Jump to content

Rexhep Hoti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Rexhep Hoti u lind në Krushë të Madhe më 12 janar 1964. Ka mbaruar studimet në Universitetin e Kosovës për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, ndërsa magjistraturën në shkencat filologjike po në këtë universitet, me temën «Kombi dhe shteti në krijimtarinë e Kadaresë».

Hoti ka një biografi të pasur me angazhimet e tij në fushën e medieve, të studimeve, të artit dhe të publicistikës. Si student ka nxjerrë gazetën e parë universitare të shtypur, me titull «Fundamenti» në Fakultetin e SHMN-së në Prishtinë.

Në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, me Ukshin Hotin udhëtojnë në Lubjanë, ku fillimisht ishte lektor i revistës së njohur «Alternativa», e më pas edhe bashkëthemelues me Ukshin Hotin i revistës «Demokracia Autentike».

Hoti ka themeluar edhe gazetën e përditshme «Infopress», të përditshmen «Tribuna shqiptare», të përditshmen «Sport», revistën «IPmagazinë» etj. Ka qenë këshilltar politik i kryeministrit Bajram Rexhepi, ka hapur zyrën e parë të Qeverisë së Kosovës në UNMIK dhe ishte njëri prej hartuesve të dokumentit «Standardet për Kosovën», hartues i dokumentit «Strategjia e Bashkëpunimit Qeveri-UNMIK», Koordinator i Zyrës Ndërlidhëse Qeveri-UNMIK, deputet i Kuvendit të Kosovës, Drejtor i Akademisë Diplomatike Shqiptare, Zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ka ushtruar edhe funksione të tjera të larta politike dhe institucionale.

Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Jeton në Prishtinë.

Hoti është autor i disa librave, i shumë punimeve shkencore si dhe pjesëmarrës në shumë seminare dhe konferenca ndërkombëtare. Librat e tij më të njohur janë:

  1. Visore të shthurura, Poezi
  2. Nata e Kosovës, Roman
  3. Tempulli i fjalës, Roman
  4. Kosova përballë vetvetes, Roman
  5. Pesha e konsensusit, Roman
  6. Përzierje e trishtë, Poezi
  7. Gjenitë dhe drama e Kosovës, Roman
  8. Flirti civil dhe ambasadori, Roman
  9. Ndëshkimi i kujtimeve, Poezi
  10. Monologu i Prijësit, Monolog
  11. Vitet e fshehura, Poezi


Të tjerët për Hotin

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mbi krijimtarinë letrare të Rexhep Hotit kanë shkruar figurat kryesore të letërsisë shqiptare nga Ismail Kadare e deri te Rexhep Qosja, Diana Culi, Mimoza Ahmeti, Lisen Bashkurti, Brikena Ismajli, Anton Panchev etj. Romanet dhe poezitë e tij janë përkthyer në gjuhën bullgare, angleze, turke etj.

I madhi Ismail Kadare në vitin 1999 për Rexhep Hotin shkruante: "Romani „Nata e Kosovës” i shkrimtarit të ri Rexhep Hoti është një nga shenjat e sigurta se në këtë kohë trandjesh letërsia shqipe në Kosovë po rigjen vetveten. I shkruar me dendësi e dramacitet, ky roman me frymëmarrje të gjerë ndjek fillin më të mirë të letrave shqipe, ballkanase e evropiane njëkohësisht. Ai shpalos përpara lexuesit një Kosovë të zymtë në prag të krimit më të madh që mund t’i sulet një populli: masakrës dhe deportimit. Ndonëse libri është shkruar përpara aktit të fundit të dramës, ai jo vetëm e parandjen, por e paralajmëron fare qartë tragjedinë. Aktorët e dramës janë të gjithë aty: ata që e përgatitën zezonën e ata që do ta pësojnë, ata që do të vrasin e ata që do të vriten, së fundi, ata që historia do t’i dënojë e do t’i heqë rrëshqanthi nëpër baltë, gjak e turp, e ata që, pas kalvarit, do të rikthehen prapë në Kosovë, në tokën e tyre, për të qenë aty në jetë të jetëve.... Duke u ndarë nga një natë e zezë tmerri, shqiptarët nuk duhet të harrojnë në jetë të jetëve atë që u ndodhi. Jo për të rënë në kurthin e urrejtjes shterpë, por për të çmuar e për ta mbrojtur më mirë jetën e tyre. Ky roman, me titullin domethënës „Nata e Kosovës”, është një ndër librat që synon drejt së ardhmes, drejt dritës".[1]

