Enver Gjerqeku

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Enver Gjerqeku
U lind në1928
Vdiq2008
Kombësiashqiptar
Profesionishkrimtar

Akademik Enver Gjerqeku (Gjakovë, 25 gusht 1928 - 24 tetor 2008)[1][2] ka qenë poet dhe studiues i letërsisë.

Për letërsi interesohet që kur ishte nxënës. Në vendlindje kreu shkollën fillore (1942) dhe shkollën normale (1948). Pasi kreu normalen, shërbeu një kohë mësues, dhe pastaj ndoqi studimet në grupin e gjuhës e të letërsisë shqipe në fakultetin filozofik të Universitetit të Beogradit (1955), ku edhe u magjistrua (1961). Gjatë studimeve ishte anëtar i redaksisë së revistës Zani i rinisë (1954-1956).


Aktiviteti profesional[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas studimeve filloi punë si profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në Shkollën Normale të Prishtinës (1956-1959) dhe më pas në Shkollën e Lartë Pedagogjike (1959-1962). Prej vitit 1962 e deri në vitin 1995 ligjërues i lartë e profesor i letërsisë shqiptare në fakultetin filologjik të Universitetit të Prishtinës, dhe në dy mandate u zgjodh prodekan i fakultetit.

Ishte kryetar seksioni e mandej i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Në periudhën 1956-1967 ishte anëtar i redaksisë së revistës letrare Jeta e re, kurse më 1965-1968 edhe i redaksisë së revistës shkencore Gjurmime albanologjike.

Gjatë viteve 1986-1991 ishte kryeredaktor i Redaksisë së Enciklopedisë së Jugosllavisë për Kosovën në gjuhën shqipe. Më 21 tetor 1986 u zgjodh anëtar korrespondent dhe më 3 prill 1991 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK). Në një mandat u zgjodh sekretar i Seksionit të Gjuhësisë, të Letërsisë dhe të Arteve të ASHAK-ut.

Aktiviteti letrar[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 1946 botoi në Zanin e rinisë poezinë e parë Shoqes së mbyllun në çarshaf. Prej asaj kohe paraqitet pothuajse vazhdimisht me poezi dhe me punime të zhanreve të tjera në revistat e gazetat në gjuhën shqipe në ish-Jugosllavi: Zani i rinisë, Rilindja, Jeta e re, Fjala dhe të tjera.

Përveç poezisë, merret edhe me studimin e letërsisë shqiptare, përkthen nga serbokroatishtja në gjuhën shqipe kryesisht poezi, prozë dhe anasjelltas. Poezia e tij është përkthyer shpesh në gjuhën serbokroate e në gjuhë të tjera të ish-Jugosllavisë. Ka marrë pjesë në takime, manifestime dhe simpoziume letrare si në vend ashtu edhe në vendet e tjera: në Shqipëri, Rumani, Çekosllovaki, Hungari, Turqi, Rusi, Uzbekistan, Sh.B.A., Kanada, etj.

Kosovë është organizator i Mitingut të Poezisë dhe i Takimeve të Shkrimtarëve në Deçan dhe Brezovicë. Ka marrë pjesë në Takimet e Shkrimtarëve të tetorit në Beograd, në Mbrëmjet Poetike në Strugë, në Bisedat letrare të Zagrebit, në Ditët e majit – Sarajevë, në Lojnat e Zmajit në Novi Sad, në Takimet e Shkrimtarëve të Evropës Qendrore në Kanjizhë, etj. Në të gjitha këto takime, tribuna e simpoziume, është prezentuar me krijimtarinë e vet, me kumtesa dhe me referate rreth letërsisë shqiptare të krijuar në ish-Jugosllavi, Shqipëri dhe vende të tjera.

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Është autor i disa botimeve antologjike: Sytë që shprepin dashni (1959, bashkë me Esad Mekulin), Shtigjeve të qëndresës – Stazama otpora (1961, në shqip dhe serbokroatisht, bashkë me Mekulin e Vehap Shitën), Panorama e letërsisë bashkëkohore shqipe në Jugosllavi (1964, bashkë me Ramiz Kelmendin e Hasan Mekulin), Ndre Mjeda: Vjersha (1962, 1970, me parathënie e aparaturë shoqëruese).

Përpiloi, zgjodhi dhe redaktoi përmbledhjen përkujtimore të poezive të Esad Mekulit Qëndresë urtësie, botim i ASHAK (1996).

Poezia e Enver Gjerqekut është botuar pothuajse në të gjitha antologjitë, përmbledhjet e panoramat e letërsisë shqipe në ish-Jugosllavi e jashtë: Shkëndijat e para (1956), Rexhep Qosja: Antologjia e lirikës shqipe (1970, 1978), Ali Podrimja e Giacomo Scotti: Fjalë të rilindura – Le parole rinate (shqip e italisht, 1970), Për ty dhe E di një fjalë prej guri (Tiranë, 1970, 1972), E nën Çabrat Gjakova (1978), Pesme gorske i ponosne (Këngë të idhta e krenare), Sedam pesnika Kosova i Metohije (Shtatë poetë të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit, Nolit, Beograd, 1962, 1968), Novija šiptarska poezija (Poezi e re shqipe, 1966), Vertikale (Split, 1970), Najnovija albanska lirika (Lirika më e re shqipe, Beograd, 1972), Bez glagola (Pa folje, August Cesarec, Zagreb, 1978), pastaj në italisht Ramo sofferente, në gjermanisht Der bekümerts Zweig dhe në frëngjisht La solitude d’une branche (Dega e pikëlluar, poezia shqipe në Jugosllavi (përzgjedhur nga Ali Podrimja dhe Sabri Hamiti, Rilindja, 1979).

Vlerësimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për veprimtari të pasur në fushën e letërsisë është fitues i shpërblimeve (çmimeve) të Këshillit Popullor të Kosovës 1950, 1957, 1959, i Shpërblimit Krahinor të dhjetorit 1960, i Shpërblimit të nëntorit të Prishtinës 1969, i Shpërblimit të Rilindjes 1976, i Shpërblimit të 7 korrikut 1989, të çmimit letrar “Aleksa Shantiq” të qytetit të Mostarit në vitin 1979, e të tjera.


Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]



  1. ^ "Radio Evropa e Lirë - Ndërroi jetë Enver Gjerqeku". {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ "Prishtina përcjell me nderime mjeshtrin e madh të sonetit Enver Gjergjeku, Gazeta Tema, 26 tetor 2008". Arkivuar nga origjinali më 24 janar 2020. Marrë më 9 janar 2020. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)