Jump to content

Terezja e Lisjës

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shën Terezja e Lisiës
Lulja e vogël e Jezusit
Datëlindja
2 janar 1873, Alençon
Data e vdekjes 30 shtator 1897, Lisieux
Emri sekular
Thérèse Martin
Emri fetar Terezja e Jezusit fëmijë dhe e Fytyrës së Shenjtë
Urdhëri fetar
Urdhëri i Karmelitanëve
Lumënimi
1923
Kanonizimi
1925
Doktor i kishës
1997
Festa
1 tetor
Shenjat
Trëndafilat
Shenjte mbrojtëse e
vuajtësve me SIDA; Ankoregj, Alaska; Australisë; aviatorëve; sëmundjeve trupore; Çajene, Uajoming; Feërbenks, Alaska; Fresno, Kalifornia; Juneau, Alaska; Pueblo, Kolorado; lulishtarëve; Francës; sëmundjes; Kisumu, Kenia; humbjes së prindërve; misionarëve; Rusisë; tuberkulozit; Uitbenk, Afrika e Jugut

Terezja e Lisjës (Thérèse de Lisieux 2 janar, 1873 - 30 shtator, 1897) emri pas lindjes Marie-Françoise-Thérèse Martin, (Mari Fransua Terez Martë) ishte një mistike dhe murgeshë e kishës katolike që u kanonizua e shenjtë, dhe u shpall si Doktor i kishës. Ajo njihet edhe me emrin "Lulja e vogël e Jezusit". Është një shenjtore shumë e dashur dhe e nderuar në katolicizëm, megjithë vdekjen e saj në moshën 24 vjeçare nga tuberkulozi.

Një vit pas vdekjes së saj në vitin 1898 filluan të botohen "Dorëshkrimet autobiografike" të saja me titullin "Historia e një shpirti".

Terezja e Lisjës është që nga viti 1927 shenjtore mbrojtëse e misionarëve, dhe që prej vitit 1944 është shpallur edhe si mbrojtëse e Francës së bashku me Zhana Dark.

Në vitin 1978 në Lisjë është krijuar një qendër e dokumentacionit terezian për studiuesit.

Tereza lindi në Alenson, Francë. Babai i saj, Lui Martini ishte orbërës, e ëma quhej Zeli-Mari Guérin dhe punonte rrobaqepëse. Të dy prindërit e Trezes ishin shumë fetarë. I ati para martesës donte të përqafonte jetën e murgut, por nuk u pranua sepse nuk dinte latinishten. Zeli-Mari poashtu ishte përpjekur të bëhej murgeshë, por nuk pranua për shkak se mendohej se nuk kishte marrë thirrjen. Për këtë arsye ajo u betua se nëse do të martohej ndonjëherë, ajo do t´ia kushtonte të gjithë fëmijët kishës. Lui dhe Zeli-Mari u njohën në vitin 1858 dhe u martuan pas tre muajsh. Ata patën sëbashku nëntë fëmijë, pesë prej tyre vajza, Maria, Paulina, Leonia, Selina dhe Tereza, që arritën moshën madhore, ndërsa katër fëmijët e tjerë vdiqën në moshë të njomë. Puna e Zelisë ishte aq fitimprurëse, saqë Lui ia shiti dyqanin e tij të nipit dhe nisi tregëtimin rrobave të së shoqes.

Zeli-Mari vdiq nga kanceri në gjoks në vitin 1877, dhe e la Terezen në moshën katër vjeçare. Lui, shiti dyqanin e së shoqes dhe u shpërngul në Lisië, në Kalvados në krahinën e Normandisë. Këtu jetonte vëllai i Zelisë, Isidor Guerini, një farmacist, me gruan dhe dy bijat e tij.

Tereza studio në manastirin benediktin të Zojës Sonë të Lëndinës. Në moshën nëntë vjeçare, motra e Terezes, Paulina, e cila kishte qenë për të si "nënë" e dytë, hyri në manastirin e Karmeilitanëve në Lisië. Edhe Tereza donte të hynte në urdhërin karmelitan, por nuk u pranua se ishte ende e vogël. Në moshën 15 vjeçare, motra e saj, Maria, hyri poashtu në manastirin e karmelitanëve. Tereza u përpoq përsëri të pranohej në gjirin e karmelitanëve, por nuk u lejua nga kryeprifti për shkak se ishte ende e re. Babai i Terezes u nis në një shtegëtim për në Romë, dhe mori me vete edhe Trezen. Gjatë audiencës me Papa Leonin XIII, Tereza i kërkoi atij ta lejonte të hynte në urdhërin karmelitan në moshën 15-vjeçare, por Papa i tha: "Mirë, moj bijë, bëj çfarë të vendosin sipërorët."

