Jump to content

Përdoruesi:Ana I.Cengu/Mali i Gjalicës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Mali i Gjalices dhe Liqeni i Fierzes

Gjalica është mali më i lartë i rrethit Kukës, 2489m mbi nivelin e detit i cili bën pjesë në vargun malor të Korabit (vargmal në skajin lindor të Shqipërisë, midis rrethit të Kukësit e atij të Dibrës) dhe shtrihet në skajin veri-lindor të këtij vargu, midis pellgut të Kukësit në veri-perëndim dhe pllajës së Shishtavecit në jug-lindje. Në veri-lindje Gryka e Vanave e ndan nga mali i Koritnikut, kurse kanioni i Bicajt në jug-perëndim e ndan nga mali i Kolesjanit. Pjesa kulmore formon një kreshtë të mprehtë, që bie pingul mbi Grykën e Vanave, kurse shpatet janë mjaft të pjerrëta duke formuar rrëpira të dukshme tektonike në gëlqerorët e pjesës së poshtme të tyre. Ka formë vezake(11 x 5 km) me drejtim veri-lindor dhe jug-perëndimor, me shpate shumë të pjerrëta që bien thikë mbi lumin Lumë, pellgun e Kukësit dhe pllajën e Shishtavecit. [1]

Nga ana perëndimore, nga të gjitha pikat, me një vështrim mund të perceptohet e gjithë përmasa e Gjalicës që ngrihet si një piramidë gjigande mbi Rrafshën e Lumës, skematikisht në formën e një trekëndëshi të stërmadh gati dybrinjënjëshëm me një bazë prej afro 11km (Gryka e Vanave-Kanioni i Bicajve) dhe lartësi mbi 2100m. Në rreth 90% të perimetrit të Gjalicës dallohet lartësia prej më se 2000 metër dhe sipërfaqet e shpateve nga rrëza deri në majë, dukuri që nuk hasen te asnjë mal i vargmalit të Korabit, Alpeve të Shqipërisë apo gjetkë.[2]

Historia e emrit të Gjalicës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në gjysmën e I të shekullit XVII u quajt Mali i Galijes. Në Bicaj tingëllon në formën G(j)alliçe ku G(j) fonetikisht me gjasa paraqet një fazë të ndërmjetme të ndërrimit G :GJ diçka midis G-ës dhe GJ-ës. Malësorët e Tropojës e përmendin me emrin Galica. Në Has e quajnë Galliçja. Në Serbi quhet Gallaiç. Ndërsa torbeshët e Gorës e quajnë Gallaiç dhe Gallaçec dhe në fjalorin Enciklopedik Shqipëtar quhet Gjallica e Lumës. Kuksianët e sotëm e artikulojnë në formën Gjalica. Sa i takon etimologjisë së këtij emri janë shprehur dy mendime nga studiues të ndryshëm. Sipas mendimit të parë ka prejardhje sllave ndërsa për të dytin (etimologjia popullore) i takon burimit vendas dhe lidhet me fjalët shqipe gjallë, gjallesë, gjallërim, jetë[3] etj…

Ndërtimi gjeologjik

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Është i përbërë gati tërësisht prej shkëmbinj gëlqëror[4] të Triasit, shkëmbinjë metamorfikë që janë të moshës Perm-Trias dhe përfaqësohen nga këto lloje shkëmbore: Konglomerate të serisë Verrukano, shiste (ose rreshpe) të llojeve të ndryshme si: filite, silicoro-argjilorë, mikorë, ranorë, amfibolitikë etj.

Bimësia e Gjalicës është e rrallë. Në anën veri-perëndimore rriten: ahu (i cili është i përhapur në lartësinë mbi 1500 - 1800m mbi nivelin e detit) dhe pisha. Shpatet lindore kanë kullota të pasura alpine. Në malin e Gjalicës takohen disa prej bimëve endemike që gjenden në rrethin e Kukësit si: vjollca shqiptare, zambaku shqiptar ( Lilium albanicum Griseb. Bimë barishtore qepore e familjes zambakore), lari (i vetmi halor që i rrëzon gjethet) hormoqi, hartina, bredhi i bardhe, plepi i egër etj.[5] Mali i Gjalicës është i mbuluar kryesisht me pyje ahu dhe pishe, të cilat janë aktualisht shumë të dëmtuara nga një sërë faktorësh. Gjatë viteve të regjimit komunist, pyjet e Malit Gjalica u shfrytëzuan për lëndë drusore. Dëmin më të madh për pyjet që rriteshin në shpatin perëndimor të Gjalicës e shkaktoi Uzina e Bakrit në Rexhepaj, tymi i së cilës shkatërroi të gjithë bimësinë deri në lartësinë rreth 1000m mbi nivelin e detit. Vala e dytë e shkatërrimit të pyjeve të Gjalicës ishin vitet 1990 e në vazhdim, ku banorët e zonës prenë pa kriter këto pyje, dhe zjarret e shumta dogjën pjesën më të madhe të tyre vitet e fundit. Tashmë vetëm 1/3 e pyjeve të mëparshëm gjenden në shpatet e Gjalicës.

