Transgjinor

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Flamuri simbolik për komunitetin trans

Transgjinor (shpesh shkurtuar si trans) janë ata persona me një identitet gjinor që ndryshon nga ai i seksit të përcaktuar pas lindjes.[1][2] Disa persona transgjinorë mund të etiketohen si transseksualë në rast se dëshirojnë asistencën kirurgjikale për të kryer tranzicionin nga një seks në tjetrin. Transgjinor është një term ombrellë: përveç përfshirjes së njerëzve me identitet gjinor jo të përputhur me seksin biologjik (burra trans dhe gra trans), ky term përfshin persona që nuk janë tërësisht maskulin apo feminin (por edhe identitete të tjera si genderqueer, jobinarë, bigender, pangender, genderfluid ose agender). Nënkategori të tjera për termin transgjinor përfshijnë persona që i përkasin gjinisë së tretë, ose konceptualizojnë personat transgjinorë si një gjini të tretë. Rrallëherë ndodh që termi transgjinor është aq i gjerë saqë përshin dhe kategorinë e transvestitëve/cross-dresser, pavarësisht identitetit të tyre gjinor.

Të qenurit transgjinor është i pavarur nga orientimi seksual: personat transgjinor mund të identifikohen si heteroseksual, homoseksual, biseksual, aseksual etj, ose këta persona mund të konsiderojnë orientimin seksual konvencional si një etiketim jo të sakt dhe të papranueshëm. Termi transgjinor diferencon nga termi interseks, një term që përshkruan persona të lindur me karakteristika fizike të të dyja sekseve "që nuk përputhen domosdoshmërisht me nocionin e dikotomisë femëror/mashkullor".

Niveli me të cilin individët ndihen autentik, rehat dhe e pranojnë identitetin e tyre gjinor quhet kongruenca transgjinore. Të gjithë personat transgjinorë përjetojnë sindromën e disforisë gjinore, dhe disa prej tyre marrin trajtim mjekësor si për shembull terapia hormonale, ndryshimi kirurgjikal i seksit ose psikoterapi. Jo të gjithë personat transgjinorë i ndjekin këto trajtime për arsye financiare ose mjekësore.

Shumica e personave transgjinorë ndeshin diskriminim në vendin e punës dhe në qasjen ndaj shërbimeve publike. Në shumë shtete këta persona nuk gëzojnë mbrojtje ligjore nga diskriminimi.

Zhvillimi i terminologjisë transgjinor[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Psikiatri John F. Oliven i Universitetit të Kolumbias krijoi termin transgjinor në vitin 1965 në botimin e tij Sexual Hygiene and Pathology, duke shkruar se termi që përdorej më përpara, transseksualizmi, është "term çorientues". Termi transgjinor nisi të njihej e përdorej më shumë, duke përfshirë Virginia Prince e cila e përdori në numrin e dhjetorit 1969 për revistën Transvestia, një revistë kombëtare dedikuar transvestitëve e themeluar prej saj. Rreth vitit 1984 koncepti i komunitetit transgjinor ishte zhvilluar mjaftueshëm dhe tanimë termi transgjinor përdorej si term ombrellë. Në 1985 Richard Elkins themeloi arkivën ‘’Trans-Gender Archive’’ në Universitetin e Ulster. Rreth vitit 1992 konferenca ndërkombëtare mbi Ligjin për transgjinorët dhe politikat e punësimit e përkufizonin termin transgjinor si një term ombrellë që përfshin një gamë të gjerë si ‘’transseksualë, transgjinorë, transvestitë’’ si dhe çdokënd që i nënshtrohet tranzicionit të seksit. Pamfleti i Leslie Feinberg me titull ’’Transgender Liberation: A movement whose time has come’’ qarkullonte në 1992 dhe e identifikonte këtë term si term gjithëpërfshirës për të gjitha identitetet gjinorë jo-konformues; në këtë mënyrë termi transgjinor u kthye në sinonimik me termin queer. Termi transgjinor i referohet një djali që ka kryer tranzicionin nga femër në mashkull, kurse transgjinore i referohet një vajze që ka kryer tranzicionin nga mashkull në femër. Manuale mjekësore, grupe advokimi për komunitetin LGBT këshillojnë përdorimin e përemrave dhe termave gjinorë në përputhje me ato me të cilat dëshiron personi në fjalë të identifikohet. Shumë të tjerë theksojnë se termi transgjinor duhet përdour si ndajfolje, jo si emër ( për shembull Max është transgjinor ose Max është një burrë transgjinor dhe jo Max është një transgjinor). Persona që nuk janë as transgjinorë, as non-binary apo genderqueer - identiteti gjinor i të cilëve zhvillohet në përputhje me seksin dhe identitetin gjinor të caktuar pas lindjes – cilësohen si cisgender.