Pak kohë më pas, peshkopi i Bojosë autorizoi parinë e karmelitanëve që të pranonin në mesin e tyre edhe Terezen, dhe në vitin 1888 ajo u bë murgeshë karmelitane. Në vitin 1889 babai i Terezes ra i sëmurë dhe shtrua në një spital privat, të quajtur Shpëtimtari i Mirë në Ken, ku ai qëndroi tre vjet. Ai u rikthye në Lisië në vitin 1892, dhe vdiq në vitin 1894. Pas vdekjes së tij, motra e Terezes, Selina, që ishte përkujdesur për babain e tyre, hyri më 14 shtator 1894 në të njëjtin manastir karmelitan ku gjendeshin edhe tre motrat e saj. Kushërira e saj, Marie Guerin, u bë gjithashtu karmelitane në vitin 1895. Leonia, pas disa përpjekjeve të dështuara, u bë murgeshë, motër Fransuaze-Tereze, në urdhërin e Vizitasionit në Ken.

"Rruga e shkurtër"

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tereza njihet për "Rrugën e saj të shkurtër". Në kërkimin e saj për shenjtëri, ajo kuptoi se nuk ishte nevoja të bëheshin vepra heroike apo "bëma të mëdha" për të fituar shenjtërinë dhe për të shprehur dashurinë e saj për Perëndinë. Për këtë ajo shkroi,

"Dashuria e dëshmon vetveten me vepra, pra si duhet ta shfaq dashurinë time? Veprat e mëdhaja janë të ndaluara për mua. Rruga e vetme që të mund të dëshmoj dashurinë time është shpërndarja e luleve dhe këto lule janë çdo flijim i vogël, çdo shikim e fjalë, dhe bërja e veprave më të vogla për dashuri."

Kjo "Rrugë e shkurtër" u shfaq gjithashtu në afrimin e saj kah spiritualiteti:

"Nganjëherë, kur lexoj ese spirituale, në të cilat përsosmëria tregohet me mijëra pengesa në rrugën dhe bartësin e zhgënjimeve rreth tij, mendja ime e vogël e varfër lodhet shpejt, unë mbylli librin e mësuar, i cili e lë kokën time të çarë dhe zemrën time të etur, dhe unë kapi Shkrimet e Shenjta. Atëherë gjithçka më duket e ndritëshme, një fjalë e vetme i hap horizonte të pambarimta shpirtit tim, përsosmëria duket e lehtë; unë e shoh se mjafton të kuptosh kotësinë e vetes, dhe të jepesh i tëri, si një fëmijë, në krahët e Perëndisë së mirë. Duke lënë shpirtërat e mëdhenj, mendjet e mëdhaja, librat e stërholluar që nuk mund ti kuptoj, unë kënaqem të jem e vogël sepse «vetëm fëmijët, dhe ata që jane si fëmijë, do të pranohen në tryezën hyjnore»."

Pjesë të tilla si kjo kanë dëshmuar se ndjenjat e saj janë të vërteta dhe spiritualiteti i saj fëmijnor. Ithtarët e saj besojnë se Tereza kërkoi të zhvillonte një afrim kah jeta shpirtërore që të ishte i kuptueshëm dhe i ndjekshëm nga të gjithë ata që do të zgjidhnin të bënin ashtu, pamvarësisht nga rrafshi i tyre i diturisë apo arsimimit.

Kjo është e qartë në afrimin e saj tek lutja:

"Për mua, lutja është një gufim i zemrës; është një vështrim i thjeshtë kah qielli, është një thirrje e njohjes dhe e dashurisë, që përqfon tok tundimin dhe gëzimin; me një fjalë, diçka fisnike, e mbinatyrëshme, e cila zmadhon shpirtin tim dhe e njëson atë me Perëndinë.... Unë nuk kam guximin të shoh nëpër libra për lutje shumë të bukura.... Unë bëj si një fëmijë që nuk ka mësuar të lexojë, unë vetëm i them Zotit gjithçka që dua dhe ai më kupton."

Unë jam një shpirt fare i vogël, që mund ti afrojë Zotit vetëm gjëra fare të vogla.

Unë do ta kaloj parajsën time duke bërë të mirën në tokë.

Pas vdekjes sime unë do të lë të bie një shi trëndafilash.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]