Jump to content

Grupet e deputetëve

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Grupet e Deputetëve qenë pjesë e deputetëve dalur nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, pjesë e Frontit Demokratik në Kuvend, por duke qenë zëri kritik në jetën parlamentare, pothuaj të gjithë me qëndrime properëndimore e proamerikane. Me mbarimin e proceseve ndaj teknikëve intelektualë në proceset “sabotuese” në Maliq në nëntor 1946, gjatë viteve 1947-1948 vëmendja e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit u drejtua mbi inteligjencien e vendit.

Pas Kryengritjes së Postribës më 9 shtator 1946, i akuzuari i parë në radhën e deputetëve ishte Riza Dani. Pas tij, më 23 dhjetor 1946, Kuvendi Popullor vendosi t'ia heqë mandatin dhe imunitetin parlamentar së bashku me tre deputetët e tjerë të Shkodrës: Kolë Prelës, Zef Haxhisë dhe Hysni Pejës.[1]

Më 15 maj 1947, Ministria e Punëve të Brendshme i kërkoi Presidiumit të Kuvendit Popullor që t'i hiqej imuniteti deputetëve: Shefqet Beja, Riza Alizoti, Kol Kuqali, Selaudin Toto, dr. Enver Sazani, Irfan Majuni, Faik Shehu, Sheh Karbunara, Kostandin Boshnjaku dhe Islam Radovicka. Heqja e imunitetit u krye pa debat parlamentar, në një situatë të tensionuar. Krahas deputetëve, u përfshinë edhe figura si: Sulo Konjari, Ramazan Tabaku, Riza Alizoti, Foto Bala, Abdyl Kokoshi, Syrja Selfo, Mestan Ujaniku, Beqir Çela etj.

Ndërkohë që një pjesë e tyre u arrestuan para heqjes së mandatit, Kuqali, baba i dy dëshmorëve të Rezistencës shqiptare, vdiq më 30 maj 1947 pas 10 ditë torturash.[1]

Pas dy grupeve të para, në mars 1948 u gjykua “grupi i tretë”. Në këtë “grup” nuk kishte asnjë ish deputet, por të gjithë akuzoheshin për lidhje miqësore me të dënuarit e dy proceseve të para, e për këtë arsye arsye këta mund të konsiderohen si “grupi i tretë”.[2]

Ndonëse grupi i parë u arrestua më herët, gjyqi ndaj tyre u bë më vonë. Për grupin e Bejës gjykimi filloi më 4 shtator 1947 në sallën e kinemasë "17 Nëntori", ndërsa për grupin e Danit më 31 dhjetor të po atij viti në kinemanë "Nacional". Akt-akuzat e paraqitura dhe formuluara nga N/prokurori i Përgjithshëm Josif Pashko ishin:

  1. Krijim grupesh ilegale;
  2. Krijim i një Komiteti Qendror, kryesuar nga Shefqet Beja;
  3. Ndihmë për kriminelët e arratisur, me të cilët do të organizohej një kryengritje për të rrëzuar Pushtetin Popullor;
  4. Nxitës e organizatorë të Lëvizjes së Shkodrës me dt. 9 shtator 1946
  5. Të lidhur me Misionin Amerikan në Shqipëri dhe aspirantë për një demokraci perëndimore, etj.

Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i përbërë nga kryetari major Niko Ceta, anëtarët kapiteni I Nexhat Hyseni anëtar dhe Kapiteni i II Mustafa Iljazi shpallin vendimin e dënimit të grupit të deputetëve dhe shumë intelektualëve të tjerë, bashkëpunëtor të tyre.[3]

Në grupin e Bejës u gjykuan 24 vetë, nga të cilët 16 vetë u dënuan me vdekje: Beja, Alizoti dhe Sulo Klosi me varje; Majuni, Toto, Tefik Deliallisi, Sazani dhe Sheh Karbunara[1] me të birin,[4] Agathokli Xhitomi, Kokoshi, Salim Kokalari, Beqir Çela, Mehmet Prishtina, Paolo Saggioti, Tefik Deliallisi dhe Pertef Karagjozi.[5]

Ndërsa nga grupi i Danit u gjykuan 19 vetë, nga të cilët 7 vetë me vdekje: Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka,[1] Syrja Selfo (35 vjeç), Uan Filipi (46 vjeç), Hilmi Hysi, (35 vjeç), Hasan Reçi (43 vjeç). U dënuan me dënime të ndryshme: Arif Gjyli (ish-deputet), dr. Isuf Hysenbegasi, Kostandin Boshnjaku (ish-deputet), Demir Kallaratin, Bexhet Shehu, Adem Beli, Hivzi Kokalari, Mestan Ujaniku, Halit Gjolena, Kamber Jaskollari, Ibrahim Hasani, Nexhmi Ballka.[6]

Procesi u hap më 22.3.1948 në Tiranë nga një trupë gjykuese ushtarake e drejtuar nga kapiten I Abdyl Hakiu, kapiten II Shaban Rezha dhe toger Hamet Çiraku, duke pasur pranë prokurorin kapiten Petrit Hakani. Me vendimin nr.212, datë 30.3.1948, Gjykata Ushtarake e Tiranës në batë të neneve 6, 8, 10, të ligjit nr.372 dhe nenit 15 të ligjit nr.373, vendosi konfiskimin e pasurisë, si dhe këto dënime:[2]

  • Me vdekje, pushkatim, të shtetasve: Haki Karapici, Irfan Pustina, Ali Bakiu, Ymer Keçi.
  • Me 20 vjet burgim: Vasil Xhaj.
  • Me 15 vjet burgim: Kadri Kërçiku, Baltazar Benusi.
  • Me 10 vjet burgim: Enver Topulli, Gjergj Ashta, Adem Xhepa, Kel Koxhobashi, Ali Shtëpani.

Me vendimin nr.127, datë 21.4.1948, Gjykata e Lartë Ushtarake bëri këto ndryshime:

  • Me burgim të përjetshëm: Haki Karapici, Irfan Pustina, Ali Bakiu, Ymer Keçi.
  • Me 7 vjet burgim: Baltazar Benusi
  • Me 5 vjet burgim: Ali Shtëpani
  • Me 2 vjet burgim: Kadri Kërçiku
  • Me paraburgimin e kryer: Vasil Xhaj, Adem Xhepa, Enver Topulli
  • Pafajësi: Gjergj Ashta, Kel Koxhobashi

Mbetej në fuqi vetëm konfiskimi i pasurisë i të dënuarve me burgim të përjetshëm.

  1. ^ a b c d Gurakuqi, Romeo (2018). Shqipëria dhe tokat e lirueme (1939-1946). Durrës: Jozef. fq. 1193–1195. ISBN 9928-241-84-8.
  2. ^ a b Dervishi, Kastriot (30 prill 2018). "Grupi i tretë i deputetëve, 1948". gazeta55.net.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  3. ^ "Gjyqi i deputetëve '47, 90% i manipuluar, torturat e tmerrshme". Shqiptarja.com. 11 tetor 2017. Marrë më 13 tetor 2017.{{cite news}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  4. ^ "Aktakuza: Rrëzimi me forcë i pushtetit popullor". rd.al. Rilindja Demokratike. 10 tetor 2017.
  5. ^ "Drejtësi e harruar..! 72 vite nga ekzekutimin i deputetëve të opozitës". E Djathta Press. 9 tetor 2019. Marrë më 8 nëntor 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  6. ^ Dervishi, Kastriot (5 shkurt 2018). "Grupi i dytë i deputetëve, 1948". elbasaninews.al. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 16 mars 2019.