Qendra për Informim e Kosovës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Qendra për Informim e Lidhjes Demokratike të Kosovës më vonë Qendra për Informim e Kosovës apo QIK ishte qendër informuese në Kosovën e viteve '90 një nga organzet e pakta të informimit.

Nisi punën më 23 dhjetor 1989. Qendra për Informim e Lidhjes Demokratike e Kosovës enë vitin 1990 ndërroi emrin dhe u quajt Qendra për Informim e Kosovës (QIK).

Ibrahim Berisha dhe Mehmet Kraja, në lokalet e Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, vetëm gjysmë ore pas përfundimit të Kuvendit, shkruajtën lajmin për themelimin e Lidhja Demokratike e Kosovës. Disa javë vazhduan të punojnë vetëm Mehmet Kraja dhe Ibrahim Berisha. Pastaj duke u bartur të gjitha punët e informimit, të marrëdhënieve me publikun dhe të atyre diplomatike në Qendër, numri i gazetarëve dhe përkthyesve nga anglishtja u shtua: Xhemail Mustafa, Lindita Aliu, Muhamet Hamiti, Avni Spahiu, Hilmi Zogjani, Ibrahim Gashi, Skënder Hyseni, Bajram Mjeku, Enver Maloku etj..

Ibrahim Berisha u vu në krye të QIK-ut dhe qëndroi deri në vitin 1993.

Qendra për Informim, përmes Komisioneve për Informim të LDK-së, krijoi një rrjet prej 4,800 bashkëpunëtorëve (gazetarë, profesorë, studentë, veprimtarë), të cilët mbulonin terrenin në gjithë Kosovën, për gjithë çfarë lidhej me shqiptarët dhe Kosovën. Lajmet, raportet, fjalimet, korrespondencat, dokumentat, publikimet e Qendrës për Informim (nga korriku 1991 vetëm QIK) shpërndaheshin në Evropë, Amerikë dhe Australi, përmes qendrave të informimit në këto kontinente.