Historia e Kabilit dhe Habilit
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. Ndihmoni që faqet e tjera me temë të ngjashme të lidhen me të. (Data: shtator 2012) |
Kjo histori e Kabilit dhe Habilit përmendet shkurtimisht në suren Maide, nga ajeti 27 deri në ajetin 32. Ajo fillon me fjalët:
“Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit;” (Maide, 27)
“dy bijve të Ademit” tregon se ajo është një ngjarje që i drejtohet të gjithë bijve të Ademit, pra është një histori me përmasa botërore. Ajo nuk u drejtohet vetëm myslimanëve, por të gjithë njerëzimit. Ajo është një mesazh me përmasa botërore, për reformimin dhe zhvillimin e njerëzimit, ashtu siç është vetë Kurani një mesazh për të gjithë botën. Fjalët e para të Kuranit fillojnë me:” Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve,” (Fatiha, 2) Sakaq, fjalët e fundit me të cilat mbyllet Kurani fisnik janë:” Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve,” (Nas, 1)
Fjalët “dy bijve të Ademit” sikur i drejtohen Profetit a.s që ti komunikojë umetit të tij dhe gjithë njerëzimit, thelbin dhe mesazhin e kësaj historie. Ajo është shumë e rëndësishme për mbarëvajtjen e jetës humane mbi tokë.
Kurse fjalët “saktësisht” do të thonë se konflikti personal, mes dy vëllezërve. Ky konflikt, u thellua aq shumë, saqë njëri nga vëllezërit ndërmori hapin mizor për të eliminuar fizikisht vëllain tjetër. Nëse këtë ngjarje do ta dëgjonim nga goja e njërit prej dy vëllezërve, do e dëgjonin krejt të ndryshme nga versioni i tjetrit. Kështu, fjalët “saktësisht” presin çdo dyshim se kjo ngjarje mund të jetë manipuluar nga njëra palë.
Objektivat e historisë së Kabilit dhe Habilit
Popullsia e botës sot është afro shtatë miliardë. Nëse do i ktheheshim zanafillës së jetës së njeriut mbi tokë, do të gjenim se ajo përbëhej nga dy prindër, baba dhe nënë, dy vajza dhe dy djem, Kabili dhe Habili. Pra, numri i tyre ishte gjashtë.
Ajo është një histori e vjetër, por që efektet që la pas, vazhdojnë të përsëriten gjer në ditët tona. Ajo është një histori për të gjithë lidhjet farefisnore të shkëputura, për çdo familje që përjeton konflikte dhe shamata, është histori e vëllezërve që ndahen dhe harrojnë njëri-tjetrin pas vdekjes së babait. Ajo është histori e gjakut që derdhet dhe ka skuqur faqen e tokës. Ajo është histori e egos njerëzore e cila vuan nga problemet për të cilat nuk gjen dot zgjidhje. Ajo është një histori e së kaluarës, të cilën e shohim të përsëritet në të tashmen.
Kjo ngjarje dhe histori, përcjell tre mesazhe të rëndësishme:
1 – Jo prishjes së lidhjeve farefisnore dhe familjare.
2 – Jo derdhjes së gjakut, sidomos brenda familjes. Ajo i drejtohet atyre vendeve të cilat janë përfshirë nga dhuna dhe gjakderdhja mes bijve të një kombi.
3 – Njihe mirë veten.
Sëmundjes e egos njerëzore
Gjashtë janë sëmundjet që zakonisht prekin egon (nefsin) e njeriut. Ato janë sëmundje më të rrezikshme dhe me pasoja më të rënda sesa sëmundjet e trupit. Kjo, pasi nëse bashkohen tek një person i vetëm, e shtyjnë drejt zjarrit të xhehenemit. Objektivi i kësaj teme, është që të mësojmë trajtimin dhe kurimin e këtyre sëmundjeve, të cilat janë:
Mendjemadhësia.
Zilia.
Koprracia.
Lakmia.
Nevrikosja.
Secili prej nesh, duhet ta njohë veten dhe sa për qind është i prekur nga këto sëmundje. Nëse ka ndonjë që nuk konstaton shenja të këtyre sëmundjeve, ai është njeri i mirë dhe për këtë do të fitojë xhenetin në dashtë Zoti. Ashtu siç shqetësohemi për lukun dhe pamjen tonë të jashtme, duhet të shqetësohemi dhe për anën tonë të brendshme, për egon dhe nefsin. Ne duhet ta dimë nëse kemi ego (nefs) të qetë, ego kritike, apo ego që nxit për vepra të liga. A merresh me sëmundjet e zemrës tënde o vëlla dhe oj motër?
