Vorri i Ashikut
Vorri i Ashikut është një varr në fshatin Zhurije, tashmë lagje e Ndroqit,[1] jo larg lumit Erzen, mënjanë rrugës Tiranë-Durrës, për të cilën është treguar një rrëfenjë e që me të janë shkruar përralla dhe romane.
Pranë varrit ka patur një teqe, një han dhe një çinar, aty pari kalonte edhe rruga.[2]
Rrëfenja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sipas Hahnit, varri i kushtohej një çifti të dashuruarish që kishin rënë në ujdi të arratiseshin ngase fiset e tyre ishin në hasmëri. Para se t'i gjenin djali vrau të dashurën dhe pastaj veten dhe teksa lëngoi u la amanet ndjekësve t'i varrosnin së bashku. Sipas Hahnit nuk diheshin hollësi të tjera mbi ngjarjen, duke qenë se detaje si koha kur kishte ndodhur, emrat e fiseve apo të të dashuruarve kishin humbur në kohë dhe kishte ngelur vetëm gojëdhëna si jehonë.
Sipas Gopçeviqit,[3] rrëfenja ishte gati e harruar në Shqipëri të Mesme. Në kohën kur Kruja dhe Tirana kishin hasmëri mes njëra tjetrës, jetonte në Krujë një musliman i varfër, i biri i të cilit Bedriu kishte përparuar në ushtri dhe ishte bërë yzbash. Kur qytetet u paqtuan edhe ushtria u zvogëlua, kështu që shumë burra u kthyen në shtëpitë e veta. Mes tyre edhe Bedriu, i brengosur po kthehej në qytetin e lindjes, me merak se si do të siguronte jetesën.
Yzbashi në një zabel e zgjon një zanë dhe ajo e porosit që t'i ruhej traut dhe drenushës dhe të mos harronte se është më i sigurtë te kroi (Krujë) se në rrënjë (Ndërrenjes, siç quhej Ndroqi asokohe). Në një çezme gjatë rrugës njihet me Drenushën kur po e ushtarët po e dërgonin nuse për martesë me guvernatorin e Tiranës. Të dashuruarit vendosin të arratisen por ushtarët i kapin dhe kur Bedriu e kupton se kaq ishte, ai vendos të vras të dashurën dhe veten e tij, dhe i përgjërohen që t’i varrosin bashkë.
Trajtime të tjera
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Më 1885 Naum Voilla shkroi një romanin me temë shqiptare Vorri i dashnisë në greqisht, i cili i dha leje më pas Simon Shuteriqit që t'ia shtypte në shqip me titullin Vorri i dashnorëvet (Manastir, 1911), duke qenë se ky i fundit e kishte përkthyer.[4][5] Më 1902 Shtjefën Gjeçovi shkroi Mnera e Prezës, fillimisht e titulluar Besë e dashtni, që ngjan po me ngjarjen në fjalë. Më 1943 Simon Shuteriqi e riboton Vorrin e Ashikut tek e përkohshmja "Shkëndija" e Ernest Koliqit si tregim origjinal vetin,[6] dhe u vendos emrat personazheve Faqebardhi (i biri i Bajramit nga fshati Bozanxhi) dhe Bukurija e Selman Agës.[7]
Shkrimtari Riza Lahi i kushtoi një roman në katër vëllime, me titullin Vorri i Ashikut botuar më 2005.[2] Më 2014 u shkrua po ashtu një roman me këtë titull nga Spiro Mëhilli.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Andoni, Ben (29 prill 2013). "Vorri i Ashikut, legjenda kthehet në hiç". revistajava.al. Arkivuar nga origjinali më 22 qershor 2013.
- ^ a b Dardha, Muharrem (14 shkurt 2014). "Varri i Ashikut dhe një In Memoriam për Riza Lahin". arkivalajmeve.com. Arkivuar nga origjinali më 5 mars 2016.
- ^ Gopčević, Spiridon (1881). "The Lover's Grave". albanianliterature.net (në anglisht).
- ^ Xhuvani, Aleksandër (1980) [1911]. "Letra". Studime Filologjike (1–2): 213.
- ^ Vozga, Ramazan (2010). Libri shqip 1555-1912 në fondet e Bibliotekës Kombëtare (PDF). Tiranë: Biblioteka Kombëtare. fq. 297. ISBN 978-99927-731-7-8.
- ^ Kuteli, Mitrush (31 tetor 2015) [28 gusht 1961]. "Letër e Mitrush Kutelit për Mustafë Greblleshin". radiandradi.com.
- ^ Faja, Agim (16 mars 2001). ""Vorri i Ashikut" ose Romeo e Zhuljeta e Shqipërisë së Mesme". shqiptarja.com.