Xheni Karaj
Xheni Karaj | |
---|---|
Kombësia | Shqiptare |
Arsimi | Universiteti i Tiranës |
Profesioni | Aktiviste |
Organizata | Aleanca LGBT |
Nderimet | Civil Rights Defender of 2022 |
Xheni Karaj (lindur në Tiranë) është aktiviste për të drejtat e komunitetit LGBT, bashkëthemeluese dhe aktualisht drejtuese ekzekutive e organizatës AleancaLGBT.
Aktivizmi politik
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Karaj së bashku me aktivistin tjetër për komunitetin LGBT, Kristi Pinderi kanë qenë ndër të parët aktivistë që nisën lëvizjen për të drejtat LGBT në Shqipëri.[1] Ajo ishte vajza e parë lezbike që njohën në Tiranë aktivistja amerikane Mindy Michels dhe ish-partnerja e saj Melissa Schraibman (kjo e fundit punonjëse e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë).[2] Takimet në shtëpinë e dy amerikaneve ndihmuan në krijimin e një bërthame që do të shërbente për themelimin e organizatës Aleanca LGBT.
Në maj të vitit 2012 teksa ndodhej në studion e emisionit Opinion në TV Klan, Karaj bëri "daljen haptaz" të paparashikuar gjatë një debati të ashpër me Murat Bashën, ish-nënkryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit. Basha ka replikuar në atë emision me aktivistin Kristi Pinderi duke i thënë: “Po të më bëhet djali si ty, plumbin ballit dhe le të shkoj në burg”.[3] Karaj e ka përshkruar kështu atë moment në një intervistë për gazetën Panorama: "Reagimi im ishte i paparashikuar, erdhi rastësor. Gjuha me të cilën foli Murat Basha është krejt e papranueshme. Është tragjike që familjarët e fëmijëve gej të dëgjojnë deklarata vrasjesh".[4]
Nga viti 2012 Karaj është ndër organizatoret kryesore të paradës së krenarisë që zhvillohet në muajin maj në bulvardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë.[5] Ajo gjithashtu ka bashkëdrejtuar projektin Mendo Politikisht, ku partitë politike shqiptare janë detyruar të mbajnë për herë të parë qëndrim mbi tematikën LGBT. Bashkë me Pinderin ajo është autore e SkaNdal, dokumentarit mbi historinë e lëvizjes LGBT në Shqipëri. Të dy kanë ngritur gjithashtu strehën e parë rezidenciale STREHA për të rinjtë e pastrehë LGBT.[6]
Xheni Karaj është aktivistja e dytë LGBT nga Shqipëria që është përfshirë në projektin e Civil Rights Defenders, Natalia Project. Ky projekt u konceptua si një sistem sigurie, ku të gjithë mbrojtësit e të drejtave njerëzore që cënohen, pajisen me një byzylyk që e mbajnë në dorë dhe e aktivizojnë. Pas aktivizimit sinjali iu përçohet pjesëtarëve të këtij projekti për t'i ardhur në ndihmë aktivistit të cënuar.[7]
Jeta personale
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Karaj është lindur dhe rritur në një familje tiranase. Ajo ka studiuar për psikologji në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Albania's LGBTQ activists are transforming their community". NBC News (në anglisht). 2017-02-01. Marrë më 2025-01-06.
- ^ Mapo Madame Arkivuar 2 prill 2019 tek Wayback Machine
- ^ "Murat Basha: Plumb ballit djalit, nëse do bëhej gay!". Mapo.al. 3 prill 2012. Arkivuar nga origjinali më 19 qershor 2017. Marrë më 5 shkurt 2018.
- ^ "Xheni Karaj rrëfen historinë e saj për herë të parë: Si e zbulova që jam lezbike". Panorama. 2025-01-06. Marrë më 2025-01-06.
- ^ Koleka, Benet. "Albania gay activists cycle to call for rights". Reuters (në anglishte amerikane). Marrë më 2025-01-06.
- ^ Littauer, Dan (2014-12-11). "Albania gay rights groups open first LGBTI shelter in Balkan region". LGBTQ Nation (në anglisht). Marrë më 2025-01-06.
- ^ https://www.civilrightsdefenders.org/news/achievements/second-albanian-lgbt-activist-included-in-the-natalia-project/[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]