Jump to content

Tefta Tashko Koço

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Tashko Tefta)
Fotoporteti
Tefta Tashko Koço
Emri Tefta
Mbiemri Tashko Koço
Lindur më 2 nëntor 1910
Lindur në Egjipti Fajum, Egjipt
Vdiq më 30 dhjetor 1947
Vdiq në Tiranë, Shqipëri
Kombësia Shqiptare
Profesioni Këngëtare lirike

Tefta Tashko Koço (lindur si Tefta Tashko; Faiyum, Egjipt 2 nëntor 1910 - Tiranë, 30 dhjetor 1947) këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare dhe Artiste e Popullit e Shqipërisë.

U lind në Fajum të Egjiptit, e bija e frashërlliut Athanas Tashko dhe Eleni Zografit, më e vogla e gjashtë fëmijëve. Të vendosur në Egjipt pas disa ecejakeve, familja Tashko çeli aty një kafené dhe më pas një hotel. Deri në 11 vjeç Tefta në shtëpi fliste shqip dhe jashtë saj arabisht.[1]

Me vdekjen e të atit më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpelje, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit. Në vitin 1930, Tefta bën inçizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon. Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”,”As aman, moj lule” etj. Sipas Hysen Files: Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muziktarëvë të shuar popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali etj. Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkangjisnim edhe këngët popullore të përpunura nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe Truja dhe Maria Paluca (Kraja). Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qënë vazhdimisht e sëmurë. Ndërroi jetë në moshën 37-vjeçare.

Tefta Tashko u martua me Kristaq Koçon dhe pati një djalë me të, dirigjenitin Eno Koço, Arstist i Merituar.

Këngët popullore të Tefta Tashkos, regjistruar pranë “Columbias”-Itali, 1942: “Un’o ty moj të kam dashur”; “Kjo dashtnija kjoft mallkue”; “Kenke nur’ i bukurisë”; “Për një ditë, kur del goca në pazar”; “Këndon Kumrija”; “Metelikun ta kam falë”; “Ma ven dorën përmbi dorë”; “Dallandyshe vaj, vaj”; “Qante lulja lulen”; “Moj fëllanxë”; “Sa me shpejt ma vunë, moj, kambën”; “Dy gisht përmni vetull”; “Moj hyrije, bukurie”; “ Shamija e beqarit”; “Iku nata”; “Del një vashë prej hamamit”; “Zare trëndafile”; “Të dua, moj goc, e vogël”; “As aman, moj lule”; “Kroi i fshatit tonë”; “O moj sylarushe”; “Dolla në penxhere”; “Bilbil çapkëni”; “As u gremis moj lejthate”; “Dashtnuer tu bana”; “Ani, moj Hatixhe”; “Seç këndon bilbili malite”; “Shkapërceva dy-tri male”; “Edhe ky bilbili çka qënke një zog”; “Kam shtëpinë e vogël”; “I kam hypë vaporit”; “Fry, moj er’ e malit”; “O na atë fushë t’mejdanit”; “Edhe gurët e sokakut”.

Krantja Mustafa, “Artistja e Popullit Tefta Tashko Koço”, gaz. “Drita”, 1961, 31 dhjetor; Naçe P, “Tefta Tashko Koço”, “Ylli”, 1963, nr. 12; Kono Kristo, “Me dashurinë për atdheun dhe këngët e popullit”, gaz. “Drita”, 1976, 25 korrik; Mio Sokrat, “Bilbili i këngës shqiptare”, gaz. Përpara, 1977, 21 dhejtor; Filja Hysen, “Tefta Tashko Koço”, Tiranë 1980; Frashëri Thoma, “Interpretuese e shquar e këngës popullore”, gaz. Drita, 1982, 26 dhjetor; Koço Eno, “Tefta Tashko Koço dhe koha e saj”, Tiranë 2000; Zaja Sami C, “Heti njeri i urtë i Shkodrës” Shkodër 2000 etj.

  1. ^ Koço, Eno (2 nëntor 2015). "Familja dhe jeta – Një evokim". voal.ch.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)