Jump to content

Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shqipëria ç'ka qenë, ç'është dhe ç'do të bëhet, në origjinal Shqipëria ç'ka qënë, ç'është e çdo të bëhetë?: mendime për shpëtimt të mëmëdheut nga reziket që e kane rethuarë, është një ese programatike me autor Sami Frashërin,[1] që u bë manifesti politik i Lëvizjes Kombëtare dhe e bëri autorin mendimtarin më të shquar të nacionalizmit shqiptar.[2] Vepra u botua në Bukuresht më 1899.

Në frymën e manifestit të shkruar nga Vaso pashë Shkodrani,[3] marsin e 1899 Samiu përfundoi punimin e vëllimit ku shtjellohen idetë e tij mbi çështjen shqiptare.[4][5] Libërthi qarkulloi në fshehtësi jashtë Perandorisë Osmane dhe u botua në Bukuresht pa emrin e tij.[5] Botues austro-hungarezë botuan disa nga veprat e tij me përmbajtje nacionaliste, përkthimi dhe shpërndarja e veprave në fjalë u financuan nga albanologët Ippen e Nopça.[6] Disa muaj pas vdekjes së autorit, më 17 nëntor 1904 autorësinë e veprës e zbuloi Shahin Kolonja.[7]

Si ndër botimet pararendëse, përsëriste pikat kyçe[8] duke e ndarë librin në tre pjesë, sipas titullit:[3] mëtimin se shqiptarët janë kombi më i vjetër i Europës, trajtimin e Skënderbeut në disa faqe, periudhën osmane si dhe kontributin e Shqipërisë në perandori. Pjesa e dytë e libërthit i kushtohet Shqipërisë e asaj kohe, ku Samiu trajtonte kufijtë kombëtarë si dhe bashkimin shqiptar pavarësisht nënndarjeve gegë e toskë apo dallimeve fetare. Ankon po ashtu mungesën e progresit përgjatë 20 viteve për zhvillimin e gjuhës shqipe dhe mos-hapjes së shkollave shqipe brenda perandorisë.[8]

Më 1903 u përkthye nga Fan Noligreqisht gjatë qëndrimit të tij në Egjipt, botimi i përkthimit u ndihmua nga Thanas Tashko dhe Jani Vruho.[9] U ribotua në Sofie më 1907 në shtypshkronjën Mbrothësia. Më pas u ribotua sërish më 1962 në Tiranë nga shtëpia botuese "Naim Frashëri" dhe sërish 1978, ku përjashtohet prej botimit cekja e vllehëve te kapitulli ku analizon armiqtë e shqiptarëve.[10] Më 1999 po në Tiranë nga shtëpia botuese "Mësonjëtorja e parë" sipas botimit të parë më 1899.

  1. ^ Sulstarova, Enis (2006). Arratisje Nga Lindja: Orientalizmi Shqiptar Nga Naimi Te Kadareja. Globic Press. fq. 37. ISBN 9780977666249.
  2. ^ Dani, Doan (2016). Shpikja e Mesjetës. Tiranë: Pika pa sipërfaqe. fq. 43, 187. ISBN 9789928185303.
  3. ^ a b Iseni, Bashkim (2008). La question nationale en Europe du Sud-Est: genèse, émergence et développement de l'indentité nationale albanaise au Kosovo et en Macédoine (në frëngjisht). Peter Lang. fq. 258–259. ISBN 9783039113200.
  4. ^ Skendi 1967, pp. 129, 167-169.
  5. ^ a b Gawrych 2006, p. 127.
  6. ^ Blumi, Isa (2007), Seeing Beyond the River Drin, Sarajevo, Ottoman Albanians and Imperial Rivalry in the Balkans after 1878 (PDF) (në anglisht), Austria: Kakanien revisited, fq. 6-7, arkivuar nga origjinali (PDF) më 21 shkurt 2014, s. Ippen and Nopcsa openly advocated funding efforts to solidify the cultural ambitions of nationalist leaders, resulting, for instance, in the translation into German and distribution of Sami Frashëri's works
  7. ^ Gawrych 2006, pp. 127-128.
  8. ^ a b Gawrych 2006, p. 128.
  9. ^ Bala, Vehbi (1972). Jeta e Fan S. Nolit. Tiranë: Shtëpia Botuese e Librit Politik. fq. 29–34. OCLC 30964481.
  10. ^ Dani 2016, p. 407.