Mali i Gjalicës
Gjalica është mali më i lartë i rrethit Kukës, 2489m mbi nivelin e detit i cili bën pjesë në vargun malor të Korabit (vargmal në skajin lindor të Shqipërisë, midis rrethit të Kukësit e atij të Dibrës) dhe shtrihet në skajin veri-lindor të këtij vargu, midis pellgut të Kukësit në veri-perëndim dhe pllajës së Shishtavecit në jug-lindje. Në veri-lindje Gryka e Vanave e ndan nga mali i Koritnikut, kurse kanioni i Bicajt e quajtur ndryshe "Shkalle e Keqe" ku kalon dhe përroi i Shejës në jug-perëndim e ndan nga mali i Kolesjanit. Pjesa kulmore formon një kreshtë të mprehtë, që bie pingul mbi Grykën e Vanave, kurse shpatet janë mjaft të pjerrëta duke formuar rrëpira të dukshme tektonike në gëlqerorët e pjesës së poshtme të tyre. Ka formë vezake(11 x 5 km) me drejtim veri-lindor dhe jug-perëndimor, me shpate shumë të pjerrëta që bien thikë mbi lumin Lumë, pellgun e Kukësit dhe pllajën e Shishtavecit.[1]
Nga ana perëndimore, nga të gjitha pikat, me një vështrim mund të perceptohet e gjithë përmasa e Gjalicës që ngrihet si një piramidë gjigande mbi Rrafshën e Lumës, skematikisht në formën e një trekëndëshi të stërmadh gati dybrinjënjëshëm me një bazë prej afro 11 km (Gryka e Vanave-Kanioni i Bicajve) dhe lartësi mbi 2100m. Në rreth 90% të perimetrit të Gjalicës dallohet lartësia prej më se 2000 metër dhe sipërfaqet e shpateve nga rrëza deri në majë, dukuri që nuk hasen te asnjë mal i vargmalit të Korabit, Alpeve të Shqipërisë apo gjetkë.[2]
Historia e emrit të Gjalicës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në gjysmën e I të shekullit XVII u quajt Mali i Galijes. Në Bicaj tingëllon në formën G(j)alliçe ku G(j) fonetikisht me gjasa paraqet një fazë të ndërmjetme të ndërrimit G :GJ diçka midis G-ës dhe GJ-ës. Malësorët e Tropojës e përmendin me emrin Galica. Në Has e quajnë Galliçja. Në Serbi quhet Gallaiç. Ndërsa torbeshët e Gorës e quajnë Gallaiç dhe Gallaçec dhe në fjalorin Enciklopedik Shqipëtar quhet Gjallica e Lumës. Kuksianët e sotëm e artikulojnë në formën Gjalica. Sa i takon etimologjisë së këtij emri janë shprehur dy mendime nga studiues të ndryshëm. Sipas mendimit të parë ka prejardhje sllave ndërsa për të dytin (etimologjia popullore) i takon burimit vendas dhe lidhet me fjalët shqipe gjallë, gjallesë, gjallërim, jetë[3] etj…
Ndërtimi gjeologjik
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Është i përbërë gati tërësisht prej shkëmbinj gëlqëror[4] të Triasit, shkëmbinjë metamorfikë që janë të moshës Perm-Trias dhe përfaqësohen nga këto lloje shkëmbore: Konglomerate të serisë Verrukano, shiste (ose rreshpe) të llojeve të ndryshme si: filite, silicoro-argjilorë, mikorë, ranorë, amfibolitikë etj.
Flora dhe Fauna
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Bimësia e Gjalicës është e rrallë. Në anën veri-perëndimore rriten: ahu (i cili është i përhapur në lartësinë mbi 1500 - 1800m mbi nivelin e detit) dhe pisha. Shpatet lindore kanë kullota të pasura alpine. Në malin e Gjalicës takohen disa prej bimëve endemike që gjenden në rrethin e Kukësit si: vjollca shqiptare, zambaku shqiptar ( Lilium albanicum Griseb. Bimë barishtore qepore e familjes zambakore), lari (i vetmi halor që i rrëzon gjethet) hormoqi, hartina, bredhi i bardhe, plepi i egër etj.[5] Mali i Gjalicës është i mbuluar kryesisht me pyje ahu dhe pishe, të cilat janë aktualisht shumë të dëmtuara nga një sërë faktorësh. Gjatë viteve të regjimit komunist, pyjet e Malit Gjalica u shfrytëzuan për lëndë drusore. Dëmin më të madh për pyjet që rriteshin në shpatin perëndimor të Gjalicës e shkaktoi Uzina e Bakrit në Rexhepaj, tymi i së cilës shkatërroi të gjithë bimësinë deri në lartësinë rreth 1000m mbi nivelin e detit. Vala e dytë e shkatërrimit të pyjeve të Gjalicës ishin vitet 1990 e në vazhdim, ku banorët e zonës prenë pa kriter këto pyje, dhe zjarret e shumta dogjën pjesën më të madhe të tyre vitet e fundit. Tashmë vetëm 1/3 e pyjeve të mëparshëm gjenden në shpatet e Gjalicës.
