Jump to content

Shtëpia e Adem agë Gjonit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shtëpia e Adem Gjonit
LlojiArkitekturore
VendndodhjaPrizren, Kosovë
NdërtuarShek. XIX
Emri zyrtar: Monument /Ansambël
LlojiNën mbrojtje
Nr. i referencës476

Shtëpia e Adem Gjonit është një monument i trashëgimisë kulturore në Prizren, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor".

Historiku[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shtëpia e Adem Gjonit është njëri prej objekteve reprezentative të trashëgimisë kulturore të qytetit të Prizrenit. Ky objekt është ndërtuar në shekullin XVIII, dhe ka pësuar një renovim të gjerë në shekullin XIX sidomos në enterier. Shtëpia e Adem Gjonit gjendet në kufirin perëndimor të Zonës Historike të Prizrenit, prapa ndërtesës së Kuvendit Komunal. Ndërtesa është e ngritur në etazh dhe është e llojit simetrik me hajat në përdhes dhe çardak në etazhë. Në përdhesë gjenden dy dhoma, qilari dhe hajati, i cili është ndarë në dy pjesë përgjatë aksit gjatësor. Në kat në mes gjendet çardaku i mbyllur dhe katër dhoma të radhitura rreth çardakut. Ndërtesa karakterizohet me trajtim të pasur arkitektonik si në aspektin e proporcioneve dhe formës, gjithashtu në aspektin e trajtimit të fasadës ballore. Fasada ballore, ajo jugore karakterizohet me dekorime të punuara ne drugdhendje, si lëshimet e brezit horizontal të meskatit në formë të arkitraut të dekoruara me motive gjeometrike. Timpanonët mbi dritare të punuara në drugdhendje me forma gjeometrike të yllit gjashtë cepash. Pjesa e hajatit në mes të përdheses mbështetet në dy shtylla prej druri me jastëk të punuar dhe dekoruar me elemente florale. Streha e gjerë e kulmit e mbulon ndërtesën duke e krijuar kurorën. Enterieri i objektit është i pasur me elemente etnografike. Drugdhendja është shumë e theksuar dhe është punuar me një mjeshtëri të radhë. Si elemente karakteristike vlen të ceken: tavanet e punuara nga druri, me dekorime në forma të ndryshme gjeometrike; dyert e punuara në drugdhendje me dorëza metalike; kapakët e dollapëve - jyklykëve dhe të hamamgjikut; dhe oxhaqet për ngrohjen e ujit të hamamgjikut - qymlekllëk. Konstruksioni është punuar me kombinim të gurit për themele dhe muret e përdhesës deri në një lartësi rreth 1.5 metër, të qerpiçit për strukturën e mureve dhe trarëve nga druri për krijimin e skeletit të mureve me sistemin bondruk. Kulmi është katër ujor, i mbuluar me tjegulla argjile. Pas Luftës së Dytë Botërore objekti ndahet në dy pjesë përgjatë aksit gjatësor, dhe që nga ajo kohë shtëpia shfrytëzohet nga dy familje. Gjatë kësaj ndarjeje bëhen edhe ndërhyrje tjera në enterier dhe eksterier të objektit ku pronarët kanë adaptuar shtëpinë për të përmbushur nevojat e jetesës moderne (rregullimi i nyjes sanitare, vendosja e shkallëve të jashtme na fasadën lindore etj.). Shtëpia në oborr kishte edhe shtëpinë e miqve, që gjendej pranë rrugës, e cila u rrënua në vitin 1978. Shtëpia e Adem Gjonit paraqet një shembull të arkitekturës së banimit oriental-vendor të tipit rrafshinor, që përkiste shtresës së pasur të shoqërisë.[2]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 25 shkurt 2023. Marrë më 25 shkurt 2023. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)