Duke u prezantuar me Kabilin, ti o vëlla dhe oj motër do të prezantohesh me egon tënde dhe sëmundjet e saj. Sakaq, duke njohur Habilin, do të njohësh egon dhe veten e mirë. Vendosja para këtyre dy figurave, Kabilit dhe Habilit, shërben si një pasqyrë, ku secili prej nesh sheh veten, nëse është më pranë Kabilit apo Habilit. Kjo histori, i drejtohet çdo familjeje ku vëllezërit janë grindur për ndarjen e trashëgimisë pas vdekjes së babait. Ajo i drejtohet atyre vëllezërve të cilët nuk kanë arritur të bashkëjetojnë si partner të kompanisë që u la trashëgim babai, por secili i shiti aksionet e tij.
Personazhet e historisë
Personazhet kryesore të kësaj ndodhie dhe ngjarjeje janë gjashtë; dy prindërit, dy vëllezërit dhe dy motrat e tyre.
Ademi a.s është babai i parë dhe personi i parë i cili do të kryejë funksionin prindëror mbi faqen e tokës. Ai nuk u bë baba në xhenet, por pasi zbriti në tokë. Ai jetoi edhe në xhenet, edhe në tokë. Dhimbja e zbritjes nga xheneti në tokë, ishte shumë e madhe për Ademin a.s.
Sakaq, nëna e fëmijëve është Havaja, nëna e parë që mbetet shtatzënë dhe lind fëmijë. Ajo është nëna e parë që përjeton ndjesinë e të qenit nënë. Ajo nuk ka njohur burrë tjetër përveç Ademit, të cilin e donte çmendurisht. Ashtu si Ademi, edhe ajo e përjetoi me dhimbje zbritjen nga xheneti.
Dy djemtë e tyre, janë Kabili dhe Habili. Kabili është djali më i madh dhe djali i parë që u lindi Ademit dhe Havasë. Këtë e gjejmë të përmendur në hadithin e Profetit a.s i cili thotë:”Për çdo njeri që vritet padrejtësisht deri në Ditën e Kiametit, biri i parë të Ademit do vuajë, pasi ai ishte personi i parë që vrau.”
Kabili dhe Habili ishte dy djemtë e parë të Ademit, ashtu siç përbëjnë dallimin mes të mirës dhe të ligës, mes fuqisë dhe urtësisë, mes euforisë dhe maturisë. Sakaq, dy vajzat janë vajzat e para të cilat përjetojnë ndjesinë e të qenit femër dhe vajzat e para të cilat përjetojnë ndjesinë e martesës.
Skena e ngjarjes
Përvoja njerëzore sa kishte filluar të hedhë rrënjët e para të saj. Familja e Ademit a.s, ishte përvoja e parë familjar mbi faqen e tokës. Kurani fisnik, nuk na e rrëfen historinë e tyre në detaje, por mjaftohet duke cekur gjashtë skena të ndryshme.
1 – Skena e therrjes së kurbanit.
2 – Skena e konfliktit
3 – Skena e vrasjes
4 – Skena e pendimit
5 – Skena e sorrës
6 – Skena e varrosjes
Megjithëse kjo ngjarje është e mbushur me emocione, ndjesi dhe ndodhi prekëse, Kurani nuk ka folur për to. Me këtë rast, mund të veçojmë ndjesinë e nënës Hava pasi ka humbur fëmijët. Vallë si mund të jetë ndjerë ajo? Si është ndjerë dhe çfarë ka përjetuar Ademi a.s pas kësaj ngjarjeje të kobshme? Vallë si janë ndjerë dy vajzat e Ademit a.s?
Kurani fisnik, si në shumë raste të tjera, jep vetëm disa linja të përgjithshme të ngjarjeve, duke lënë hapësira për imagjinatën njerëzore. Kjo bëhet me qëllim që interpretimi i Kuranit të jetë i ri dhe i freskët gjatë gjithë historisë njerëzore, sipas zhvillimit dhe emancipimit të njeriut.
Rrënjët historike të kësaj ngjarjeje
Po tu shkojmë pas rrënjëve historike të kësaj ndodhie, do i gjejmë ato në qiell, para se Ademi a.s të zbresë në tokë. Gjatë jetës së Ademit a.s në xhenet, hasim pesë fragmente të cilat kanë lidhje me aktin e shëmtuar të Kabilit me të vëllain e tij Habilin. Në këto pesë fragmente, ne kemi shkëputur gjashtë sëmundjet e zemrës dhe të unit njerëzor, të cilat ishin: Mendjemadhësia, zilia, koprracia, lakmia, inati dhe nevrikosja.