Ndër kafshët grabitqare që rriten këtu, mund të përmendim ujkun, i cili është i përhapur në brendësi të territorit, sidomos në pjesët e veshura me pyje, dhelpren, rreqebullin (lynx lynx, është një kafshë grabitqare me gëzof shumë të bukur dhe të kushtueshëm), macen e egër (grabitqare e vogël dhe e rrallë), zardefin etj. Nga gjitarët jograbitqarë janë: baldosa, derri i egër, lepuri, ketri dhe më rrallë dhia e egër dhe kaprolli. Ndër shpendët grabitqarë janë të përhapur kukumjaçka dhe bufi, skifteri, larashi, hutini dhe shqiponja e malit.
Ndër shpendët jograbitqar takohen pëllumbi i egër, thëllëza e malit dhe shumë i rrallë gjeli i egër. Gjalica, ka një shtrirje me kufinj më se të prerë e të përcaktuar që ia presin lidhjet me malet e tjerë, me shpate që zbresin thikë ose me pjerrtësi shumë të madhe në të gjithë perimetrin nga maja në rrëzën e saj.[6]
Hidrografia e malit të Gjalicës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Gjalica është një mal që në të gjithë gjatësinë e perimetrit të shtrirjes së tij përvec Pllajës së Shishtavecit ëshë I ndërthurur prej ujërash rrjedhëse.
Me malin e Koritnikut ndahet nga Gryka e Vanave e cila shtrihet midis kroit të Mollës në Përbreg në veri-perëndim dhe Përroit të Beles në jug-lindje nëpër të cilën rrjedh Luma (Degë e Drinit të Bardhë në jug-lindje të Kukësit I cili buron nga mali I Kallabakut) ndërsa me malin e Kollovozit ndahet nga Reka e Topojanit që është njëra nga dy degët e Lumës. Në jug-lindje të Topojanit fillon të lëvizë Përroi I Kacës, degë e lumit të Tërshenës (lum alpin terrencial, me pak ujë që buron nga mali I Tejës) rrjedha e poshtme e të cilit, midis tokave te fshatrave Bicaj, Nangë, dhe Bushat emërtohet Sheja e Bicajt që derdhet në Drinin e Zi. (Emri I këtij lumi është I lidhur me fitoren e malësorëve lumjanë kundër pushtuesve serbë në vitin 1912). Brenda territorit të Gjalicës ndodhet edhe Këneta e Shtiqënit, pellg uji prej disa ha. I thellë 2.5 m, në perëndim të Gjalicës në anën e djathtë të rrugës së vjetër automobilistike në Gostil-Bicaj, buzë bregut lindor të liqenit të Fierzës. Në malin e Gjalicës gjenden dhjtëra burime ujore si kroje e gurra. Mes tyre mund të përmendim “Kroin Tanzot” dhe “Kroin e Kishes” të cilët ndodhen shumë afër malit të Gjalicës.[7]
Turizmi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kroi i kuq ka nisur të pëlqehet jo vetëm nga banorët e fshatrave përreth, por edhe nga shumë vizitorë nga zona të tjera të vendit. Kjo edhe për faktin se deri afër tij ka edhe rrugë makine, një rrugë e ngushtë ku makina lëviz me vështirësi, por gjithsesi të heq mundimin e të ecurit më këmbë nëpër shpatinat e rrëpirta të malit. Rruga e makinës mundeson drejtimin për ushtrimin e sportit të skive. Aty ka edhe një lokal qe shërben ushqim, por edhe pije.
Numri i vizitorëve është në rritje, kur vetëm pak vite më parë gjatë gjithë dimrit nuk kujtohej kush të ngjitej deri te Kroi i Kuq që ndodhet thuajse afër majës së malit te Gjalices.
