Fadil Kujovska
Fadil Kujofsa | |
---|---|
Lindi | 14 Shkurt 1951 |
Vdiq | 30 Tetor 2014 |
Kombësia | Shqiptar |
Fadil Kujofsa lindi më (14 Shkurt 1951) në Tiranë; aktor i mirënjohur shqiptar.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kreu studimet e larta për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve dhe më 1974 filloi punë në Televizionin Shqiptar. Më pas, më 1975 interpretoi në Teatrin e Gjirokastrës, ndërsa nga viti 1978 ishte aktor në Teatrin Kombëtar. Spikati si aktor i planit komik e satirik. Kujofsa u dallua veçanërisht për karakterizimin e figurave që vinin nga shtresat e ulëta shoqërore apo rangjet administrative. Më 1978 krijoi shëmbëllimin e figurës së njohur të Shvejkut në komedinë e Gjikë Kurtiqit "Miq të paftuar", nxitur nga romani i mirënjohur i Hashekut "Ushtari i mirë Shvejk". Plastika, gjestet dhe mimika, të përpunuara me shije, krijuan gjasa që ky rol të vetëshprehej si duhej në epërsitë e mundshme të të dhënave natyrore të aktorit.
Po në vitin 1978 interpretoi rolin e Hoxhë Qitapit në dramën "Besa e Madhe" të M. Markajt. Një vit më pas luajti me vërtetësi rolin e kinezit Shun në dramën "Furrnalta" të R. Pulahës, me të cilin spikati për shfrytëzimin me mprehtësi të dyplanësive, për plastikën shprehëse, qëndrimin tallës dhe sensin humoristik. Më 1982 i dha jetë njërit prej roleve të tij më të goditur, atij të Ser Tobit në komedinë "Nata e dymbëdhjetë" e Shekspirit, duke mishëruar tipin e fisnikut pijanec, ithtar epikurian, rrëmujaxhi, që i gëzohet jetës dhe qejfit me tepri, sikundër qesh e shpotit hidhtas “viktimat” e rangjeve të tij.
Me interpretimin e doktor Adhamudhit në komedinë "Pas Vdekjes" të A. Z. Cajupit (1984) ai arriti të krijojë plot bukuri skenike tipin e pseudointelektualit dhe pseudopatriotit shqiptar, duke shfrytëzuar me zgjuarsi elementet tjetëruese dhe kundërshtitë komike, plastikën shprehëse, një të folur prej megalomania që e diskreditonte paq krenarinë e tij “pseudo”-je. Origjinal dhe i veçantë ka qenë edhe në interpretimin e rolit të Poçarit në dramën "Monserati" të Roblesë (1985), atë të prefektit Vehip në komedinë "Karnavalet e Korçës" të S. Comores nga Teatri Kombetar (2003).
Fadil Kujofsa luajti role me trill e fantazi; ishte intuitiv, spontan dhe kishte nur komik. Ka interpretuar në filma artistikë si dhe në disa filma televizivë.
Filmografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Filumena Marturano - (2009) teatër
- Mao Ce Dun - (2007)...Shoku Skënder
- Trapi i vjeter - (2005)
- Pas një lajmi - (2001)
- Parullat - (2001).......Pashku
- Borxhliu - (1998)...Beqoja
- Kolonel Bunker -(1998)
- Pak freskët sonte - (1994)...kinezi
- Nata e dymbëdhjetë - teatër-komedi
- Historiani dhe kameleonët - (1989)... Veliu
- Shkëlqimi i përkohëshëm - (1988)... Caci
- Tela për violinë - (1987)
- Dy herë mat - (1986).....Cuku
- Kush vdes në këmbë-(1984)...Fake Xhani
- Duaje emrin tënd-(1984)..............llogaritari
- Dasma e shtyrë - (1984)
- Dita e parë e emrimit - (1981)........Shoferi
- Agimet e stinës së madhe - (1981).....Mehill Bani, tekniku i ures
- Vëllezër dhe shokë - (1980)...Ushtari italian
![]() | Ky artikull rreth një aktori/e është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedian duke e zgjeruar atë. |