Fragmenti i parë, është dialogu mes melekëve dhe Zotit. “Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”, (Bekare, 30)
Diçka e tillë ishte nder dhe lavdi për Ademin a.s. Ai fitoi titulli “hafife” mëkëmbës dhe përgjegjës për mbarëvajtjen e jetës mbi tokë. Që këtu, zë fill sëmundja e parë. Ky nder, e revoltoi Iblisin tek i cili lindi zilia dhe smira për Ademin a.s. Që këtu lindi haseti, smira dhe zilia.
Fragmenti i dytë: Thotë profeti Muhamed a.s:”Kur Zoti krijoi krijesat, lidhjet farefisnore u ngritën dhe u ngërthyen për Arshit të Zotit, duke thënë:”O Zot! Ky do të jetë vendi i atij që kërkon ndihmën Tënde për të mos i prerë lidhjet e gjakut.” Zoti i tha:”A nuk je e kënaqur që ata që shkojnë mirë me gjakun e tyre ti mbaj pranë dhe ata që shkojnë keq ti mbaj larg mëshirës Time?” Lidhjet e gjakut u përgjigjën:”Po o Zot, jemi të kënaqur.”
Këtë fragment e ndoqi Ademi a.s dhe e kuptoi rëndësinë e lidhjeve të gjakut.
Fragmenti i tretë: “Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata u përulën, përveç Iblisi..” (Bekare, 34)
Zoti i lartësuar e pyeti: “Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?” Ai u përgjigj: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta”. (Araf, 12)
Pra, sëmundja e dytë që u shfaq ishte mendjemadhësia. Edhe pse balta është më e dobishme se zjarri, pasi ajo ndërton kurse zjarri shkatërron, mendjemadhësia e çoi shejtanin të mos i bindej urdhrit hyjnor. Iblisi nuk e mohoi ekzistencën e Zotit. Jo vetëm që nuk u pendua nga thyerja e urdhrit të Zotit, por ai ndërmori dhe një hap akoma më të rëndë:”Gjithashtu, tha: “A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua? Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do tu vë fre pasardhësve të tij, përveç një pakice prej tyre!” (Isra, 62)
Ai u betua se njerëzve do u vërë fre, siç u vihet kafshëve, me qëllim që ti tërheqë nga të dojë ai. Me anë të këtij freri, ai do i çojë njerëzit drejt vjedhjes, drejt kamatës dhe fitimit të pasurisë në rrugë të pandershme, drejt marrëdhënieve jashtë martesore dhe gjynaheve të tjera. Pra, shohim që sëmundja e tretë është inati.
Fragmenti i katërt: Pema e përjetësisë. Por djalli e cyti: “O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?” (Taha, 120)
Pemët dhe frutat e xhenetit ishin pafund, por shejtani e tundonte Ademin a.s me pemën dhe frytin e ndaluar nga Zoti. Ai e bën njeriun ta shohë të ndaluarën si gjënë më të bukur, si kulmin e kënaqësisë. Kështu, lindi sëmundja e katërt, lakmia.
Fragmenti i pestë: Pendimi i Ademit a.s. Pendimi është ilaçi i sëmundjeve të zemrës dhe të egos. Ngrënia nga pema e ndaluar, shkaktoi zemërimin e Zotit. Pasi të dyve iu zbuluan pjesët e turpshme, Ademi a.s filloi të vrapojë në xhenet. Zoti e pyeti:”A po ikën prej Meje o Adem?!” Ai iu përgjigj:”Jo o Zot! Por më vjen zor prej Teje.”
Ademi a.s zbriti në tokë duke qarë për gjynahun që kishte bërë. Edhe pse Zoti ia pranoi pendimin, Ademi a.s u mërzit dhe pikëllua shumë nga ajo që kishte ndodhur. Zoti i thirri:”O Adem! Mos u pikëllo ngaqë të nxora nga xheneti, pasi atë e kam krijuar për ty. Zbrit në tokë, mbill farën e devotshmërisë dhe nëse të merr malli për xhenetin, hajde të ta jap sërish. O Adem! Nëse do të mbroj ty dhe fëmijët e tu nga gjynahet, ku do e manifestoj mëshirën dhe dhembshurinë Time? O Adem! Në xhenet, vije tek ne si mbreti tek mbreti, kurse që sot do të vish si skllavi tek mbreti, gjë e cila është më e dashur për Mua. O Adem! Një gjynah i cili të nënshtron ndaj madhështisë Time, është më i dashur se një vepër e mirë, me të cilën mburresh. O Adem! Rënkimi i gjynahqarëve është më i dashur tek unë sesa lavdet e mburravecëve.”
