Jump to content

Teatri i Prizrenit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Teatri i Prizrenit është një institucion teatror i qytetit të Prizrenit, i themeluar si teater profesionist me një vendim të nxjerrë nga Asambleja Komunale e Prizrenit më 28 prill 2005, ndërsa statuti i teatrit u nxor në dhjetor të vitit 2007. Po në këtë vit filloi me projektin e parë teatror me shfaqjen "Im atë donte Adolfin", dramatizim i romanit homonim i shkrimtarit Mehmet Kraja dhe në regji të Agim Sopit. [1]

Fillet e historikut të Teatrit të Prizrenit i hasim që në vitin 1890, me një pjesë liturgjike të përgatitur nga mësuesi Mati Logoreci. Në vitin 1935 u shfaq pjesa "Makaronat e shejtanit" të autorit Lazër Lumezi, i cili e bëri edhe regjinë e pjesës. Në vitet në vijim në Prizren nisi punën Teatri Popullor Krahinor, pastaj vazhdoi punën në Prishtinë, ku u zhvendos kryeqendra administrative e atëhershme e Kosovës. Aktorët e parë të teatrit profesionist në Prizren kanë qenë: Kristë Berisha, Gjon Oroshi-Kola, Shaban Domi, Kolë Bitër Shiroka, Qamil Nixha, Shefqet Tafarshiku, Simon Krasniqi, Gjon Marku, Hyda Leskovçaliu, Shefqet Musliu etj. Kah fundi i vitit 1950 Këshilli Popullor i Prizrenit miratoi vendimin për themelimin e teatrit amator të qytetit. Në fillim të viteve '70 në Prizren, për dy sezone funksionoi teatri gjysmëprofesionist, ku kanë punuar tre-katër aktorë profesionistë. Teatri i Prizrenit që nga viti 2007 ka realizuar një sërë premierash.[1]

  1. ^ a b Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1649. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.