Vehbi Skënderi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Vehbi Skënderi (Strelcë, 1927 - Bazel, 13 qershor 2011) ishte nje poet shqiptar.[1]

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në fshatin Strelcë të Korçës në maj të vitit 1927, i biri i imamit Demir efendiut dhe Selimesë, pas djalit të madh Kadriut që ndoqi shkollën e Fulcit. Mësimet fillore (me pesë klasë) e kreu në fshatin e lindjes në vitet 1934-1939. Në vitet 1941-1943 vazhdoi studimet fetare në Medresenë e Lartë Tiranë. Në majin e vitit 1943 ndërpret studimet dhe del partizan në Çetën e Dibrës me komandant Haxhi Lleshin. Në vitin 1944 pranohet në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare. Me mbarimin e luftës kalon në Divizionin e Mbrojtjes Popullore. Më 1951 fillon një kurs estetik dyvjeçar ku japin leksione Jakov Xoxa, Bedri Dedja, Mark Gurakuqi etj. Në vitet 1953-1956 kryen shkollën e mesme profesionale (dega rusisht). Në vitet 1956-1961 kryen Fakultetin Histori-Filologji me rezultate shumë të mira. Vehbi Skënderi njihte shumë mirë rusisht, italisht dhe frengjisht.[2] Pas një kritike që bëri së bashku me kolegë të tjerë për Institutin e Historisë-Gjuhësisë, kritikë e cila nuk u botua kurrë, u dënua me bashkëhartuesit duke u dëbuar nga Tirana për në Va të Dejës ku punoi gurthyes.[3]

Poezinë e parë, e cila pati shumë sukses, Vehbi Skënderi e botoi në revistën "Letërsia jonë" në vitin 1947. Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, pa qenë kandidat. Më 1953 botoi librin e parë poetik, Këngët e para. Prej atëherë ka botuar librat poetikë Vjersha (1958), Fletë nga ditari im (1964), Vjershat dhe poemat e Drinit (1969), Vazhdim i një bisede (1971), Vdekja e Ofelisë (1971), Shqiponja e Vermoshit (1972), Përsëri mëngjes (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura - Kolana e poezisë shqipe (1973), Kumbojnë vitet (1983), Nxitoj (1987), Bëjmë sikur (1995), Hëna e vjedhur (2000), Zvicra, Shqipëria ime (2004). Për "Fletë nga ditari im", në vitin 1966 Vehbi Skënderi mori Çmimin e Republikës. Një vit më vonë merr çmim në konkurs kombëtar për poemën Vazhdim i një bisede. Ai merr edhe çmime të tjera nga organet botuese në konkurse të ndryshme kombëtare. Poezitë e tij përfshihen në antologjitë dhe tekstet shkollore të kohës dhe në botimet e poezisë shqipe në gjuhë të huaja.

Ndahet nga jeta më 13 qershor 2011.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ "Ka ndërruar jetë poeti Vehbi Skënderi". albinfo.ch. 15 qershor 2011.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ "Më 18 maj 1927 lindi poeti i shquar Vehbi Skënderi". voal.ch. 17 maj 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  3. ^ Biçoku, Kasem (2022). Terrorizmi në albanologji. Shkup. fq. 88. ISBN 9786084634560.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)