Për librin e tij, “Visore të shthurura”, në shkurt të vitit 1997, ndër të tjerash Prof. Dr. Rexhep Qosja shkruan: “Përmbledhje fillestare poetike nuk mund ta quajmë, në radhë të parë, për shkak se me mprehtësinë e mendimit të zhvilluar në vjersha, me ngjyresat e shumta të ndjenjave të shprehura dhe me cilësinë e gjuhës poetike, të pasur e të stisur, ajo është vepër e poetit të pjekur dhe të dhuruar me dhuntinë e rrallë krijuese, i cili e ka qëndrimin e vet të ndërtuar ndaj botës dhe jetës; i cili e ka mendimin e vet origjinal për njerëzit, ngjarjet, dukuritë për të cilat shkruan; i cili e ka shprehjen e vet karakteristike për çkado që shkruan. Ajo, gjithsesi, është përmbledhje e poetit më përvojë jetësore dhe me përvojë krijuese, i cili adhurimet dhe lavdërimet që rëndom karakterizojnë poezinë rinore i ka zëvendësuar me përsiatje të thelluara pjekurie; i cili përgjërimet atdhetare i ka zëvendësuar me atdhetarizëm krijues; i cili figurën e njohur, të stërpërdorur, e ka zëvendësuar me figurë të papritur, në shikim të parë të larguar tepër prej sendit a dukurisë së emërtuar, por që ruan lidhje të thelluara kuptimore dhe ndjenjore me to.... Përmbledhja Visore të shthurura duhet të lexohet: të lexohet pikërisht për t’u ndjerë dhe për t’u përsiatur ironia e tij. Uroj që përmbledhja Visore të shthurura të ketë sa më shumë lexues. Uroj që autori i saj, Rexhep Hoti, shqetësimet mendore dhe ndjenjore të vazhdojë t’i shprehë në vepra të reja poetike. Dhe, uroj, më në fund, që të vazhdojë ta kultivojë ironinë - këtë përbërës të pashmangshëm të artit të vërtetë letrar, që më dukshëm se çdo mjet tjetër artistiko-letrar njeriun e vetëdijëson, kurse letërsinë e modernizon”.". [2]

Ambasadori Lisen Bashkurti, për librin e Hotit në parathënien e tij thotë: “Libri që po merrni në duar nga Rexhep Hoti, “Flirti civil dhe ambasadori” është i një zhanri relativisht të vështirë për t’u shkruar dhe lexuar për mjaft lexues. Madje libra të stilit të tillë shkruhen rrallë në kohërat tona. Kjo, sepse libri është pleksje e heshtjes së mundimshme përballë të pathënave që ziejnë dhe zhuzhurimës së thashethemnajës  e poterave publike. Në faqet e këtij libri lexojmë analiza tejet të ftohta e racionale dhe përjetojmë çaste shumë njerëzore dhe emocionale. Ky libër përbën orvatje midis hulumtimeve të mirëfillta shkencore dhe hamendësimeve të mirëfillta shkencore dhe hamendësimeve prognozuese mjaft provokuese. Autori në këtë libër qëndron midis ftohtësisë faktologjike e kokëfortë  dhe subjektivizmit shumë intrigues. Ky libër është një arenë e parashikimeve tepër të hapura dhe e stilit të kamufluara, shpesh tejet metaforik. Autori, nëpërmjet këtij botimi, herë bën zbulimin lakuriq të të vërtetave dhe herë maskimin e tyre thuajse bizantin. Ky është libri i të vërtetave të vështira. Libri nuk jep gjëra rëndom të njohura, nuk jep gjera lehtësisht të gatshme dhe as nuk synon të shpjegojë në mënyrë përshkruese lëndën e tij. Libri është për një lexues që sheh prapa fakteve, të dhënave, definimeve, analogjive, aludimeve, metaforave dhe di të zbulojë të vërtetat sado të dhimbshme qofshin ato për këdo apo për shumëkënd. Si i tillë libri është provokues deri në dhimbje, kryesisht për njerëzit e politikës dhe intrigues deri në qortim, kryesisht për njerëzit e diplomacisë. Autori ma kujton Nolin në metaforën e tij biblike “Krishti me kamxhik”. Më duket se edhe Rexhep Hoti me këtë libër mund të quhet “intelektuali me piskamë”.[3]



[4].
  1. ^ Hoti, Rexhep (10/06/1999). "Nata e Kosovës". Nata e Kosovës. 1: 400 – nëpërmjet Rexhep Hoti, roman. {{cite journal}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!); Shiko vlerat e datave në: |date= (Ndihmë!)
  2. ^ Hoti, Rexhep (1997). "Visore të shthurura". World Literature Today. 1 (1): 124 – nëpërmjet Rexhep Hoti. {{cite journal}}: Mungon |author1= (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Hoti, Rexhep (2012). [Flirti civil dhe ambasadori "Flirti civil dhe ambasadori"]. 1 – nëpërmjet Flirti civil dhe ambasadori. {{cite journal}}: Burimi journal ka nevojë për |journal= (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!); Shiko vlerën e |url= (Ndihmë!)
  4. ^ http://www.kuvendikosoves.org/?cid=1,177,1750