigj Gurakuqi, shkrimtarin e botuesin e shquar Dom Ndoc Nikaj, me luftëtarë si Prel Keri e Ndoc Deda, i afërt shpirtnisht e familjarisht me Kolë Idromenon, inxhinjerin Zef Skanjeti e Jak Zorbën, koleg me mësuesit Mati Logoreci, Lazër Lymezi, Kolë Kodheli, Kolë Rrota, Ndoc Lezhja, Lukë Lukaj, Kolë Laca, Pjetër Pali (mësues ekzekutuar nga diktatura menjëherë pas luftës së dytë botërore) e tjerë.

Ka qënë një prej bashkëpunëtorëve të gazetës “Koha - Bashkimi“, Shkodër 1910, ku gjenden koleksionet e shkrimeve, të cilat bashkë me poemën epike Lufta e Maleve - Palok Traboini, 1911 për kryengritjen e vitit 1911, përbën krijimtarinë e tij të zbuluar deri më tash, si autor i para pavarësisë.

Është propozuar për t’u dekoruar pas vdekjes nga veteranët kombëtarë të Hotit të Ri, në vitin 1962, si luftëtar për pavarësi, por edhe si i pari mësues i Malësisë së Madhe, por Kuvendi Popullor i atëhershëm e ka lënë në harrim, ashtu siç vazhdojnë ta lënë në harrim edhe sot e kësaj dite shtetarët mentarë të kohërave të reja, edhe pse demokracia shumë gjëra i ka rishikuar për të shmangur denigrimet e qëllimshme historike. Shpirti, idetë e atdhedashuria e zjarrtë i kanë mbetur derdhur në esè e vargje, ndërsa trupi i luftëtarit që kish marrë edhe plagë, më 14 korrik 1951 shkoi të pushojë në Rrmaj, në varrezën katolike të Shkodrës, ku tashmë ndodhet bashkë me të shoqen Katrina Skanjeti-Traboini, ajo grua trupvogël, e zgjuar, e kulturuar, ajo besimtare e devotshme; tezja e Arqipeshkvit të Kishës Katolike Shqiptare Dom Ernest Çoba, i vdekur në burgjet e diktaturës, si dhe e poetit të mirënjohur shkodran Bep Zorba.

Kujtimeve të botuara apo të lëna në doreshkrim të luftëtarit kryengritës Martin Ujk Çeku-Traboini, regjisorit të mirënjohur Andrea Skanjeti, që ruajti dhe dorëzoi të birit te PT kopjen e vetme të poemës së humbur “Lufta e maleve” të vitit 1911 të Palok Traboinit, në numurat e gazetës “Koha-Bashkimi”, Shkodër, të vitit 1910 dhe revista “Hylli i Dritës” 1937, nga ish-nxënësit miqtë e tij në të gjallë si Pjetër Hil Pali, Gjergj Gjok Shabani, Palok Prel Vuçetaj, Kolë Duku dhe Preng Gruda. Për jetën e veprën atdhetare të Palok Traboinin gjen të shkruar në librat dhe studimet e Petraq Pepos, At Donat Kurtit, Prof. doktor Hamit Boriçi, shkrimtari e studiuesit Fran Camaj, Prof.dr. Gjovalin Shkurtaj, Prof.dr. Gazmend Shpuza, editorit të gazetës “Illyria” dhe "Dielli" në Nju Jork, Dalip Greca, historiani Gjergj Nikprelaj në Tuz, Gjokë Lulit në Kastrat.

Në këtë fotokopërtinë libri është botuar fotografia e Marubit "Krerët e Malësisë" ku duken pranë e pranë prijësi kryengritës Ded Gjo Luli dhe Deli Meta, bajraktari i Hotit, pas Deli Metes është Palok Traboini. Shënim: Shkrimi është parathënia e librit "Lufta e Maleve - Palok Traboini" nga autori Kolec Traboini.

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]