Sheh Mala
Sheh Mala i Rahovecit (Kobillogllavë, 1865 - 1928) ka qenë shejh i tarikatit Melami, përkthyes dhe poeti më përfaqësues i rrymës së bejtexhinjve në Jugosllavinë e paraluftës.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Kobillogllavë pranë Rahovecit më 1865 me emrin Abdyl Maliqi,[1] i biri i Fejzullah Hoxhës,[2] shkollimin fillor e mori në teqen e madhe të Halvetive në Rahovec.[3] Më tej ndoqi dhe kreu në medresen e Mehmed – Pashës në Prizren për 12 vjet. Aty nxuri jo vetëm arabisht, persisht e osmanisht, por edhe serbo-kroatisht.[1] Në Prizren ndiqte edhe ligjëratat e Rexhep Hulus efendisë, i cili udhëhiqte teqenë e melamive aty, prej të cilit Abdyl Maliqi mori dorë në tarikat.[4] Pasi kreu medresen u bë imam në Rahovec,[4] ku më pas më 1304/1887 themeloi dhe i priu teqesë së Melamive.[5] U njoh me nofkën Hilmi nga domethënia që ka kjo fjalë.[4]
Përmes çështjeve të fesë i ka kushtuar kujdes edhe punës arsimore dhe ngritjes morale të bashkëqytetarëve të vet.[4] Studjuesi Jashar Rexhepagiq e rendit ndër dervishët që kanë zhvilluar mësimet e shqipes në teqe, kur kjo ishte e ndaluar në kohën e Jugosllavisë, po ashtu jepte edhe njohuri të matematikës, gjeografisë dhe lëmijve tjera të dijes.[6] Pas luftërave ballkanike dhe politikave kolonizuese të Mbretërisë Jugosllavisë, u jepte gajret bashkësisë përkundër padrejtësive të administratës.[2]
Teqja që drejtoi nga shkollë shqipe u bë edhe fidanishte e poezisë dhe kangës popullore, burim i të cilave ishin dervishët dhe shehlerët.[6]
Sheh Mala ndërroi jetë më 1928, shembullit e tij e ndoqën nxanësit Sheh Shaip Zurnaxhiu nga Mamusha, dhe Sheh Salih Çavolli nga Prizreni. Prijësinë e teqesë së Rahovecit e muar Sheh Emini, po ashtu nxënës i Hilmiut.[7]
Vepra
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Përpos veprimtarisë thjesht fetare, Sheh Mala ndjente prirje për të shkruar si dhe për të përkthyer. Njihet për Divanin e tij, vepër e cila numëron 77 vjersha në gjuhën shqipe, por ka shkruar edhe një divan në gjuhën turke. Në Divanin shqip i këndon virtyteve të cilat stolisin besimtarin mysliman. Po në shqip ka shkruar edhe 16 tregime religjioze, dy poezi "Derti i bylbylit" dhe "Fatkeqësia e fluturës".[6] Gjuhës së Divanit të Sheh Malës për nga rëndësia që mbart në hullinë e historisë së gjuhës dhe dialektologjisë, i është kushtuar një studim nga gjuhëtari Idriz Ajeti.[8]
Ka shkruar trajtesa për interpretimin e dispozitave të besimit islam (Risali),[4] ndër të cilat “Sofra e hazreti Alisë”, “Lulishtja e Hilmisë qoftë makbuli i Perendisë”, “Bejtullahi hakiki”, “Minderllëku i nuseve të hakikkatit”.[2]
Përveç shkrimeve autoriale, ka përkthyer prej arabishtes veprën Varidat të Sheh Bedredinit (v. 1420), vepër me rëndësi në mistikën islame, dorëshkrimi i përkthimit ka 400 faqe. Këtë vepër e ka përkthyer edhe në gjuhën turke si dhe mbi njëqind ilahi, të cilat janë kënduar në teqe.[6]
Sheh Mala ruajti dhe transkriptoi disa prej vargjeve të dervishit vetmitar Pir Ikbalit nga Kashari, në një bllok shënimesh zbuluar më 1999 nga Nikollë Krasniqi.[9]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b Elsie, Robert (1992). "Albanian Literature in the Moslem Tradition: Eighteenth and Early Nineteenth Century Albanian Writing in Arabic Script" [Literatura shqipe në traditën islame: Gjuha shqipe me gërma arabe gjatë shekullit të 18të dhe 19të] (PDF). Oriens (në anglisht). Brill. 33: 287–306.
- ^ a b c Yvejsi, Mexhid (22 nëntor 2008). "Në përvjetorin e 80-të – në jetën e vërtetë: Shejh i Melamive - Princ i Bejtexhijve". zemrashqiptare.net. Marrë më 18 nëntor 2020.
- ^ Mehmetaj, Faton (2015). Prijës fetarë dhe shpirtërorë shqiptarë: bashkëjetesa ndërfetare dhe kontributi i tyre kombëtare. Prishtinë: Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri. fq. 199. ISBN 9789951625050.
- ^ a b c d e Rexhepagiq, Jashar (2003). Dervishët dhe teqetë: në Kosovë, në Sanxhak dhe në rajonet tjera përreth. Prishtinë: Fryma. fq. 224.
- ^ Harry Thirlwal Norris (1993), Islam in the Balkans: Religion and Society Between Europe and the Arab World (në anglisht), Columbia, S.C: University of South Carolina Press, fq. 121, ISBN 9780872499775, OCLC 28067651
- ^ a b c d Rexhepagiqi 2003, pp. 15, 225.
- ^ Rexhepagiq 2003, p. 226.
- ^ Pajaziti, Naser (29 janar 2017). "Profesor Idriz Ajeti për gjuhën e Divanit të Sheh Maliqit". prizrenpress.com. Marrë më 18 nëntor 2020.
- ^ Xavier, Adrian (2015). "Preface". The Lost Couplets (në anglisht). London: gnomebooks. fq. 4. ISBN 9780692596081.