Duke studiuar egon e Kabilit dhe të Habilit, ne studiojmë dhe eksplorojnë egot tona. Neve na del detyrë që të merremi me sëmundjet e egos dhe zemrës, që cekëm më lart.
Zbritja e Ademit a.s dhe Havasë në tokë
Me zbritjen në tokë, Ademi a.s filloi të punojë për të siguruar jetesën. Në tokë, i duhej të përballej me një jetë të vështirë, e kundërta e asaj që jetoi në xhenet. “Këtu nuk do të mbetesh kurrë as i uritur e as i zhveshur, dhe nuk do të kesh as etje, as vapë.” (Taha, 118)
Ai kishte zbritur në një planet ku bënte vapë dhe ftohtë, ku kishte dimër dhe verë, ku e merrte uria dhe ku ngopej, ku mërzitej dhe gëzohej, ku qante dhe qeshte, ku dështonte dhe kishte sukses, ku kishte kafshë të buta dhe të egra. Me qëllim që të përballonte një jetesë kaq të vështirë, atij i duheshin krahë pune. Kështu lindi instikti për tu shumuar. Havaja mbeti shtatzënë me dy binjakë, një djalë dhe një vajzë. Djali i parë u quajt Kabil. Në lindjen e dytë, Havaja lindi një djalë dhe një vajzë tjetër. Djalit të dytë, i vunë emrin Habil. Kështu familja filloi të shtohej dhe Ademi a.s ushtronte rolin e tij si baba. Ai u rrëfente fëmijëve mbi historinë e tij në xhenet, ku melekët i ishin përulur si shenjë respekti. Ai u fliste mbi rëndësinë e lidhjeve farefisnore, të cilat i kishte parë të ngërtheheshin pas Arshit. Ashtu siç u fliste mbi smirën dhe xhelozinë e Iblisit, i cili i tundoi dhe joshi për të ngrënë nga pema e ndaluar. Ai u thoshte se duhet të bëjnë kujdes nga shejtani, i cili i ngre njeriut kushedi sa pusi.
Fëmijët filluan të rriten dhe tu shfaqen shenjat e burrërisë. Habili dukej më i fuqishëm fizikisht. Ai ishte më i dashur dhe më i dhembshur se Kabili. Sakaq, Kabili ishte i ashpër, i dhunshëm dhe agresiv. Dikush mund të thotë se Kabili është i pafajshëm për këtë natyrë dhe këto tipare. Në fakt, kjo është një ide e gabuar. Kur Ademi a.s u vendos në tokë, fëmijët e tij kishin mundësi të merreshin me dy zanate: Punimin e tokës ose kullotjen e bagëtive. Kabili filloi të merrej me kullotjen dhe mbarështimin e bagëtive, sakaq Habili punonte tokën. Habili ishte shumë i shkathët dhe kureshtar. Ai dëshironte të mësojë gjithçka që dinte babai i tij Ademi a.s. Kurse Kabili ishte përtac dhe dembel, ai nuk donte të punojë dhe të lodhet. Pas një farë kohe, Habili filloi të demonstrojë aftësi dhe dhunti të rralla. Të gjithë njerëzit kanë aftësitë për tu zhvilluar dhe për tu aftësuar. Zoti është i drejtë dhe aftësitë ua ka shpërndarë njerëzve në formë të barabartë. Janë njerëzit vetë ata që i shfrytëzojnë ose jo këto aftësi.
Kabili, në vend që të merrej me veten, të punonte dhe të aftësohej, filloi të merrej me të vëllain. Ai e xhelozonte të vëllain për aftësitë dhe suksesin që kishte arritur. Ky është mesazhi i parë që u drejtohet etërve dhe nënave; Kurrë mos e lejo fëmijën të bëhet dembel dhe përtac. Ai duhet të merret me diçka gjatë pushimeve verore, duhet të punojë, të merret me sport, ose të mësojë zanate. Bëni çmos që ti zbuloni dhuntitë e fëmijëve tu dhe i zhvilloni ato, me qëllim që të mos lindë xhelozia dhe smira mes vëllezërve. Dembelizmi është zanafilla e hasetit dhe zilisë. Ai është shkaku kryesor për mos shfrytëzimin e aftësive dhe dhuntive të njeriut. Kjo ngjarje, është mesazhi që i drejtohet çdo të riu; fokusohu tek vetja jote, rivalizoje veten, mëso, studio dhe puno. Historia e Kabilit i drejtohet dhe dhurohet çdo të riu dembel dhe përtac, që nuk e pëlqen punën dhe lodhjen.