Ndër kafshët grabitqare që rriten këtu, mund të përmendim ujkun, i cili është i përhapur në brendësi të territorit, sidomos në pjesët e veshura me pyje, dhelpren, rreqebullin (lynx lynx, është një kafshë grabitqare me gëzof shumë të bukur dhe të kushtueshëm), macen e egër (grabitqare e vogël dhe e rrallë), zardefin etj. Nga gjitarët jograbitqarë janë: baldosa, derri i egër, lepuri, ketri dhe më rrallë dhia e egër dhe kaprolli. Ndër shpendët grabitqarë janë të përhapur kukumjaçka dhe bufi, skifteri, larashi, hutini dhe shqiponja e malit.

Ndër shpendët jograbitqar takohen pëllumbi i egër, thëllëza e malit dhe shumë i rrallë gjeli i egër. Gjalica, ka një shtrirje me kufinj më se të prerë e të përcaktuar që ia presin lidhjet me malet e tjerë, me shpate që zbresin thikë ose me pjerrtësi shumë të madhe në të gjithë perimetrin nga maja në rrëzën e saj.[6]

Hidrografia e malit të Gjalicës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjalica është një mal që në të gjithë gjatësinë e perimetrit të shtrirjes së tij përvec Pllajës së Shishtavecit ëshë I ndërthurur prej ujërash rrjedhëse.

Pranvere, Kroi i kuq , ne Gjalice

Me malin e Koritnikut ndahet nga Gryka e Vanave e cila shtrihet midis kroit të Mollës në Përbreg në veri-perëndim dhe Përroit të Beles në jug-lindje nëpër të cilën rrjedh Luma (Degë e Drinit të Bardhë në jug-lindje të Kukësit I cili buron nga mali I Kallabakut) ndërsa me malin e Kollovozit ndahet nga Reka e Topojanit që është njëra nga dy degët e Lumës. Në jug-lindje të Topojanit fillon të lëvizë Përroi I Kacës, degë e lumit të Tërshenës (lum alpin terrencial, me pak ujë që buron nga mali I Tejës) rrjedha e poshtme e të cilit, midis tokave te fshatrave Bicaj, Nangë, dhe Bushat emërtohet Sheja e Bicajt që derdhet në Drinin e Zi. (Emri I këtij lumi është I lidhur me fitoren e malësorëve lumjanë kundër pushtuesve serbë në vitin 1912). Brenda territorit të Gjalicës ndodhet edhe Këneta e Shtiqënit, pellg uji prej disa ha. I thellë 2.5 m, në perëndim të Gjalicës në anën e djathtë të rrugës së vjetër automobilistike në Gostil-Bicaj, buzë bregut lindor të liqenit të Fierzës. Në malin e Gjalicës gjenden dhjtëra burime ujore si kroje e gurra. Mes tyre mund të përmendim “Kroin Tanzot” dhe “Kroin e Kishes” të cilët ndodhen shumë afër malit të Gjalicës.[7]


Kroi i kuq ka nisur të pëlqehet jo vetëm nga banorët e fshatrave përreth, por edhe nga shumë vizitorë nga zona të tjera të vendit. Kjo edhe për faktin se deri afër tij ka edhe rrugë makine, një rrugë e ngushtë ku makina lëviz me vështirësi, por gjithsesi të heq mundimin e të ecurit më këmbë nëpër shpatinat e rrëpirta të malit. Rruga e makinës mundeson drejtimin për ushtrimin e sportit të skive. Aty ka edhe një lokal qe shërben ushqim, por edhe pije.

Numri i vizitorëve është në rritje, kur vetëm pak vite më parë gjatë gjithë dimrit nuk kujtohej kush të ngjitej deri te Kroi i Kuq që ndodhet thuajse afër majës së malit te Gjalices.

