Daniel Gjeçaj
Daniel Gjeçaj (Theth, 14 tetor 1913 - Romë, 30 gusht 2002) qe frat françeskan, studjues, publicist dhe shkrimtar shqiptar.
Jeta
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Emri me të cilin e pagëzuan ishte Mark, i biri i Prenkë dhe Kate Vatës[1]. Mësimet e para të shqipes dhe të fesë i mori prej famullitarit, P. Dedë Bërdicës[2]. Më 1924 bjen në Shkodër dhe hyn në kolegjin e françeskanëve, dhe më pas vijoi në liceun "Illyricum" ku kishte mësues Fishtën, Harapin, Prennushin, Shllakun, etj. Me 23 tetor 1932 vesh zhgunin, me 1933 kryen rishtarinë, me 1936 studimet liceore. Mbas këtyre nis pjesa e dytë e përgatitjes me studime jashtë Shqipërisë. Kështu më 1936 dërgohet nga eprorët e vet në Kuvendin e Sh'Bernardinit në Sienë dhe qëndron aty deri me 1939, kur më 25 korrik shugurohet meshtar. Vitin akademik që vijoi u dërgua në Fuldë të Gjermanisë[3], të parë e kuvendit t'atjeshëm i propozuan të vazhdonte studimet ku të dëshironte por ai zgjodhi të kthehej[4].
Me të kryer studimet vjen dhe mban meshën e parë në fshatin e lindjes, emërohet drejtor i Bibliotekës Françeskane deri më 1941 dhe më vonë zëvendës drejtor i kolegjit françeskan.
Më 1942 Provinca e dërgon në Itali për të ndjekur me korrespondencë për shkenca biologjike, por u kthye vitin e ardhshëm në vjeshtë me të kapitulluar Italia[1]. Me mbylljen e instituteve fetare në Shkodër shkon më 1946 si famullitar në Plan të Dukagjinit. Më 1948 arratiset në Jugosllavi me Martin Camajn, rapsodin Gjergj Pllumi dhe tridhjetë e sa nacionalistë të udhëhequr nga kap. Gjon Destanishta. Nuk pranoi për të bashkëpunuar me UDB-në për ketë arsye u dërgua së parit me punue në hekurudhë në Barashumanoviq e mandej asistent i inxhenierit gjerman Vogel, rob luftet, në Fushë të Zezë afër Podgoricës. Kaloi në Herzegnovi e Surdulicë e mandej iu bë e mundur të ushtrojë mësuesinë në katundin e Preshevës ku mësues Marku u prit mirë. Më 1955 i ndihmuar nga Ernest Koliqi kalon në Itali, ku vendoset në Toskanë[2] në një provincë minoritike. Komiteti "Shqipëria e Lirë" e thërret si përgjegjës për kulturën dhe i jep detyrë të ribotonte eposin fishtjan "Lahuta e Malcís"[4], e P. Danieli bashkë me Petro Vuçanin e korrigjon dhe boton më 1959. Para se të zinte vend më 15 korrik 1970 në famullinë e Shën Gregorit VII në Romë, ka qenë sekretar i Át Angelico Lazzari në Kurien e përgjithshme (1961-1965), ndërsa nga 1965-1970 jeton në Shën Pjetër në Montorio. Bashkëpunon dendur me Ernest Koliqin për të botuar tek "Shêjzat" artikuj[3], dhe iu dëgjua zëri shpesh ndër programet e Radio Vatikanit në gjuhën shqipe bashkë me Dom Zef Shestanin. Zhvillon konferenca për lirinë e popullit shqiptar deri në ShBA[2]. Ma vonë u emërua prej Selisë Shenjte si përfaqësues i katolikëve shqiptarë në mërgim[4]. Shërbesën e tij meshtarake e zhvilloi pranë Famullisë së Shën Gregorit VII, ndërsa ishte edhe asistent i U.F.SH. të famullisë Santa Maria Mediatrice dhe të famullisë Santa Maria della Perseveranza[3]. Në këtë gjysmë shekulli që jetoi në Perëndim, së bashku me dy fretën tjerë shqiptarë, Prof. Jakob Marlekajn në Bari e Dr. Paulin Margjokajn në Vjenë, mblodhën libra, dorëshkrime, dokumenta duke formuar rishtas atë që u bë bërthama e bibliotekës së ré françeskane në Gjuhadol. Shuhet në qytetin e amshuar më 30 gusht 2002[2].
Veprimtaria kulturore
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Përveç botimit të lartpërmendur të Lahutës, nevoja lypi që ta ribotonin më 1989 dhe 1991. Botime të cilat u bënë me një aparat komentimi të detajuar. U kujdes për ribotimin e veprave të një françeskani tjetër, "Andrra e Prêtashit" (1959) dhe "Valë mbi valë" (1994). Botoi Kujtimet e veta për Atë Gjergj Fishtën (Shêjzat, 1957, nr. 4-5), Proza fishtjane (Shêjzat, 1961, nr. 11-12) duke u nënshkruar në të dyja rastet me pseudonimin ''Gjin Duka''[3].
U dallua edhe në fushën e përkthimeve, duke sjellë në shqip Mesharin e të kremteve (1966), Rendori i meshës (1973), Psalmet dhe krejt Shkrimin e Shenjtë. Ndërkohë panë dritën e botimit edhe vepra të tijat origjinale kryesisht duke trajtuar argumenta të jetës malësore e figura reale të atij ambient. Kështu ai botoi veprat «Prel Tuli i Salcës» (Romë, 1988), «Mehmet Shpendi dhe Mark Sadiku i Shalës» (Romë, 1996), «Te del Kiri» (Shkodër, 2000) dhe la në dorëshkrim një vepër me titull: «Dikur në Dukagjin»[2]. Më 1992 doli në dritë një punim të cilit i kishte kushtuar vite, «Gjergj Fishta: Jeta dhe vepra», një monografi shterruese, me pseudonimin Pal Duka-Gjini[3].
Burime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b Kurti D., Provinca Françeskane Shqyptare[lidhje e vdekur] (E ripertrime në vj. 1906), Cokesë (Skicë historike). Shkodër 1965. fq. 32-44. Shënim: Primi et Catharinae Vatja shënohet në latinisht, emra të cilët gjejnë formën gjegjëse në truallin ku personi i artikullit leu në Prenkë e Kate Vatës - emër ky i fundit që mund të ketë pasë edhe trajtën tjetër vendore, Tringë.
- ^ a b c d e Ndreca A., Gjurma e pashlyeshme e një frati të madh shqiptar: P. Daniel Gjeçaj, Theth 14 tetor 1913 - Romë 30 gusht 2002, Illyria. - V. 12 Nr. 1175, 17-19 shtator, 2002, f. 25.
- ^ a b c d e Kamsi V., Vdekja e një françeskani dhe shqiptari të madh : [At Daniel Gjeçaj], Phoenix. - Nr. 1 - 3, , 2002, f. 13 - 17.
- ^ a b c Marrë nga Atë Daniel Gjeçaj, Vepra 1, 2012, Botime Françeskane, Shkodër.