Vizitorët kanë mësuar edhe për pikat e tjera turistike që ndodhen jo shumë larg. Të tilla janë Kroji i Ramës, Kroji i Kishës dhe Kroi Tanzot, që vizitohen vetëm nga pasionuarit pas alpinizmit dimëror. Vendet e përshtatshme turistike janë edhe të tjera si Sasati në lartësinë e mbi 1700 metrave mbi nivelin e detit. Sasati, është i njohur, pasi në stinën e verës ai mbushet plot me vizitorë që qëndrojnë deri sa vjen dimri. Tani ka nisur të vizitohet edhe në dimër. Nuk mungojnë banesat e vogla të barinjve që mbushen gjatë verës. Kjo gjë po ndodh edhe në dimër. Kanë qënë edhe investimet që kryejnë vetë banorët që po i nxisin vizitorët të njohin më mirë verilindjen, deri tani të harruar. Vetë biznesmenët vendas po ndërtojnë një hotel në pyllin e Mështeknave, një tjetër te ura e Lapajve, pranë fshatit Bushtricë.
Me vlera të mëdha turistike janë edhe shpellat si ajo e Lojmeve, e Sasatit dhe Shpella e Kuqe të cilat ndodhen në Gjalicë. Shpellat kanë vlera studimore si për speleologët edhe për amatorët e stalagmiteve dhe stalagtiteve. Në faqen perëndimore të Gjalicës në verilindje të fshatit Krenxë ndodhet Shpella e Lakuriqëve (e lakuriqëve të natës), së cilës i ka mbetur emri keshtu se popullohet nga tufa të mëdha lakuriqësh të natës. Një numër shpellash gjenden edhe në shpatin e Gjalicës që i takon territorit të fshatit Lojme. Afër majës së Vogël gjinden Shpella e Madhe dhe Shpella e Vogel. Ngjitur me shpellën e Madhe gjendet Shpella e Malës, kësaj shpelle i ka mbetur emri për shkak të një ngjarjeje të vërtetë. Diku afër është edhe Shpella e Pellumbave, quhet kështu se aty pasi errësohet mbidhen me tufa pëllumbat e egër.[8]
Rrugët për tek maja e Gjalicës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Për të shkuar në majen e malit të Gjalicës duhet udhëtuar në itenerarin Kukës – Bicaj – Kolesjan (në Kolesjan fillon rruga e pashtruar) – Qafë Dardhë – Qafa e Epërme. Nga Qafa e Epërme marshimi të drejton në Stanet e Shtiqnit e prej aty në kreshtën e malit. Kreshta të mundëson pamje nga të dy anët e saj dhe pas dy orësh të çon në majë (2.489 m), prej ku shihen qartë pamjet e qytetit të Kukësit dhe të Liqenit të Fierzës. Zbritja nga maja bëhet duke kaluar nga fshati Shpan për në Qafëdardhë e më pas për në Kolesjan. Udhëtimi zgjat rreth katër orë në këmbë. Rrugët që të qojnë deri tek maja e malit të Gjalicës janë :
- Nga fshati Shtiqën janë dy variante :
- Rruga e Kuajve : Qendër e Shtiqënit – Lagjja Murtat – Furzë – Gjuri i Shalës – Sasat (vend për pushim me ujë të freskët ) – Lisi i Gjalit – Plinas – Hijet Ramhase – Stanet e Shtiqënit ( tek Kroi i Kuq ) – Kroi i Lanës – Kroi i Kishës – Kroi Tanzot – Rrafshi i majës së Gjalicës.
- Rrugët këmbësore : Lagjja Gjutaj – Shkalla e Keqe – Sasat (ku ndodh bashkimi me rrugën e Kuajve ) dhe Lagjja Muje – maja e Vogël – Stanet e Gostilit – maja e malit.
- Nga fshati Nangë kalojnë nga këto pika :
- Xhamia e fshatit Nangë – Kreu i Pruthit – Vllagu i Thartonit – Udha e re – Guri i Magjarit – Tumja e Kajës – Kroi i Thartonit – Ahu i Pulës – Lisi i Demirit – Lugi i Mehmetit – Stani i Doçit – Stanet e Sasatit – Koria – Lana e shkurt – Lana e Zezë – Pazhik i Ahut – Lisi i Djalit – Plinas – Kroi i Kishës – Hijet e Ramhasit – Kroi Tanzot - maja e Malit.
- Nga fshati Lojme janë tre rrugë :
- Lojme – Shipok – Fragisht – Kroi i Kuq – maja e Malit.
- Lojme – Stanet e Lojmeve – Livadhi i Madh – Korije – maja e Gjalicës.
