Giovanni Fausti
Giovanni Fausti (Marcheno, 9 tetor 1899 - Shkodër, 4 mars 1946) ka qenë jezuit e misionar italian. Ndër nismëtarët e dialogut katolik-musliman në Shqipëri gjatë viteve '30, shkrimet e tij u botuan në vëllimin Islami në dritën e mendimit Kristian (it. L'Islam nella luce del pensiero cristiano) botuar në Romë më 1933.[1] Pas çlirimit, regjimi komunist e arrestoi dhe dënoi me pushkatim së bashku me sivëllaun Daniel Dajani dhe të tjerë. U lumnua dhe pranua si martir më 5 nëntor 2016, në meshën e mbajtur në katedralen së Shën Shtjefnit në Shkodër.[2]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Marcheno, lokalitet i Brozzo të Val Trompios, në provincën e Breshies në Itali. Ishte i pari nga dymbëdhjetë fëmijët e bujkut Paolo Antonio Faustit dhe Maria Sigolinit.[3] Kur u bë 10 vjeç, u pranua në seminarin e Breshies, ku zuri miqësi me Giovanni Battista Montini që do të bëhej Papa Pali VI. Kur u bë 20 vjeç u thirr në shërbim ushtarak pasi kishte ndjekur një kurs në Akademinë Ushtarake të Modenës. I liruar nga shërbimi ushtarak me gradën e togerit, iu kthye studimeve në Seminarin Papnor Lombard në Romë. U dorëzua prift më 9 korrik 1922, i diplomuar për teologji në Universitetin Papnor Gregorian dhe për filozofi në Universitetin Papnor të Shën Tomë Akuinit. Pas një viti u kthye në Breshia, ku nisi të jepte mësim lëndën e filozofisë në seminarin e qytezës.[4]
Pas 5 viteve stërvitje si jezuit, Fausti u dërgua në Shqipëri ku shërbeu si mësues filozofie në Seminarin Papnor në Shkodër. Për tre vite përparoi ndjeshëm në nxënien, leximin dhe shkrimin e shqipes si dhe u thellua në studimin e Islamit, si atij suni, por edhe të tarikateve bektashi, halveti, rufai dhe të tjerëve të bashkësisë muslimane në Shqipëri. Puna kërkimore si dhe përvoja në dorë të parë e tij u trajtuan në një seri artikujsh që i botoi në numrat e viteve 1931-33 të revistës së përkohshme La Civiltà Cattolica.[4] Përmbledhja e këtyre artikujve u botua më 1933 në një vëllim me titullin L'Islam nella luce del pensiero cristiano.[5]
Më 1932 Fausti u kthye në Itali, ku nisi të jepte mësim lëndën e kozmologjisë në Mantova; lëngonte nga tuberkulozi, të cilin e kishte vënë re se e kishte që në Shqipëri. Bëri trajtim të thelluar në Itali dhe Zvicër para se t'i kthehej mësimdhënies në Institutin Jezuit të Filozofisë në Gallarate, Milano, ku më 2 shkurt 1936 iu zotua kushteve të përjetshme të priftërisë. Gjatë gjashtë viteve të mësimdhënies u shqua për dhuntitë intelektuale në mësimdhënie dhe punës kërkimore në fushën e dialogut muslimano-katolik, që ishte fushë e re për kërkim dhe mendim shkencor. Më 1937 themeloi Lidhjen "Miqtë e Orientit Musliman," e cila asokohe u përhap në Itali e përtej.[4]
Korrikun e 1942 Fausti u rikthye në Shqipëri si rektor i Seminarit Papnor në Shkodër, dhe më tej u zhvendos në Tiranë. Edhe pasi u godit nga një plumb që i dëmtoi mushkërinë dhe theu klavikulën, vijoi veprimtarinë e tij. Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, filloi përndjekja e bashkësive fetare në Shqipëri, në këtë valë u arrestua dhe u pushkatua së bashku me sivëllezër dhe laikë të tjerë.[4]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Murzaku, Ines (2017). "Ad maiorem Dei gloriam: The Jesuits in Albania". Occasional Papers on Religion in Eastern Europe (në anglisht). 37 (6): 108.
- ^ Flocchini, Emilia. "Beati Martiri Albanesi (Vincenzo Prennushi e 37 compagni)". santiebeati.it (në italisht). Marrë më 6 tetor 2017.
{{cite news}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Bertussi, Edmondo (27 prill 2016). "Gesuita e martire: padre Fausti sarà beato". bresciaoggi.it (në italisht).
- ^ a b c d Murzaku 2017, pp. 116-118.
- ^ La Civiltà cattolica, Issues 3655-3660 (në italisht). fq. 118.