Mali i Gjalices

Vizitorët kanë mësuar edhe për pikat e tjera turistike që ndodhen jo shumë larg. Të tilla janë Kroji i Ramës, Kroji i Kishës dhe Kroji Tatzot, që vizitohen vetëm nga pasionuarit pas alpinizmit dimëror. Vendet e përshtatshme turistike janë edhe të tjera si Sasati në lartësinë e mbi 1700 metrave mbi nivelin e detit. Sasati, është i njohur, pasi në stinën e verës ai mbushet plot me vizitorë që qëndrojnë deri sa vjen dimri. Tani ka nisur të vizitohet edhe në dimër. Nuk mungojnë banesat e vogla të barinjve që mbushen gjatë verës. Kjo gjë po ndodh edhe në dimër. Kanë qënë edhe investimet që kryejnë vetë banorët që po i nxisin vizitorët të njohin më mirë verilindjen, deri tani të harruar. Vetë biznesmenët vendas po ndërtojnë një hotel në pyllin e Mështeknave, një tjetër te ura e Lapajve, pranë fshatit Bushtricë.

Me vlera të mëdha turistike janë edhe shpellat si ajo e Lojmeve, e Sasatit dhe Shpella e Kuqe të cilat ndodhen në Gjalicë. Shpellat kanë vlera studimore si për speleologët edhe për amatorët e stalagmiteve dhe stalagtiteve. Në faqen perëndimore të Gjalicës në verilindje të fshatit Krenxë ndodhet Shpella e Lakuriqëve (e lakuriqëve të natës), së cilës i ka mbetur emri keshtu se popullohet nga tufa të mëdha lakuriqësh të natës. Një numër shpellash gjenden edhe në shpatin e Gjalicës që i takon territorit të fshatit Lojme. Afër Majës së Vogël gjinden Shpella e Madhe dhe Shpella e Vogel. Ngjitur me shpellën e Madhe gjendet Shpella e Malës, kësaj shpelle i ka mbetur emri për shkak të një ngjarjeje të vërtetë. Diku afër është edhe Shpella e Pellumbave, quhet kështu se aty pasi errësohet mbidhen me tufa pëllumbat e egër.[8]

Rrugët për tek maja e Gjalicës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për të shkuar në majen e malit të Gjalicës duhet udhëtuar në itenerarin Kukës – Bicaj – Kolesjan (në Kolesjan fillon rruga e pashtruar) – Qafë Dardhë – Qafa e Epërme. Nga Qafa e Epërme marshimi të drejton në Stanet e Shtiqnit e prej aty në kreshtën e malit. Kreshta të mundëson pamje nga të dy anët e saj dhe pas dy orësh të çon në majë (2.489 m), prej ku shihen qartë pamjet e qytetit të Kukësit dhe të Liqenit të Fierzës. Zbritja nga maja bëhet duke kaluar nga fshati Shpan për në Qafëdardhë e më pas për në Kolesjan. Udhëtimi zgjat rreth katër orë në këmbë. Rrugët që të qojnë deri tek maja e malit të Gjalicës janë :

  • Nga fshati Shtiqën janë dy variante :
  1. Rruga e Kuajve : Qendër e Shtiqënit – Lagjja Murtat – Furzë – Gjuri i Shalës – Sasat (vend për pushim me ujë të freskët ) – Lisi i Gjalit – Plinas – Hijet Ramhase – Stanet e Shtiqënit ( tek Kroi i Kuq ) – Kroi i Lanës – Kroi i Kishës – Kroi Tanzot – Rrafshi i Majës së Gjalicës.
  2. Rrugët këmbësore : Lagjja Gjutaj – Shkalla e Keqe – Sasat (ku ndodh bashkimi me rrugën e Kuajve ) dhe Lagjja Muje – Maja e Vogël – Stanet e Gostilit – Maja e malit.
  • Nga fshati Nangë kalojnë nga këto pika :
  1. Xhamia e fshatit Nangë – Kreu i Pruthit – Vllagu i Thartonit – Udha e re – Guri i Magjarit – Tumja e Kajës – Kroi i Thartonit – Ahu i Pulës – Lisi i Demirit – Lugi i Mehmetit – Stani i Doçit – Stanet e Sasatit – Koria – Lana e Shkurt – Lana e Zezë – Pazhik i Ahut – Lisi i Djalit – Plinas – Kroi i Kishës – Hijet e Ramhasit – Kroi Tanzot - Maja e Malit.
  • Nga fshati Lojme janë tre rrugë :
  1. Lojme – Shipok – Fragisht – Kroi i Kuq – Maja e Malit.
  2. Lojme – Stanet e Lojmeve – Livadhi i Madh – Korije – Maja e Gjalicës.
  3. Lojme – Maja e Vogël – Kotari i Shtjerrave – Stanet e Gostilit – Maja e malit të Gjalicës.
  • Nga qyteti i Kukësit :
  1. Kukës – Gryka e Vanave – Ura e Zarifes – Lojme – Kroi i Kuq – maje e malit.
  2. Kukës – Gryka e Vanave – Lama e Nuses – Sektori i Nimçës – Laku i Topojanit – Kroi i Kuq – Maja e malit. [9]

