Jump to content

Qamil Bala

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga QAMIL BALA)

Qamil Bala (Gjilan, 1878 - Tiranë, 1933)[1] deputet në Dhomën e Këshillit Kombëtar të Shqipërisë,[2] Mësues i Popullit, profesor i shquar, poliglot,[3] shqiptar nga Kosova.

Qamil Bala u lind në Gjilan më 1878.[4] I mëkuar në një rreth familjar dhe krahinor me idetë e shqiptarizmit, Qamil Bala e nisi që herët udhën e veprimtarit atdhetar. Pasi mori arsimin fillor në Prishtinë, shkoi e përfundoi me sukses gjimnazin e Manastirit. Përfundimet e larta të shkollës së mesme, i hapën udhë për studime të larta pedagogjike në Stamboll. Gjatë viteve studentore, Qamili i ri, gjithë energji dhe ideale përparimtare atdhetare, do të mbante lidhje të ngushta e të pandërprera me vendlindjen. Këto lidhje dhe mjedisi i Stambollit, si qendër e rëndësishme, ku jetonin e punonin përfaqësuesit më në zë të inteligjencies atdhetare shqiptare, e brumosën Qamil Balën si intelektual e atdhetar. Pasi kreu me sukses studimet e larta më 1904, zuri vend si mësues në gjimnazin turk[5] dhe Zosimea, të Janinës. Me aftësitë intelektuale, profesionale e zellin për punë, ai u shqua ndërmjet kolegëve. Me paraqitjen e tij autoritare dhe të ngrohtë, i rreptë dhe i dashur, i drejtë dhe dashamirës, kërkues në disiplinë dhe tërheqës në mësim, ai do t'ia rriste së tepërmi emrin vetes ndërmjet nxënësve dhe mësuesëve si një autoritet intelektual atdhetar.[6] Dha mësim më tej në Selanik, Manastir dhe qe drejtor i gjimnazit në Jerusalem, drejtor arsimi në Damask e Elbasan. Më 1918 qe anëtar i Komitetit "Mbrojtja Kombëtare e Kosovës" organizuar në Shkodër nga Hoxhë Kadri Prishtina.[7]

Më 1922 mori pjesë në Kongresin Arsimor.[8] Këtij përsonaliteti iu besua drejtimi i MedresesëTiranës më 1 mars 1924, ngritja e të cilës lindi si nevojë pas shkatërrimit të Kalifatit. Grupi i nismëtarëve kryesohej nga kleriku Haxhi Vehbi Dibra, senatori Salih Vuçiterna dhe intelektualët Ferit bej Vokopola, Mehdi bej Frashëri. Ai paraqiti planin mësimor të kësaj shkolle fetare, ku do të jepeshin lëndët: Kur’ani, Fikhu, gjuha arabe, gjuha shqipe, gjuha frënge, historia e Shqipërisë, gjeografia, shkencat, aritmetika e gjeometria, higjena dhe lëndët e djathtësisë (vizatim, gjiimnastikë dhe muzikë). Për nga programi dhe plani mësimor, kjo medrese ishte e barazvlefshme me gjimnazet bashkëkohore. Në këtë traditë eci ajo, nga bankat e së cilës dolën klerikë të aftë, studiues, shkrimtarë e deri akademikë.

Burimi i të dhënave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Fjalor enciklopedik shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 159 - 160.
  2. ^ Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 Arkivuar 13 shkurt 2009 tek Archive-It - Republika e Shqipërisë KUVENDI . Tiranë 2005
  3. ^ Hajrullah Koliqi:Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Universiteti i Prishtinës & Libri shkollor, Prishtinë, 2002, fq, 368 - 369.
  4. ^ Akademia e Shkencave e Shqipërisë (Instituti i Historisë -Tiranë, Instituti i Historisë-Prishtinë). Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (Përmbledhje kumtesash). (2014).Tiranë, fq 175
  5. ^ Merlika E., Kosova dhe Mustafa Kruja, një dyshe e përjetshme, korrik 2014. Një nga kumtesat e Sesionit Shkencor për Ripushtimin Jugosllav të Kosovës.
  6. ^ Revista "Minerva", Tiranë, 1934, nr.12. Cituar sipas:Iljaz Gogaj. Qamil Bala (1878 - 1933). Perla - Revistë shkencore e kulturore, Tiranë, Viti X 2005 Nr. 2 (37) fq. 123-134
  7. ^ Akademia e Shkencave e Shqipërisë (Instituti i Historisë -Tiranë, Instituti i Historisë-Prishtinë). Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (Përmbledhje kumtesash). (2014).Tiranë, fq 176
  8. ^ Akademia e Shkencave e Shqipërisë (Instituti i Historisë -Tiranë, Instituti i Historisë-Prishtinë). Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (Përmbledhje kumtesash). (2014).Tiranë, fq 176