Homer Simpson

Homer Jay Simpson është kryeprotagonisti i serialit vizatimor amerikan The Simpsons, që është edhe pjesë e familjes titullore. Ai u paraqit për herë të parë në televizion brenda filmit të shkurtër "Good Night" në The Tracey Ullman Show më 19 prill 1987. Karikaturisti Matt Groening e krijoi dhe dizajnoi Homerin teksa po priste afër zyrës së James L. Brooks-it. I krijuar fillimisht si pjesë e një serie të filmave të shkurtër bazuar mbi komik stripin e tij Life in Hell, Groening vendosi të zhvillonte personazhe të tjerë. Pas dy vitesh në The Tracey Ullman Show, familja Simpson fitoi një serial për veten që filloi së transmetuari në Fox më 17 dhjetor 1989. Në moshën 36, Homer është kryefamiljari i Simpsonëve; është i martuar me Marge-in, me të cilën ka tre fëmijë, Barti, Lisa dhe Maggie. Si ai që sjell më së shumti të ardhura në shtëpi, Homer punon kryesisht si inspektor i sigurisë në Termocentralin Nuklear të Springfield-it. Ai mishëron disa stereotipe të klasës punëtore amerikane: ai është mbipeshë, tullac, i pamatur, i zhurmshëm, agresiv, dembel, injorant, joprofesional, dhe thellësisht i dashuruar me birrën, ushqimin e shpejtë dhe televizionin. Përkundër të gjitha këtyre të metave, Homeri është në thelb një burrë me zemër të madhe dhe mbrojtës i familjes së tij.
Në filmat e shkurtër dhe episodet e hershme të Simpsonëve, Dan Castellaneta i dha zërin Homerit me një imitim të përafërt të Walter Matthau-t. Mirëpo, duke nisur nga sezoni i dytë i serialit të plotë, zëri i Homerit u zhvillua në një ton më të mirëfilltë dhe unik që shpreh një gamë më të gjerë emocionesh. Homeri u paraqit edhe në media të shumta të Simpsonëve, siç janë video lojërat, The Simpsons Movie (2007), reklamat, librat komikë, dhe ka frymëzuar mallra të shumta. Fraza e tij ikonike, gjëma e neveritur "D'oh!", është njohur në gjuhësi, duke u paraqitur në Fjalorin e Ri Oxford të Anglishtes prej 1998-ës dhe në Fjalorin Oxford të Anglishtes prej 2001-tës.
| Ky artikull rreth një personazhi fiktiv është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedian duke e zgjeruar atë. |