Fëmijët u bënë burra dhe mbushën moshën për martesë. Sipas ligjeve të asaj kohe, djali i shtatzënisë së parë, duhej të martohej me vajzën e shtatzënisë së dytë. Kështu, Kabili duhej të martohej me binjaken e Habilit dhe anasjelltas. Edhe në këtë rast, shejtani filloi të nxisë konflikt mes dy vëllezërve. Ai ia zbukuron njeriut të ndaluarën dhe atë që nuk e ka në dorë. Kështu, shejtani i thotë një ditë Kabilit: ”Binjakja jote është më e bukur se ajo e Habilit, prandaj martohu ti me të.” Kështu ai filloi lojën e tij të shëmtuar, duke nxitur dhe stimuluar lakminë. Bazuar në këtë, Zoti na urdhëron të ulim shikimin para femrave të huaja. Ky është një mesazh i fuqishëm për prindërit, që të mos u japin fëmijëve gjithçka që kërkojnë, pasi kështu u kultivojnë lakminë.
Një ditë, Omer ibnul Hattabi po ecte në treg i shoqëruar nga një person. Shoqëruesi, sa herë që shihte diçka që i pëlqente, e blinte. Umer i thotë:”A çfarëdo që të pëlqen e blen?!”
Iblisi filloi ti shfaqë të metat re gruas me të cilën do të martohej Kabili, duke i mbajtur të fshehta cilësitë e saj të mira, dhembshurinë, besën dhe nderin. Ka shumë njerëz që i neglizhojnë cilësitë dhe hijeshinë e vërtetë të femrës.
Ademi a.s nga ana e tij, orvatej që ta nxisë djalin për ti shfrytëzuar aftësitë dhe dhuntitë e tij, por Kabili ishte shumë kokëfortë dhe inatçi.
Po ti o vëlla a je inatçi? A i ke zili vëllezërit dhe motrat e tua?
Kurbani i Kabilit dhe i Habilit
Ademit a.s i lindi një ide në kokë; një konkurs mes dy djemve. Me këtë, ai shpresonte ta nxisë Kabilin dembel. Kështu, nëse prindërit kanë një fëmijë dembel, duhet të përdorin metoda të ndryshme që ta stimulojnë drejt suksesit dhe punës. Ademi a.s u kërkoi të ofrojnë nga një kurban për hatër të Zotit. Kurbani më i mirë, do të zgjidhej dhe pranohej nga Zoti. Edhe pse ua këshilloi këtë garë, Ademi a.s qëndroi neutral duke mos u bërë palë me asnjërin. Nuk ka përse prindërit të bëhen palë me njërin nga fëmijët në kurriz të tjetrit.
“Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo.” (Maide, 27)
Kabili nga ana e tij ofroi kurbanin më të pavlerë, drithin më të padobishëm dhe të pavlerë. Siç thamë, ai ishte lakmitar dhe koprac i madh. Sakaq, Habili ofroi një viç të shëndoshë dhe të trashë.
Nëse ndodhesh përballë një projekti të rëndësishëm, si martesa, provimet etj... afrohu me Zotin duke vepruar një vepër të mirë, një sadaka, vajtja në Haxh, një umre, agjërim, namaz nate etj... pra diçka që e pëlqen Zoti dhe të afron me të më shumë.
Zoti i tregoi Ademit a.s se kurbani i Habilit ishte pranuar, sakaq ai i Kabilit ishte refuzuar. Kështu, ata u informuan mbi rezultatin përfundimtar të kësaj gare. Sakaq, ne njerëzit e tjerë do e shohim rezultatin përfundimtar të veprave tona vetëm Ditën e Kiametit. Nëse Zoti do na e tregonte se kujt i pranoheshin veprat e mira dhe kujt jo, zilia dhe xhelozia do të na merrnin më qafë. Duke mos e ditur këtë, ne bashkëjetojmë me njëri-tjetrin në këtë dynja dhe e frenojmë zilinë.