Transseksualizmi dhe lidhja e tij me termin transgjinor[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Termi transseksual u prezantua për herë të parë në anglisht në 1949 nga David Oliver Cauldwell dhe u bë më i njohur nga Harry Benjamin në 1966, paralelisht termi transgjinor ishte krijuar dhe nisi të përdorej më shumë . Që prej 1990 termi transseksual përdorej për të përshkruar nëngrupin e personave transgjinorë që dëshironin të kryenin përgjithmonë tranzicionin, pra ata që kërkonin asistencë mjekësore (për shembull ndërhyrja kirurgjikale për ndryshimin e seksit).

Ndryshimet ndërmjet termave transgjinor dhe transseksual janë të bazuara në ndryshimet midis gjinisë (aspekti psiko-social) dhe seksit ( aspekti fizik). Ndaj transseksualiteti lidhet më shumë me aspektin fizik të seksit të dikujt, ndërsa termi transgjinor lidhet më shumë me aspektin psikologjik si edhe rolin social të gjinisë në shoqëri. Shumë persona parapëlqejnë termin transgjinor dhe e hedhin poshtë termin transseksual. Për shembull Christine Jorgensen e refuzoi publikisht termin transseksuale në 1979, dhe e identifikoi veten si transgjinore, duke thënë se "gjinia nuk ka të bëjë me partnerët në krevat, por me identitetin’’. Kjo lloj reference e polemizon debatin pasi transseksual nënkupton diçka që ka të bëjë me seksualitetin, i cili është pjesë i identitetit gjinor. Disa persona transseksualë e kundërshtojnë këtë gjë duke thënë se nuk duhet të përfshihen në termin ombrellë transgjinor. Përkufizimet e të dyja termave kanë evoluar ndër vite. Në librin e tij ‘’Transgender, an Ethnography of a Category’’ i 2007 antropologjisti David Valentine mbron tezën se termi transgjinor u krijua dhe u përdor nga aktivistët për të përfshirë sa më shumë njerëz që nuk identifikohen domosdoshmërisht me termin, dhe shprehet se personat që nuk identifikohen me termin në fjalë nuk duhet të përfshihen nën spektrin transgjinor.

Leslie Feinberg hedh supozimin se termi transgjinor nuk është vetë-përcaktues (për disa persona) por një kategori e imponuar nga të tjerët për të identifikuar persona të tjerë. Gjithsesi të dyja këto supozime janë hedhur poshtë nga Programi Shëndetësor për Transgjinorët (THP) me qendrër në Boston. Në të theksohet se këto presupozime nuk janë terma universal, dhe konfuziteti me terminologjinë është i përhapur sepse terma që ishin të përdorur në fillim të shekullit 21 mund të kthehen në terma paragjykues dhe ofendues. Ky program sugjeron që mjekët në klinikë të pyesin paraprakisht klientët se çfarë terminologjie preferojnë dhe të shmangin termin transseksual në rast se klienti nuk ndihet rehat me termin. Harry Benjamin shpiku një sistem klasifikimi për transseksualët dhe transvestitët,i titulluar Shkalla e orientimit seksual (SOS), në të cilin transseksualëve dhetransvestitëve iu atashohen një prej gjashtë kategorive bazuar në arsyet e nevojat e tyre për ndryshimin kirurgjikal të seksit dhe për cross-dressing.

Kategori të tjera[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Përveç burrave trans dhe grave trans, identiteti gjinor i të cilëve ëshë i kundërt me identitetin e seksit të caktuar pas lindjes, me dhjetëra kategori të tjera përkufizohen nga termi në fjalë. Këtu përfshihen persona identiteti i të cilëve nuk është eksluzivisht maskulin apo feminin por mundet për shembull të jetë bigender, pangender, ose agender – zakonisht grupet të kategorizuar nën termin ombrellë genderqueer – si edhe personat e gjinisë së tretë. Edhe pse disa referenca të tjera e shohin termin transgjinor gjithëpërfshirës dhe për kategorinë e transvestitëve/cross-dressers, këta janë zakonisht të përjashtuar siç janë dhe transvestitët fetishist ose drag kings dhe drag queen, që më shumë bëjnë cross-dressing për performancë apo qëllime argëtuese.

