Jump to content

Prenk Jakova

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Prenk Jakova
U lind në27 qershor 1917
Vdiq16 shtator 1969
KombësiaShqiptar
ProfesioniKompozitor

Prenkë Jakova (Shkodër, 27 qershor 1917 - 16 shtator 1969) ka qenë arsimtar, muzikant, kompozitor dhe autori i operës së parë shqiptare titulluar Mrika.[1] Këngët e tij Syrin tek qershia dhe Margjelo janë shumë të njohura dhe për shkak të popullaritetit që gëzojnë shumëkush i identifikon si këngë popullore shkodrane.

U lind më 1917 në një familje qytetare me prejardhje nga Gjakova, i biri i Kolës së Dedë Jakovës.[2] Gjyshi i tij, Deda, qe i dhënë pas muzikës dhe i binte klarinetës në Kolegjin Saverian. I ati, Kola, qe pjesëmarrës dhe organizator në frontin e Luftës së Koplikut. Prenka kishte edhe dy vëllezër, Dedën dhe Çeskun, që do të bëheshin fotograf dhe muzikant përkatësisht.

Jakova ndoqi shkollën fillore në vitet 1924-1929 në shkollën Skenderbeg,[3] dhe më pas vijoi në liceun Illyricum në qytetin e lindjes, ku ndër të tjerë i dha mësim edhe Át Martin Gjoka. Gjatë shkollimit të mesëm, kaloi nga liceu në gjimnazin e përgjithshëm të Shkodrës, të cilin e kreu më 1935. Gjatë shkollës qe anëtar i bandës së shkollë dhe me nxitjen e të atit nisi të aktronte në shoqëritë teatrore Bogdani dhe Vllaznia. Më tej banda e shkollës u shndërrua në bandën e qytetit dhe Jakova qe klarinetisti i saj. Gjatë kësaj periudhe Jakova nisi të shkruante motive muzikore mbështetur në motivet e këngëve popullore të mirënjohura, ndër të cilat Delja rudë, Hajredini, Besa e një trimi dhe Shkoj e vi flutrim si zogu.

Kur qe 18 vjeç u caktua drejtor artistik i bandës së shkollës, ku luanin asokohe të vegjlit Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni dhe kompozitorë të tjerë të ardhshëm shqiptarë. Jakova nisi të kompozojë marshe dhe kantata. Më 2 janar 1936 u dërgua që të jepte mësim në Bërdicë, ku dha mësime muzike dhe për vete nxori kitarën. Përgjatë verës së 1939 bleu një fizarmonikë dhe mësoi t'i binte edhe asaj; vjeshtën e po atij viti u caktua që të jepte mësim në internatin e Oroshit, ku shkroi një pjesë muzikore për fizarmonikë të titulluar Malli dhe më pas Fyellin e bariut. Më 1940 Jakova u transferua në Shkodër, ku shkroi pjesë muzikore për fëmijë dhe operetën me dy hapje Kopshti i Xhuxhmaxhuxhëve. Vitin shkollor 1941-42 Jakova u caktua që të jepte mësim në Katërkollë të krahinës së Krajës, sot në Mal të Zi.

Më 1942 shkoi të studjonte klarinetë në Akademinë Kombëtare të Shën Çiles në Romë, studime që i përfundoi shkëlqyeshëm. Fundi i vitit 1944 e gjeti Jakovën mësues po prapë në Shkodër, më tej e morën për të ndihmuar në aktivitetet që bënte kori i Brigadës I Sulmuese në Shtëpinë e Rinisë, ku Jakova u caktua përgjegjës. Në atë periudhë Prenka u arrestua dhe u mbajt në hetuesi për shkak të vrasjes së vëllait të tij duke luftuar kundër partizanëve komunistë. Me grupet e amatorëve, instrumentistëve, solistëve dhe korit që kishte në patronazh, Prenka dha shfaqe jo vetëm në Shkodër, por edhe në Ulqin, Cetinjë e Titograd.[4]

Vepra "Mrika" ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit "Migjeni" të Shkodrës.

Opera e dytë e Prenk Jakovës, "Gjergj Kastrioti-Skënderbeu", u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft kompozitorin, i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë. Gjithsesi vepra "Gjergj Kastrioti-Skënderbeu" ishte shumë më solide se "Mrika" e cila vuante fatkeqësinë e subjektit dhe tematikës së artit skematik, ku duhet të frynte patjetër era revolucionare e kohës së absurditetit.

Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë.

Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë.

Ndërkohë i vëllai i Prenkës që ishte në moshë të re, gjatë Luftës së Dytë Botërore, mori pjesë në lëvizjen shqiptare nacionaliste, dhe me ardhjen në pushtet të komunistëve u detyrua të merrte malet. Për shkak të vëllait, i cili kërkohej, komunistët arrestojnë Prenk Jakovën dhe e mbajnë disa kohë burgjeve. Ndërsa Prenka, që nuk kishte ushtruar kurrfarë veprimtarie veç detyrës së tij si mësues, lirohet shpejt nga burgu, fati i të vëllait do të ishte tepër tragjik. Kapet nga komunistët dhe pushkatohet pa mëshirë.

Prenk Jakova ishte një artist i madh, që megjithë tragjedinë, dhe dhembjen që kishte, arriti të mbijetonte dhe të shkruante duke iu imponuar regjimit monist me forcën e gjenisë së tij.

Megjithë karrierën e tij të suksesshme artistike, për të cilën fitoi respekt e admirim nga artdashësit shkodranë, fundi i Prenkës do të ishte disi i ngjashëm me atë të vëllait të ekzekutuar, sepse duke mos e duruar dot mjedisin përreth tij, duke e parë vehten në një gjendje pesimizmi të pashpresë, ai zgjodhi rrugën e vetvrasjes, pikërisht në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, pikërisht në atë institucion ku ai kishte punuar e shkruar një jetë të tërë.

Vdekja tragjike e Jakovës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare "Mrika", gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun. Një nga funksionarët e lartë të qytetit të Shkodrës, i cili ka qenë prezentë në atë bisedë të Prenkës me Enver Hoxhën, dëshmon: Pas atyre fjalëve të Enver Hoxhës, Prenka iu përgjigj: "Po mor shoku Enver, por puna e operas nuk është si bukët që i fut kur të duash në furrë". Pas përgjigjes së Prenkës, Enver Hoxha filloi të qeshte dhe dha porosi që t'i plotësoheshin të gjitha kushtet Prenkës, me qëllim që ai të vinte në skenë operën "Skënderbeu", kujton ish funksionari i lartë lidhur me bisedën e Enver Hoxhës me Prenkë Jakovën. Pas atij takimi, Prenka iu vu punës duke punuar nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, për të realizuar atë që i kishte vënë si detyrë Enver Hoxha.

Ai e shkroi të gjithë muzikën e operas "Skënderbeu" dhe për disa muaj me radhë u muar vetëm me ndarjen e muzikës turke nga ajo arabe, gjë e cila deri në atë kohë konfondohej nga shumë kompozitorë. Kur e përfundoi muzikën e saj dhe e solli për miratim në Tiranë, Prenkës i nxorën shumë pengesa dhe ata që ishin ngarkuar për shikimin e saj, i kërkonin të shkurtonte disa pjesë që sipas tyre stononin. Prenka refuzonte në mënyrë kategorike për ta bërë atë gjë dhe i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Fadil Paçrami, i cili në atë kohë kishte dalë hapur kundër metodave të vjetra e konservatorizmit.

Ndonëse opera "Skënderbeu" u shfaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës. Kjo gjë ndodhte në një kohë, kur Prenka kishte nënën e tij të paralizuar në shtëpi, gjë e cila ia rëndoi së tepërmi gjendjen e tij nervore. Nisur nga këto strese që iu paraqitën, më 16 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte shkruar vetë katër dekada më parë. Veprimtaria muzikore që la Prenk Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat. Nisur nga virtuoziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat.

  1. ^ Don, Rubin (2001). The world encyclopedia of contemporary theatre. Taylor & Francis. fq. 41-. ISBN 978-0-415-05928-2. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Alibali, Isa (2005). Prenkë Jakova, jeta dhe veprimtaria muzikore. Shkodër: Idromeno. fq. 13, 16. ISBN 9992784172. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Alibali 2005, p. 15.
  4. ^ Kaloçi, Dashnor (2008). Një homazh për Prenk Jakovën, kolosin e muzikës shqiptare. Shqip. - Nr. 267. fq. 18–19. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)