Sami bej Vrioni
Sami bej Vrioni | |
---|---|
Ministër i Punëve Botore, Bujqësisë dhe Tregtisë | |
Në detyrë 25 dhjetor, 1918 – 29 janar, 1920 | |
Paraprirë nga | min. i P. Botore, Aziz pashë Vrioni |
Pasuar nga | min. i P. Botore Eshref Frashëri |
Paraprirë nga | min. i Bujqësisë Abdi bej Toptani |
Pasuar nga | Mehdi bej Frashëri |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 1868 Berat, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 1947 Berat, Shqipëri |
Nënshtetësia | Shqiptare |
Bashkëshortja/et | Mahmude hanëm (1887 - 1935) dhe Pertef hanëm Toptani, të dyja janë vajzat e Esad pashë Toptanit |
Fëmijët | Omer beu (l. 1930) |
Sami bej Vrioni (Berat, 1868 - 1947) qe deputet në Mexhlisin osman, delegat në Kuvendin e Vlorës dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, shambellan i Princ Vidit, disa herë ministër, përfaqësues dhe senator shqiptar.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lindi më 1868. Ishte i biri i Omer pashë Vrionit dhe gruas së tij çerkeze, Senije Ikbal[1]. Anëtar i derës së Vrionëve, familje e rëndësishme çifligarësh me prona në Berat, Fieri dhe Myzeqe të mundësuara që në kohën e Perandorisë Osmane. Sami beu vetë kishte nën zotërim 5000 hektarë në Myzeqenë Jugore[2].
Më 1912 shërben si deputet i sanxhakut të Vlorës në Mexhlisin perandorak në Stamboll[3]. Më 28 nëntor emërohet delegat i Fierit[4] në Kuvendin e Vlorës ku dhe firmos Shpalljen. Sipas një burimi, Ismail Qemali e donte pjesë të kabinetit, por Omer pasha kishte dyshime për qeverinë Qemali[5]. U emërua senator në Pleqësinë e dalur nga Kuvendi. Në shkurtin e 1914 si përfaqësues i Beratit, bën pjesë në dërgatën e kryesuar nga i vjehrri, Esad pashë Toptani me misionin për t'i shpënë kurorën Princit Vid[1].
Me të ardhur në Durrës, Princi e emëroi çamberlan[6]. Me pushtim-administrimin austro-hungarez emërohet prefekt i Beratit, më pas bën pjesë në dërgatën prej 34 përfaqësuesve të trevave shqiptare nën pushtim-administrimin e thënë për të përnderuar Perandorin Karl si përfaqësues i Beratit dhe Skraparit[7].
Qe pjesëmarrës në Kongresin i Durrësit, ku u zgjodh delegat (ministër) i Punëve Botore, Bujqësisë e Tregtisë në qeverinë Përmeti[8]. Sipas kujtimeve të Sejfi Vllamasit e përshkruan si në anën proitaliane të qeverisë së dalur nga Kongresi i Durrësit, që bënte të pamundurën për të penguar vajtjen e delegatëve në Kongresin e Lushnjes[9]. Më 1924 shpresohej që të emërohej kryeministër për të pajtuar opozitën, në vend të zgjedhjes së Shefqet bej Vërlacit. Emri i tij u lakua po ashtu me rastin e Lëvizjes së qershorit për postin e kryeministrit për shkak se e peshonin si liberal nga qëndrimet[10].
U zgjodh deputet në legjislaturën 1923-1925, senator 1925-1928 dhe në legjislaturën e parë të Mbretërisë Shqiptare 1928-1932 po prapë deputet[8] i prefekturës së Beratit[11]. Më 1942-1943 anëtar i Këshillit të Epërm Fashist Korporativ.
Pas lufte arrestohet nga komunistët dhe vdes në vitin 1947[8].
Referimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b Vlora E., Kujtime 1885-1925, përktheu A. Koçi, Tiranë: IDK, fq. 613. fq. 361. ISBN 99927-780-6-7
- ^ Klan (500-508), Tiranë: "Media 6", 2007, fq. 259
- ^ Herbert A., Albania's Greatest Friend, Londër: I.B.Tauris, 2011, fq. 242. ISBN 978-1-84885-444-4
- ^ Österreich-Ungarns Aussenpolitik, Österreichischer Bundesverlag für Unterricht, Wissenschaft und Kunst, 1930. fq. 1080.
- ^ Fieri, qyteti qe u themelua nga Vrionasit Arkivuar 25 nëntor 2017 tek Wayback Machine, Fieri.com, 2007-05-14, retrieved 5 February 2014,
Midis shume artikujve te ndryshem eksportohej edhe zhuke, lende drusore, miser, kuaj etj. I fundit i pinjolleve Vrionas i njohur ne vitet e regjimit te Ahmet Zogut si Minister i Botores, ka qene Sami Vrioni. Ka qene i ditur dhe eshte shkolluar ne shkollat dhe universitetet me te mira te Italise dhe Frances. Ne vitet e rregjimit zogist ka qene Minister i Botores. Ka mbaruar per inxhinieri dhe agronomi si dhe ka qene njohes i madh i shume gjuheve si: turqisht, arabisht, italisht, frengjisht...
Historiani Hysen Emiri ne librin e tij “Historia e Fierit” permende faktin se Ismail Qemali e donte ne qeverine e tij per ta bere minister Sami Vrionin, por i ati i tij Omeri e shikonte me skepticizem kete qeveri dhe i thoshte “shohim e bejme”...
- ^ Heaton-Armstrong D., The Six Month Kingdom: Albania 1914, Londër: I.B.Tauris, 2005, fq. 32, ISBN 978-1-85043-761-1
- ^ Freundlich L., An Albanian Delegation Pays Homage to the Emperor in Vienna Arkivuar 22 shkurt 2014 tek Wayback Machine, Tekste dhe dokumente të historisë shqiptare, Robert Elsie, marrë më,
The districts of Berat and Skrapari sent Sami Bey Vrioni, who is the former seneschal of Prinz Wied and son-in-law of Essad Toptani...
- ^ a b c Dervishi K., Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Tiranë: 55, 2012, fq. 253, ISBN 978-9943-56-22-5
- ^ Vllamasi S., Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942): kujtime dhe vlerësime historike Arkivuar 2 shkurt 2014 tek Wayback Machine, Shtëpia Botuese "Marin Barleti". OCLC 37228559
- ^ Austin R. C., Founding a Balkan State: Albania's Experiment with Democracy, 1920-1925, University of Toronto Press, 2012, fq. 40 & 55, ISBN 978-1-4426-4435-9
- ^ Estrefi, D., Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 Arkivuar 14 maj 2011 tek Wayback Machine - Kuvendi i Shqipërisë, Tiranë 2005