Jump to content

Nexhmije Hoxha

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Shoqja Nexhmije)
Nexhmije Xhuglini–Hoxha
Zonja e Parë e Shqipërisë Socialiste
Të dhëna vetjake
U lind më8 shkurt 1921
Manastir, Mbretëria Jugosllave, (sot Maqedonia e Veriut)
Vdiq më26 shkurt 2020 (99 vjeç)
Tiranë, Shqipëri
NënshtetësiaShqiptare
Partia politike
Bashkëshortja/etEnver Hoxha
Fëmijët3
ArsimimiInstituti Femëror Pedagogjik "Nana Mbretneshë"
Universiteti i Tiranës
Nënshkrimi

Nexhmije Hoxha (8 shkurt 192126 shkurt 2020) ishte një politikane komuniste shqiptare, për shumë vite ishte bashkëshortja e Enver Hoxhës, udhëheqësit të parë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Sekretarit të Parë të Partisë së Punës së Shqipërisë. Shumë afër burrit të saj, ajo u përpoq të mbetej me ndikim politik pas vdekjes së tij në 1985. Ajo ishte një nga bashkëshortet e pakta të një udhëheqësi të Partisë Komuniste në pushtet me një profil të lartë politik të saj.

Nexhmije Xhuglini lindi në qytetin e Manastirit8 shkurt 1921, në atë kohë në Mbretërinë Jugosllave të Maqedonisë, e bija e Tefikut dhe Naxhijes. Prindërit e saj ishin nga Dibra. Në vitin 1928, familja e saj u shpërngul për t’u vendosur në Tiranë. Ndoqi me gjysmë burse dhe kreu Institutin Femëror Pedagogjik "Nana Mbretneshë" në kryeqytetin e shtetit shqiptar[1].

Më 10 nëntor 1941 figuron e regjistruar në Federatën Fashiste të Tiranës me nr. 637. Me dekretin ministror të datës 20 dhjetor 1941 të nënshkruar nga zëvendësisht ministri i Arsimit Dhimitër Berati, Xhuglini u emërua mësuese filloreje në Tiranë. Si mësuese u pezullua më 1 dhjetor 1942, ndërsa dekreti i pushimit nga puna doli më 27 mars 1944[2].

Pas çlirimit të vendit vazhdoi me korrespodencë studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi.

Ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, 22-23 nëntor të vitit 1941. Gjatë luftës mori pjesë si delegate në të gjitha konferencat kombëtare si atë të Pezës, Labinotit dhe Përmetit. Pas çlirimit të vendit, ajo kishte kryer funksione të larta partie dhe shoqërore. Në Kongresin e Parë të PKSH-së u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror. Për një kohë kishte qenë edhe presidente e Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë. Gjithashtu, ishte përfaqësuese e popullit në Kuvendin Popullor në të gjitha legjislaturat. Ka qenë drejtore e Drejtorisë së Propagandës, Arsim-Kulturës në KQ të PPSH-së. Nga viti 1966 e në vazhdim kreu detyrën e drejtorit të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së.

Ka kryer edhe veprimtari studimore dhe publicistike. Ka botuar edhe disa libra. Në vitin 1988 u zgjodh kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë. Është vlerësuar me 13 dekorata, si dhe Urdhrin “Hero i Punës Socialiste”.

Në janar të vitit 1992 u arrestua me akuzën e abuzimit të fondeve dhe u dënua me 9 vjet burg, të cilat u bënë 11 kur ajo apeloi në gradën e dytë të gjykimit.[3]

Me Enver Hoxhën u martua në 1 janar të vitit 1945. Ka tre fëmijë, 2 djem dhe një vajzë.

Pas zbulimit të shumë krimeve të komunizmit dhe kërkesave të vazhdueshme të opinionit publik me dekretin nr.1018, datë 13.2.1995 të Presidentit të Republikës, Sali Berisha, iu hoqën të gjitha dekoratat dhe titujt e nderit për aktin kriminal të gjenocidit të ushtruar ndaj popullit shqiptar gjatë viteve të diktaturës komuniste Nexhmije Hoxhës dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të regjimit komunist.[4]

  • Jeta ime me Enverin - 1998
  • Lufta jonë çlirimtare - 2011
  • "Kosova e lirë" - 2015
  • Përjetime dhe meditime në jetën time politike - 2020
  1. ^ Dervishi K., Si përfitoi Nexhmija nga tesera e Partisë Fashiste, intervistoi Afrim Imaj, Panorama, 30 nëntor 2016.
  2. ^ Dervishi K., Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së, Tiranë: 55, 2016. fq. 179-180. ISBN 978-9828-106-38-4
  3. ^ Neil J. Kritz (1995). Transitional Justice: How Emerging Democracies Reckon With Former Regimes : Country Studies (në anglisht). US Institute of Peace Press. fq. 728–. ISBN 978-1-878379-44-3. Marrë më 16 mars 2013.
  4. ^ "Sali Berisha ia hoqi dekoratat Enver Hoxhës dhe Nexhmijes që në 1995, por pse u mbajt sekret?". tesheshi.com. 12 maj 2018. Marrë më 20 mars 2018.