Shko te përmbajtja

Zija Luniku

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Zija dhe Nashifer LUuniku
Foto e viteve '30!

Zija Sulejman Luniku (5 qershor 1909 – 9 mars 1948) ishte jurist dhe avokat shqiptar, i diplomuar në Itali, i cili ushtroi veprimtarinë profesionale në administratën gjyqësore shqiptare gjatë viteve 1934–1942. Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai u arrestua në vitin 1946, u gjykua nga Gjykata Ushtarake e Elbasanit dhe u ekzekutua me pushkatim në vitin 1948, në kuadër të proceseve politike të pasluftës.

Prejardhja dhe arsimimi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Zija Luniku lindi më 5 qershor 1909 në Elbasan, në një familje me traditë fetare dhe shoqërore. Kontribut i jashtzakonshëm fetar dhe patriotikështë i konfirmuar me dokumenta, me emra të tillë si, Hafiz Sulejman Luniku (1777-1853), Hafiz Seit Luniku (1811-1886), Hafiz Sulejman Luniku (1851-1913), Hafiz Mustafa Luniku (1859-1907), Hafiz Qamil Luniku (1902-1971), Sheh Shaqir Luniku (1895-1937), Hafiz Tasim Luniku (1898-1968), Abdurrahim Sulejman Luniku (1893 – 1959), etj., të cilët bënë shumë në Elbasan e në gjithë trevën tonë, por, që, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, u përballën me një kalvar shumë të gjatë vuajtjesh dhe persekutimi të paimagjinueshëm.

Ai ishte i biri i Hafiz Sulejman Lunikut dhe Segjines. Arsimin fillor e kreu në Elbasan, ndërsa arsimin e mesëm në Normalen e Elbasanit dhe Liceun e Korçës. Studimet universitare i ndoqi në Itali, në Milano dhe Firence, ku u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1934. U kthye në Shqipëri në nëntor 1934, për t’u regjistruar fillimisht si ndihmës avokat e më pas në Gjykatën e Vlorës, në Gjykatën e Beratit, dhe në Kuesturën e Shkodrës, dhe prej muajit qershor 1942, pas vrasjes se Qemal Stafës (05.05.1942, i cili fshihej në shtëpinë e tij në Shkodër, për shkak se bashkëshortja, Nashifer Sejdini, ishte mbesë e nënës së Qemailit), e deri në arrestimin e tij iu kthye profesionit të avokatit në Elbasan, duke mbrojtur ndër të tjerë edhe figura të shquara si Shefqet Daiu (pushkatuar në vitin 1946), dhe të tjerë.

Veprimtaria profesionale

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas kthimit në Shqipëri në fund të vitit 1934, Luniku ushtroi profesionin e ndihmës-avokatit dhe më pas shërbeu në institucione të ndryshme gjyqësore, përfshirë Gjykatën e Vlorës, Gjykatën e Beratit dhe Shkodrës. Nga viti 1942 deri në arrestimin e tij, ai ushtroi profesionin e avokatit, duke përfaqësuar klientë në procese gjyqësore civile dhe penale, përfshirë edhe çështje me karakter politik të pasluftës.³

Arrestimi dhe bashkë-të-pandehurit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 27 dhjetor 1946, Zija Luniku u arrestua në Elbasan. Ai u përfshi në një proces të përbashkët gjyqësor me një grup personash, të cilët u arrestuan dhe u gjykuan për të njëjtat akuza. Sipas dokumenteve arkivore, bashkë-të-pandehurit ishin: Fadil Gurmani, Xhaferr Miraku, Mahmut Maçi, Sabri Baholli, Xhemal Llalla, Veniamin Dashi, Osman Duduci, Seit Kuqi, Qemal Hoxha, Qamil Bylykbashi, Mehmet Haxhihasani, Ibrahim Plaka, Virtyt Gjylbegasi, Refat Haka.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Publike, të pandehurit akuzoheshin për krijimin e një organizate klandestine, propagandë armiqësore, lidhje me grupe të arratisura dhe veprimtari kundër pushtetit popullor.

Hetuesia ndaj Zija Lunikut u zhvillua nga organet e Sigurimit të Shtetit dhe Prokuroria Publike e Elbasanit. Sipas dokumenteve arkivore, procesi hetimor u drejtua nga Edip Çuçi dhe Kleanthi Andoni, me pjesëmarrjen e oficerëve Sulo Aliaj dhe Nuci Tira.