Transvestit ose cross-dresser[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një transvestit është një person që praktikon cross-dressing, ose vishet me rroba që janë tipike për identitetin gjinor të seksit të kundërt me atë të përcaktuar pas lindjes. Termi transvestit përdoret si sinonim për termin cross-dresser edhe pse termi cross-dresser parapëlqehet më shumë në përdorim. Termi cross-dresser nuk e ka një përkufizim ekzakt në literaturë. Michael A. Gilbert, profesor pranë Departamentit të Filozofisë, në Universitetin e York-ut në Toronto ofron këtë përkufizim: "Cross-dresser është një person që ka dukshëm një identifikim gjnor me njërin seks, dhe vesh rrobat e seksit të kundërt me seksin të cilit i është përcaktuar pas lindjes". Një cross-dresser mund të mos idetifikohet me sjellet dhe praktikat e gjnisë së kundërt dhe përgjithësisht nuk duan të ndryshojnë seksin biologjik.Pjesa më e madhe e këtyre personave idetifikohen si heteroseksualë. Termi transvestit ndryshon konceptualisht prej termit transvetit fetishist, pasi termi i dytë përshkruan ata persona që i përdorin rrobat e gjinisë së kundërt jo rregullisht për arsye fetishiste.

Drag king dhe drag queen[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Drag është një term që përdoret për veshjet dhe pamjen e jashtme ekscentrike për performancat argëtuese, ndryshe nga personat transgjinorë apo ata që praktikojnë cross-dressing për arsye të tjera. Performancat drag queen mund të jenë teatrale, komike ose groteske. Drag queens janë konsideruar si karikatura të grave nga vala e dytë e feminizmit. Artistët drag kanë vlerat e traditat e tyre në historikun e lëvizjes LGBT. Personat interseks kanë gjenitale ose karakteristika seksuale që nuk përputhen me ndarjet strikte të dikotomisë mashkull-femër, por personat interseks nuk janë detyrimisht transgjinorë pasi ata mund të identifikohen me identitetin e seksit pas lindjes. Çështjet e njerëzve transgjinorë dhe interseksualëve ngatërrohen me njëra tjetrën, pasi të dyja sfidojnë përkufizimet "e ngurta" të seksit dhe gjinisë.

Komuniteti LGBT[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Koncepti i identitetit gjinor ndryshon nga ai i orientimit seksual. Orientimi seksual përshkruan tërheqjen fizike, romantike, emocionale, ose shpirtërore e një individi ndaj një personi tjetër, kurse identiteti gjinor është ndjesia vetjake e përkatësisë në të qenurit burrë ose grua. Personat transgjinorë kanë pak a shumë të njëjtin shumëllojshmëri të orientimeve seksuale sikurse personat cisgender. Në të kaluarën termat homoseksual dhe heteroseksual përdoreshin gabimisht për të etiketuar orientimin seksual të personave transgjinorë bazuar në seksin e tyre pas lindjes. Literatura moderniste sugjeron përdorimin e termave si i tërhequr ndaj djemve (androfilik), i tërhequr ndaj vajzave (gjinefilik), i tërhequr ndaj të dyve (biseksual), ose i tërhequr ndaj askujt (aseksual) në mënyrë që të përshkruhet orientimi seksual i personit pa referencë ndaj identitetit gjinor të personit. Terapistët insistojnë gjithnjë e më shumë për të përdorur terma në pajtim të plotë me respektimin e identiteteve gjinore të klientëve.

Orientimi seksual i personave transgjinorë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 2015, Qendra Kombëtare për Barazinë Transgjinore realizoi anketën më të madhe kombëtare në SHBA në lidhje me diskriminimin e njerëzve. Nga 27.715 persona transgjinorë dhe non-binary që iu nënshtruan anketimit, 21% e tyre u shprehën se termi queer e përshkruan më së miri orientimin e tyre seksual, 18% shprehën termin "panseksual", 16% thanë termin "gej" ose "lezbike" (në fjalë të tjera, duan njerëzit e gjinisë së njëjtë), 15% u shprehën se janë "heteroseksual", 14% thanë "biseksual" ndërsa 10% përdorën termin "aseksual".[3]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Terry Altilio; Shirley Otis-Green (2011). Oxford Textbook of Palliative Social Work (në anglisht). Oxford University Press. fq. 380. ISBN 0199838275. Marrë më 12 prill 2016. Transgender is an umbrella term for people whose gender identity and/or gender expression differs from the sex they were assigned at birth (Gay and Lesbian Alliance Against Defamation [GLAAD], 2007).
  2. ^ Craig J. Forsyth; Heith Copes (2014). Encyclopedia of Social Deviance (në anglisht). Sage Publications. fq. 740. ISBN 1483364690. Marrë më 12 prill 2016. Transgender is an umbrella term for people whose gender identities, gender expressions, and/or behaviors are different from those culturally associated with the sex to which they were assigned at birth.
  3. ^ "The Report of the 2015 U.S. Transgender Survey" (PDF). National Center for Transgender Equality (në anglisht). Arkivuar (PDF) nga origjinali më 9 dhjetor 2016. Marrë më 6 mars 2016.