Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2013/30
Riviera shqiptare (ose Bregdeti apo Bregu) është një zonë bregdetare në Qarkun e Vlorës përgjatë Detit të Jonit nën Malësinë e Akrokerauneve në jug të Shqipërisë. Nuk duhet ngatërruar me Bregdetin shqiptar në tërësi që përfshin Rivierën si dhe plazhet e sheshta ranore të Shqipërisë qendore dhe veriore. Tradicionalisht, ky rajon fillon me Parkun Kombëtar të Llogarasë, vazhdon poshtë me fshatart Borsh, Himarë, Qeparo, Piqeras dhe përfundon me Lukovën. Burime të tjera shënojnë Sarandën ose Ishullin e Tongos si pikë mbarimi dhe Vlorën ose Gadishullin e Karaburunit si pikë fillimi. Riviera shqiptare u shpall nga Frommer's si Destinacioni më i Çmuar i vitit 2012.
Zona është një destinacion i rëndësishëm i jetës së natës, ekoturizmit dhe turizmit elitar. Në të gjen karakteristika të fshatrave Mesdhetarë, kalave të lashta dhe kishave Ortodokse. Në fakt, peisazhi alternohet nga qafat malore, plazhet e mrekullueshëm, fauna nënujore, shpellat dhe deri tek plantacionet me portokaj dhe limona.
Në vitin 48 p.e.s. Çezari në ndiekje të Pompeit shkeli këtu dhe urdhëroi legjionin të pushojë në Palasë. Më pas ai vazhdoi përgjatë Qafës së Llogarasë deri në një vend që më vonë u quajt Qafa e Çezarit. Si pjesë e master-planit rajonal, Banka Botërore dhe institucione të tjera po financojnë projekte të infrastrukturës lokale, duke përfshirë edhe rikonstruktimin e çative dhe fasadave të shtëpive karakteristike me pamje nga Riviera.