Prokuroria Publike u përfaqësua nga Sybhi Dedei, në cilësinë e Prokurorit Publik, dhe Josif Taja, Ndihmës-Prokuror. Në procedurat me karakter ushtarak, prokuroria u përfaqësua gjithashtu edhe nga Kapiteni i Parë Kristo Mushi, si prokuror ushtarak.

Procesi gjyqësor

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjyqi u zhvillua në sallën e kinemasë “Labinoti” në Elbasan dhe përfundoi më 15 dhjetor 1947. Trupi gjykues i Gjykatës Ushtarake të Elbasanit përbëhej nga⁸:

Kapiten i Parë Myftar Grabocka – kryesues; Toger Qamil Dermyshi – anëtar; Toger Ejup Hatibi – anëtar; Kapter Ahmet Hyshmeri – anëtar. Prokuroria në seancën gjyqësore u përfaqësua nga Kapiteni i Parë Kristo Mushi.

Gjykata e shpalli Zija Lunikun fajtor dhe e dënoi me vdekje me pushkatim, humbjen e përhershme të të drejtave civile dhe politike, si dhe konfiskimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme.

Vendimi u shqyrtua nga Gjykata e Lartë Ushtarake, e përbërë nga Major Niko Çeta, Kapiten i Parë Nexhat Hyseni, Kapiten i Dytë Mustafa Iljazi, me Aspirant Thoma Rino si kryesekretar dhe Kapiten i Parë Nevzat Haznedari. Më 2 mars 1948, kjo gjykatë la në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Ekzekutimi dhe fati i eshtrave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 5 mars 1948, Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi kërkesën për falje të të dënuarit me vdekje. Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës Ushtarake të Elbasanit, Zija Luniku u ekzekutua me pushkatim më 9 mars 1948, rreth orës 19:00, në Kodër Krastë, Elbasan.

Pas vitit 1990, vendndodhja e eshtrave të tij nuk është identifikuar. Burime arkivore dhe dëshmi të mbledhura më vonë sugjerojnë se eshtrat e tij mund të jenë zhvendosur ose hedhur në lumin Shkumbin, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Studime dhe analiza të mëvonshme, përfshirë botime të ISKK-së dhe vlerësime të historianit Kastriot Dervishi, e vendosin procesin ndaj Zija Lunikut në kontekstin e gjyqësive ushtarake të pasluftës, të cilat karakterizoheshin nga ndikimi i drejtpërdrejtë politik dhe mungesa e referimit ndaj një kodi penal të mirëpërcaktuar.

Konfiskimi i pasurisë dhe pasojat ndaj familjes

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas ekzekutimit, pasuria e Zija Lunikut u konfiskua nga shteti. Në dosjen arkivore nr. 2011 përmendet një inventar pasurie prej 18 faqesh, i datës 2 dhjetor 1947, i cili nuk gjendet në dokumentacionin e ruajtur.¹⁴

Familja e tij u përball me masa të vazhdueshme persekutimi në vitet pas dënimit.

  1. AIDSSH, Dosja gjyqësore nr. 2011, pjesa I–II.
  2. AIDSSH, Dosja nr. 2011, dokumente biografike dhe arsimore.
  3. AIDSSH, Dosja nr. 2011, dokumente profesionale.
  4. AIDSSH, Dosja gjyqësore nr. 2011, urdhëresë arrestimi, 27.12.1946.
  5. AIDSSH, Dosja gjyqësore nr. 2011, aktakuzë e Prokurorisë Publike.
  6. AIDSSH, Dosja nr. 2011, materiale hetimore të Sigurimit të Shtetit.
  7. AIDSSH, Dosja nr. 2011, dokumente të Prokurorisë Publike.
  8. AIDSSH, Procesverbal i gjyqit, Gjykata Ushtarake Elbasan, 15.12.1947.
  9. Vendim i Gjykatës Ushtarake Elbasan, 15.12.1947.
  10. Vendim i Gjykatës së Lartë Ushtarake, 02.03.1948.
  11. AIDSSH, Akti nr. 798, datë 11.03.1948.
  12. AIDSSH, dokumentacion pasgjyqësor mbi ekzekutimet, 1948.
  13. ISKK, Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist, vëll. V (L–M); Kastriot Dervishi, Krimet e komunizmit në Shqipëri, ISKK, 2012.
  14. AIDSSH, Dosja nr. 2011, inventari i pasurisë.