Shko te përmbajtja

Qeleshja

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Ridrejtuar nga Qeleshe)
Qeleshja gjysmësferike
Qeleshja e shtypur, e ngjashme me fesin
Vllehët duke mbajtur qeleshe

Qeleshja apo qylahu është një kësulë e bardhë prej shajaku, e mbajtur në lashtësi nga popuj të ndryshëm të botës. Në Europë, gjatë 200 viteve të fundit, vetëm shqiptarët e kanë bërë pjesë të traditës, ndërsa në Lindje ka edhe popuj të tjerë që e mbajnë ende. Deri para periudhës komuniste e mbanin pothuajse të gjithë meshkujt e shtresave të varfra, pleq dhe të rinj. Më vonë ajo u hoq nga të rinjtë gjatë jetës së përditshme dhe e mbajtën vetëm mosha e vjetër. Sot përdoret vetëm në festivalet dhe koncertet folklorike, si pjesë e traditës shqiptare, në festat kombëtare, si edhe në evenimente të tjera nacionaliste.

Forma e qeleshes mund të jetë gjysmë-vezore, e shtypur ose me një bisht në maje. Zakonisht në formë gjysmë-veze e kanë mbajtur më shumë banorët e zonës së Kosovës, Tropojës, Pukës dhe Malsisë së Madhe, por këta më përpara e shoqëronin me çallmë.

Në formë me maje e mbajnë më shumë zona e Gjirokastrës, Përmetit, Vlorës etj. Ndërsa Shqipëria e mesme, Dibra, Mati, Mirdita etj, e kanë më shumë të shtypur.

Për qëllime tashmë turistike prodhimi dhe shitja e saj mund të vërehet nëpër pazaret e qyteteve shqiptare, si ai i Krujës.[1]

Qeleshja gabimisht thërritet edhe "plis", veçanërisht nga shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Me plis në lashtësi nuk njihej vetëm kësula prej shajaku, por çdo lloj materiali që përbëhej me shajak: mbulesat, shtrojat, peliçet, etj.

Sipas Dizdarit vjen nga turqishtja keleş "ai që vuan prej qerosllëkut", ku kel vjen nga persishtja kal (qeros);[2] ndërsa Oreli e sheh të dalur nga fjala shqipe lesh.[3] Ndërsa qylahu apo qylafin nga turqishtja külah "kësulë picigjatë ose me majë" nga persishtja koláh.[4]

Mendohet se qeleshja (veçanërisht ajo gjysmë-sferike) e ka origjinën në Lindjen e Mesme, dhe veçanërisht në Persinë e lashtë (Irani i sotëm) dhe ka ardhur në Shqipëri e Ballkan gjatë periudhës osmane, nëpërmjet turqve apo tregtarëve iranianë. Ka pasur disa familje tregtarësh nga Irani që janë vendosur në Shqipëri.[5] Elemente të trashëguar nga osmanët, nuk mund të ishte vetëm qeleshja por edhe kafja turke, sofra, çiftelia, feja myslimane, bakllavaja, çaji, hallva, etj. Të gjitha këto janë kthyer në traditë sot ndër shqiptarë.

Imazhe antike në piktura dhe bazorelieve me figurën e qeleshes janë gjetur në territoret që i përkisnin Perandorisë Perse (Akamenide). Piktura të ushtarëve të Darit të Madh (522-486 pr.e.s), tregojnë praninë e qeleshes në ato zona.[6] Qeleshja, si traditë e lashtë persiane gjendet edhe sot te populli modern i zonës së Lorestanit në Iran[7]

Qeleshja paraqitet gjithashtu te hebrenjtë në Izrael. Një pikturë e Moisiut e paraqet atë dhe popullin e tij me qeleshe.[8] Gjithashtu shihet edhe në fotot e palestinezëve të vitit 1917.[9]

Qeleshja paraqitet në komunitetin mysliman të sektit sufist, Turqi, edhe sot në kohët moderne.[10]

Në Romën e lashtë qeleshja gjysmë-sferike përdorej nga skllevërit kur fitonin lirinë. Madje një monedhë që përkujton vrasjen e Jul Cesarit (në Idet e Marsit), paraqet dy thika me një kësulë të tillë në mes,[11] që ka kuptimin e çlirimit nga tirania.

Qeleshja paraqitet gjithashtu në një statujë të Ertugrul Ghazit, babait të Osmanit, kur ishte fëmijë, i cili thuhet se ka vdekur në vitin 1280. [12] Në Turqinë e sotme përdoret ende, veçanërisht në zonën e Kurdistanit, te një fis që quhet Barak. Qeleshja paraqitet edhe te vllehët. Shqiptarët deri me shpalljen e pavarësisë në 1912 e mbanin qeleshen po aq masivisht sa edhe fesin turk. Fesi paraqitej më shumë te shtresat e larta dhe intelektualët si Ismail Qemali, Pashko Vasa, etj, ndërsa qeleshja mbahej kryesisht nga shtresat e varfëra.