Fshatrat rrethues

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Fshati Shtiqen. Nje nder fshatrat rrethues te malit te Gjalices

Në zonën përreth Gjalicës shtrihen 12 fshatra me një popullësi prej afro 9864 banorësh dhe 2337 familjesh (2009) që përfshihen në komunat:


Festa e Gjalicës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Festa e Gjalicës përkujtohet në të gjithë fshatrat e Rrafshës së Lumës (Shtiqën, Muje, Gjalicë, Kodër-Lumë, Krenzë, Ramhas, Gostil, Nangë) dhe të shpateve të Gjalicës (Lagjia Brati dhe Canaj, Tërshenë, Brekijë, Nimçë, Lojme), por më së shumti i dedikohet fshatit Shtiqën.Kjo ditë e shënuar e vitit që populli e emërton “Festa e Galliçes, Dita e Gjalliçes, apo Festa e Gjalicës” festohet të enjten më të afërt pararendëse apo pasuese, të datës 6 gusht të çdo viti, që në kalendarin tradicional popullor shënon mesin e verës. Disa saktësojnë se dita e saj festohet të enjten e parë të muajit gusht pavarësisht largësisë nga data 6 e këtij muaji. Banorët e Shtiqnit e organizojnë të enjten e parë të gushtit. Këtë ditë, ata që do të bëjnë faljet për nder të majës së Gjalicës duhet të arrijnë atje pa lindur dielli. Riti i faljes bëhet në Rrafshin e Majës afër burimit te Kroit Tanzot. Çdo individ që do të falet, pasi “merr avdes” këtu, duhet të përshpërisë formulën “Bismilahi Rrahman i Rrahim. Po fal dy reçatë namaz për riza të Zotit e për shpirt të Sari Salltëk Babës”.Pas faljes pjesëmarrësit e kësaj ceremonie zbresin te stanet e bjeshkës së Shtiqnit, te “Kroi i Kuq”, ku hahet, pihet, zhvillohen lojëra, gara qitjeje me armë zjarri, këndohen këngë e hidhen valle të shoqëruara me instrumente popullore. Pas kësaj të gjithë zbresin në fshat. Çdo shtëpi është e përgatitur për darkën e kësaj feste, ku nuk duhet të mungojë asgjë. Përveç të afërmve të largët në këtë darkë mund të vijë kushdo që dëshiron dhe është i mirëpritur. [11]

  1. ^ Gjalica Dodona e Dardanëve- Nazif Dokle - SHTYPSHKRONJA "GEER" - II. Gjalica - fq. 5
  2. ^ Qarku i Kukesit - Nasip Meça dhe Maxhun Dida
  3. ^ Gjalica Dodona e Dardanëve- Nazif Dokle - SHTYPSHKRONJA "GEER" - fq. 23
  4. ^ Një guidë për Kukësin-Dr.Hamit Noka - "Dy Drina" - fq. 77
  5. ^ Gjalica Dodana e Dardanëve- Nazif Dokle - SHTYPSHKRONJA "GEER" - fq. 6
  6. ^ Një guidë për Kukësin-Dr.Hamit Noka - "Dy Drina" - fq. 71-72
  7. ^ Gjalica Dodana e Dardanëve- Nazif Dokle - SHTYPSHKRONJA "GEER" - fq. 18,19,23
  8. ^ http://www.yllpress.com/41130/kukes-rritet-interesi-per-zhvillimin-e-turizmit-dimeror.html
  9. ^ Gjalica Dodona e Dardanëve- Nazif Dokle - SHTYPSHKRONJA "GEER" - fq. 52-54
  10. ^ Gjalica Dodona e Dardanëve- Nazif Dokle - SHTYPSHKRONJA "GEER" - fq. 37-46
  11. ^ Gjalica Dodona e Dardanëve- Nazif Dokle - SHTYPSHKRONJA "GEER" - fq. 69