- Lojme – maja e Vogël – Kotari i Shtjerrave – Stanet e Gostilit – maja e malit të Gjalicës.
- Nga qyteti i Kukësit :
- Kukës – Gryka e Vanave – Ura e Zarifes – Lojme – Kroi i Kuq – maje e malit.
- Kukës – Gryka e Vanave – Lama e Nuses – Sektori i Nimçës – Laku i Topojanit – Kroi i Kuq – maja e malit.[9]
Fshatrat rrethues
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në zonën përreth Gjalicës shtrihen 12 fshatra me një popullësi prej afro 9864 banorësh dhe 2337 familjesh (2009) që përfshihen në komunat:
- Shtiqën – Shtiqni, Gjalica, Muje, Kodër-Luma, Krenza.
- Bicaj – Canajt, Mustafajt, Osmanajt, Nanga, Tërshena.
- Topojan – Brekija, Nimça.
- Zapod – Lojmja.
- Qyteti Kukës – Gostili.[10]
Festa e Gjalicës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Festa e Gjalicës përkujtohet në të gjithë fshatrat e Rrafshës së Lumës (Shtiqën, Muje, Gjalicë, Kodër-Lumë, Krenzë, Ramhas, Gostil, Nangë) dhe të shpateve të Gjalicës (Lagjia Brati dhe Canaj, Tërshenë, Brekijë, Nimçë, Lojme), por më së shumti i dedikohet fshatit Shtiqën.Kjo ditë e shënuar e vitit që populli e emërton “Festa e Galliçes, Dita e Gjalliçes, apo Festa e Gjalicës” festohet të enjten më të afërt pararendëse apo pasuese, të datës 6 gusht të çdo viti, që në kalendarin tradicional popullor shënon mesin e verës. Disa saktësojnë se dita e saj festohet të enjten e parë të muajit gusht pavarësisht largësisë nga data 6 e këtij muaji. Banorët e Shtiqnit e organizojnë të enjten e parë të gushtit. Këtë ditë, ata që do të bëjnë faljet për nder të majës së Gjalicës duhet të arrijnë atje pa lindur dielli. Riti i faljes bëhet në Rrafshin e majës afër burimit te Kroit Tanzot. Çdo individ që do të falet, pasi “merr avdes” këtu, duhet të përshpërisë formulën “Bismilahi Rrahman i Rrahim. Po fal dy reçatë namaz për riza të Zotit e për shpirt të Sari Salltëk Babës”.Pas faljes pjesëmarrësit e kësaj ceremonie zbresin te stanet e bjeshkës së Shtiqnit, te “Kroi i Kuq”, ku hahet, pihet, zhvillohen lojëra, gara qitjeje me armë zjarri, këndohen këngë e hidhen valle të shoqëruara me instrumente popullore. Pas kësaj të gjithë zbresin në fshat. Çdo shtëpi është e përgatitur për darkën e kësaj feste, ku nuk duhet të mungojë asgjë. Përveç të afërmve të largët në këtë darkë mund të vijë kushdo që dëshiron dhe është i mirëpritur.[11]
Referimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Gjalica Dodona e Dardanëve- Nazif Dokle - SHTYPSHKRONJA "GEER" - II. Gjalica - fq. 5
- ^ Qarku i Kukësit - Nasip Meça dhe Maxhun Dida
- ^ Gjalica Dodona e Dardanëve- Nazif Dokle - SHTYPSHKRONJA "GEER" - fq. 23
- ^ Një guidë për Kukësin-Dr.Hamit Noka - "Dy Drina" - fq. 77
- ^ Gjalica Dodona e Dardanëve- Nazif Dokle - SHTYPSHKRONJA "GEER" - fq. 6
- ^ Një guidë për Kukësin-Dr.Hamit Noka - "Dy Drina" - fq. 71-72
- ^ Gjalica Dodona e Dardanëve- Nazif Dokle - SHTYPSHKRONJA "GEER" - fq. 18,19,23
- ^ http://www.yllpress.com/41130/kukes-rritet-interesi-per-zhvillimin-e-turizmit-dimeror.html
- ^ Gjalica Dodona e Dardanëve- Nazif Dokle - SHTYPSHKRONJA "GEER" - fq. 52-54
- ^ Gjalica Dodona e Dardanëve- Nazif Dokle - SHTYPSHKRONJA "GEER" - fq. 37-46
- ^ Gjalica Dodona e Dardanëve- Nazif Dokle - SHTYPSHKRONJA "GEER" - fq. 69