Sipas verifikimeve të pikturave të hershme, qeleshja e bardhë nuk rezulton të ketë qenë aq masive si pjesë tradicionale shqiptare para vitit 1700. Autori Edward Lear me pikturat e tij për shqiptarët e shekullit XIX tregon se shqiptarët nuk mbanin vetëm qeleshe si kësulë tradicionale, por mbanin gjithashtu edhe kësulë të kuqe.[13] Kjo lloj kësule e kuqe shfaqet tek të gjithë arvanitasit. Prandaj, mendohet se qeleshja e bardhë është e imponuar nga kultura osmane apo persiane, meqënëse deri vonë shoqërohej me çallmë, që është tipike e kulturës orientale.

Arvanitasit nuk paraqiten me qeleshe. Edhe te arbëreshët është çuar më vonë, nëpërmjet lidhjeve që kanë mbajtur me shqiptarët 200 vitet e fundit. Portretet e Skënderbeut gjithashtu nuk paraqiten askund me plis. Madje edhe piktura me "qeleshe" e Lekë Dukagjinit është sajuar nga autori i saj Simon Rrota.[14]

Mendimi i përgjithshëm është që shqiptarët e kanë trashëguar qeleshen nga ilirët, [15][16] megjithëse provat janë shumë të dobëta për këtë. Gjithsesi ky mendim duket i gabuar pasi kemi të dhëna që deri në shekullin 17 shqiptarët mbanin një kësulë që njihej si Capulet (kësula e gjatë). [17]

Në piktura dhe skulptura të ndryshme janë gjetur fare pak kësula gjysmësferike, që interpretohen si qeleshe (apo plis), por askush nuk e di në të vërtetë përmbërjen e tyre nëse ato janë prej shajaku (plisi).

  1. Gloyer, Gillian (2012). Bradt Albania (në anglisht). Bradt Travel Guides. fq. 49. ISBN 978-1-84162-387-0. Marrë më 14 prill 2013. The best place in Albania to shop for souvenirs is Kruja, where all the shops are close together in the bazaar. There are traditional felt-makers, who produce slippers and the felt caps called qeleshe.
  2. Dizdari, Tahir (2005). Fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe. Tiranë: AIITC. fq. 793–794.
  3. Orel, Vladimir (1998). Albanian Etymological Dictionary (në anglisht). Brill Academic Pub. fq. 219. ISBN 9004110240.
  4. Dizdari, Tahir (2005). Fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe. Tiranë: AIITC. fq. 818.
  5. Vizion Plus. "Familja tiranase me origjinë nga Irani". youtube. Arkivuar nga origjinali më 17 janar 2026. Marrë më 21 gusht 2025.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  6. Grbasic., Zvonimir (22 janar 2020). "Darius the Great". https://www.worldhistory.org/image/11764/court-of-darius-the-great/ (në anglisht). {{cite web}}: Lidhje e jashtme në |website= (Ndihmë!)
  7. "traditional wedding ceremony" (në anglisht).
  8. James Jacques, Joseph Tissot (1896–1902). "Moses Forbids the People to Follow Him". https://thejewishmuseum.org/ (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 24 janar 2025. Marrë më 21 gusht 2025. {{cite web}}: Lidhje e jashtme në |website= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Formati i datës (lidhja)
  9. "Military tailors, Beersheba, 1917" (në anglisht).
  10. "Devran Zikri - Konya | İDTMAUT | Tasavvuf, İrfan ve Meydan Meşkleri Bölümü" (në turqisht).
  11. "Ides of March coin". Coloseo collection (në anglisht).
  12. "Tarihte Hayme Ana kimdir? Hayme Ana gerçekte ne zaman ölmüştür?" (në turqisht).
  13. Lear, Edward (1848). "Albania in Painting" (në anglisht).
  14. Rrota, Simon (1936). "Lekë Dukagjini". wikipedia.
  15. Stipčević 1977, f. 89
  16. Recherches albanologiques: Folklore et ethnologie. Instituti Albanologijik i Prishtinës. 1982. fq. 52. Marrë më 14 prill 2013. Ne kuadrin e veshjeve me përkime ilire, të dokumentuara gjer më tani hyjnë tirqit, plisi, qeleshja e bardhë gjysmësferike, goxhufi-gëzofi etj {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  17. Pëllumb Xhufi, Fotaq Andrea. [Deri në vitet 1600, shqiptarët mbanin një kësulë që te francezët njihej si "Capelet" (kësulë apo kalele e gjatë). [1] "Studio Albanica"]. Akademia e Shkencave të Shqipërisë (në Frengjisht). {{cite journal}}: Shiko vlerën e |url= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja)