Gjimnazi me orientim gjuhësor "Asim Vokshi"
| Gjimnazi me orientim gjuhësor "Asim Vokshi" | |
|---|---|
Stema e shkollës | |
| Location | |
Rruga e Elbasanit | |
| Information | |
| Type | Shkollë e mesme me orientim gjuhësor |
| Themeluar më | 15 shtator 1965 |
| Drejtoria arsimore | ZVAP Tiranë |
| Drejtori | Mirela Reqica[1] |
| Personeli | 64 |
| Klasat | 3 |
| Regjistrimi | 735 (2019-2020) |
| Faqja e internetit | https://www.asimvokshi.com/ |
Gjimnazi me orientim gjuhësor "Asim Vokshi" është e vetmja shkollë në Shqipëri me orientim gjuhësor dhe për zhvillimin e gjuhëve të huaja. Në të mësohen gjuhët: anglisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, italisht, rusisht dhe turqisht.
Emrin e ka marrë nga patrioti i njohur Asim Vokshi. Ndodhet në Rrugën e Elbasanit dhe deri në vitet 2000 ka pasur edhe një konvikt, i cili u privatizua si godinë dhe iu kalua Universitetit Privat "Luarasi".
Historiku
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Shkolla e mesme e gjuhëve të huaja u hap në Tiranë më 15 shtator të vitit 1965. Ajo e filloi veprimtarinë e saj me mësimin e gjuhëve: anglisht, frëngjisht, rusisht dhe latinisht. Që nga viti 1980, në shkollë filluan të jepen në gjuhë të huaj edhe disa lëndë të përgjithshme si Histori, Gjeografi etj. Në vitin shkollor 1979-1980 u futën në shkollë edhe gjuhët italisht, gjermanisht dhe spanjisht. Mësimi i tyre zgjati për një periudhë 4-vjeçare, për t'u rihapur përsëri në vitin 1990.
Në vitin 1998 u hapën seksionet dygjuhëshe italisht-shqip dhe frëngjisht-shqip. Në vitin 2004, në degët e gjuhëve të huaja ndryshoi plani mësimor dhe u krijua mundësia që çdo nxënës të mësojë tri gjuhë të huaja nga dy që ishin më parë, si dhe u futën lëndët e informatikës dhe të psikologjisë.
Në vitin 1997 shkolla mori emrin "Asim Vokshi".
Në vitin shkollor 2009, shkolla u përfshi në reformën arsimore. Në vitin 2010 ajo u kthye në gjimnaz me orientim gjuhësor, ndërsa në vitin 2011 përfundoi rikonstruksioni i plotë i shkollës. Aktualisht shkolla numëron mbi 987 nxënës dhe rreth 60 mësues. Për vitin shkollor 2017-2018, gjuha turke ishte një risi, dhe aktualisht klasat e dhjeta e fillojnë mësimin me tri gjuhë të huaja.
Struktura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Struktura e shkollës është e njëjtë me atë të gjimnazit të përgjithshëm; zhvillohet kurrikula bërthamë, kurrikula me zgjedhje të detyruar dhe kurrikula me zgjedhje të lirë, në të cilat nxënësi mund të zgjedhë lëndët dhe modulet që ka dëshirë sipas orëve të planifikuara.
Programi dhe plani mësimor u krijon mundësinë nxënësve që pas diplomimit të vazhdojnë studimet jo vetëm në degët e gjuhëve të huaja, por edhe në degë të tjera të universiteteve brenda dhe jashtë vendit.
Nxënësi mund të grumbullojë gjatë tre viteve të shkollimit deri në 94 kredite (të detyrueshme janë 90 kredite për t'u pranuar në provimet e Maturës Shtetërore).