Katër këshilla për prindërit:
1 – Mos i lër fëmijët të dembelosen.
2 – Eksploroji dhuntitë e fëmijëve.
3 – Mos fillo me ndëshkimin.
4 – Stimuloji fëmijët me konkurs dhe gara të ndryshme.
“Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras”. Tjetri tha: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit. “ (Maide, 27)
Ai nuk u mendua aspak, por e shprehu menjëherë dëshirën për ta vrarë të vëllain. Mesa duket, atij i shpëtoi kjo fjalë, nuk e kishte qëllim, pasi nuk kishte planifikuar për këtë. Nga nervozizmi dhe inati momental, ai shprehu një instinkt kafshëror. Po ti o vëlla dhe oj motër, a je nevrik? Nëse po, sa është niveli i nervozizmit tënd? Çfarë bën kur nevrikosesh? A bërtet dhe çirresh? A a frenon veten kur nevrikosesh, apo nuk matesh se çfarë bën? A i qëllon të tjerët kur nevrikosesh? A i shan ata? A i ofendon dhe i keqtrajton? Ngaqë Kabili nuk i tregoi kujdes instinkteve dhe sëmundjeve të egos, kapërceu në një stad të rrezikshëm. Njeriu e ka në dorë ti luftojë sëmundjet e zemrës dhe të egos. Ato mund të përmirësohen me mund, përpjekje dhe dëshirë të mirë.
Nëse do të imagjinonim një bisedë mes Ademit a.s dhe Havasë, do e dëgjonim ti thotë:”Djali ynë po e përsërit të njëjtin gabim dhe po i vë veshin shejtanit.” Nëse do imagjinonim Havanë duke biseduar me vajzat e veta, do u thoshte:”Ju jeni prehri dhe dhembshuria e familjes.” Nëse do imagjinonim një bisedë mes Havasë dhe Kabilit, do e dëgjonim duke e këshilluar për pasojat që ka shkuarja keq me vëllain dhe familjen.
Ne duhet të sillemi mirë dhe farefisin dhe të afërmit. Kurrë nuk duhet ta harrojmë hadithin kudsij, ku Zoti thotë:”Unë jam i Gjithëmëshirshmi, prej emrit tim rrjedh farefisi (në arabisht). Kushdo që shkon mirë me farefisin, do mbaj pranë Meje. Kushdo që shkon keq me të afërmit, do e largoj nga mëshira Ime.”
Thotë Profeti a.s:”Mëshira e Zotit nuk gjendet tek ata njerëz ku nuk ruhen lidhjet e gjakut.”
Nëse do imagjinonim një bisedë mes Ademit a.s dhe Habilit, do e dëgjonim duke e këshilluar të tregohet i duruar dhe i matur me sjelljet e të vëllait. Familja e tyre kishte nevojë për biseda të shtruara. Ndonjëherë, problemet familjare shihen si të nevojshme, pasi ato krijojnë hapësira për dialog dhe biseda të frytshme mes familjarëve.
Kabili vuante nga gjashtë sëmundje, ku më të rrezikshmet ishin; mendjemadhësia dhe zilia. Të kesh zili, do të thotë të neveritesh kur e sheh tjetrin në gjendje të mirë, duke uruar heqjen e kësaj të mire. Diçka e tillë është haram. Por nëse ti uron që të mirat që ka tjetri ti kesh edhe ti, pa u privuar ai, kjo është e lejuar. Haseti kalon në disa stade, ku i pari është haseti që shoqërohet me pendim. Mandej, vjen haseti që të shqetëson dhe të lë pa gjumë. Në stadin e radhës vjen haseti të cilin e injoron dhe e anashkalon. Mandej vjen haseti që shoqërohet me keqtrajtim dhe akte të papranueshme. “dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë” (Felek, 5)
Nëse ideja dhe mendimi përkthehet në vepra dhe akte për ta privuar tjetrin nga të mirat, atëherë kjo zili dhe smirë konsiderohet si fatkeqësi. Kjo, pasi kështu ti ndërhyn në caktimin e Zotit dhe vullnetin e Tij në shpërndarjen e të mirave. Thotë profeti Muhamed a.s:”Ruhuni nga zilia, pasi tek zemra e një personi nuk bashkohet zilia dhe besimi.” “Zilia i djeg veprat e mira, ashtu siç djeg zjarri drurin.” Po ti o vella dhe oj moter,a keni zili dhe smire dikend? A jeni orvatur qe ta pengoni diken nga suksesi dhe perparimi?