Zef Mirdita

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Zef Mirdita (Prizren, 13 mars 1936 - Zagreb, 4 prill 2016) ka qenë historian shqiptar, i laureuar nga Akademia Kroate e Shkencave si autor i punimit të shquar Vllehët në historiografi - Vlasi u historiografiji.[1][2]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Zef Mirdita shkollën fillore e kreu në Prizren, ndërsa gjimanzik klasik, respektivisht interdioqezian, në Pazin dhe në Zagreb. Në Fakultetin Katolik Teologjik në Zagreb, më 1958, apsolvoi Filozofinë. Në vitin shkollor 1959/60 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit – Dega e Historisë.[3]

Nga viti shkollor 1961/62 ishte demonstrator në Katedrën për Histori Kroate te prof. dr. Jaroslav Sidak. Qysh si student i vitit të tretë dhe të katërt ligjëroi lëndën e Historisë në gjimnazin e mbrëmjes “Ise Krsnjavoga” në Zagreb. Diplomoi më 8 korrik të vitit 1965.[4]

Pas kthimit në Prizren, më 8 shkurt të vitit 1966, punoi profesor në gjimnaz, në shkollën e mesme të muzikës dhe në shkollën e mesme të mjekësisë, ku ligjëroi histori, sociologji, gjuhë latine dhe gjuhë frënge, në paralelet me mësim në gjuhën shqipe, serbe dhe turke.

Nga 1 janari i vitit 1967 kaloi në Prishtinë si asistent në Katedrën e Historisë, Dega e Historisë Antike, dhe më 3 nëntor 1972 doktoroi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit me temën "Dardanët dhe Dardania në antikitet" (Dardanci i Dardanija u antici).

Më 3 prill 1991 u zgjodh anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Nga 1 marsi i vitit 1993 ka punuar si këshilltar shkencor në Institutin Kroat të Historisë, ku ka udhëhequr projektin “Vllehët – popullate e vjetër ballkanike që nga fillet historike deri më sot" (Vlasi – starobalkansko stanovnistvo od povisjene pojave do danas).

Përveç dhjetë librave në shqip, shqip-gjermanisht dhe në kroatisht, botoi në gjuhën shqipe, kroate, frënge, angleze, gjermane dhe italiane, në revistat shkencore të vendit dhe të huaja, mbi 100 studime, shqyrtime dhe punime – artikuj, recensione, kritika, shënime, polemika, etj., po ashtu përktheu disa libra nga kroatishtja në shqip dhe nga shqipja në kroatisht.

Më 16 qershor 2004, Alfred Moisiu, kryetar i Republikës së Shqipërisë e dekoroi me shpërblim për kontributin e dhënë albanologjisë dhe për përfaqësim të denjë të komunitetit shqiptar në Republikën e Kroacisë. Më 29 prill 2005, u laureua me shpërblimin e Akademisë Kroate të Shkencave dhe Arteve për librin me titull “Vllehët në historiografi" (Vlasi u historiografiji), i cili u shpall libër i vitit 2004.

Më 21 dhjetor 2011, me rastin e 75 vjetorit të lindjes, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës e shpalli shkencëtar të vitit 2011. Prof. dr. Zef Mirdita, thuajse deri në fund të jetës së tij, ia kushtoi studimit për Dardaninë dhe iliricitetin e Kosovës në antikitet.[5]

Me rastin e përvjetorit të tetë të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka dekoruar atë me Medaljen Presidenciale të Meritave.[6]

Publikime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Dardanët dhe Dardania në kohën antike (1972)
  • Prejardhja e dardanëve (1973)
  • Ilirët dhe etnogjeneza e popullit shqiptar (1975)
  • Studime dardane (1979)
  • Antroponia e Dardanisë në kohën romake (1981)
  • Terminologjia biblike në përkthimin e Kristoforidhit (1985)
  • Elementet religjiozë në poezinë e Ndre Mjedës (1987)
  • Mitet dhe mitologjia në antike (1988)
  • Aspekte teologjike në veprën e Pjetër Bogdanit (1989)
  • Katolicizmi dhe ortodoksia shqiptare (1990)
  • Historia e kishës në popullin shqiptar (1994)
  • Krishtënizmi ndër shqiptarë (1998)
  • Religjioni dhe kultet e dardanëve dhe Dardanisë në antike (2001)
  • Vllahët në historiografi (2004)

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1112. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  2. ^ Lafe, Emil, red. (2009). Fjalor Enciklopedik Shqiptar [Encyclopedic Dictionary of Albania]. Vëll. 2. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 1734. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.
  3. ^ Ka vdekur historiani dhe akademiku Zef Mirdita/https://telegrafi.com/ka-vdekur-historiani-dhe-akademiku-zef-mirdita/
  4. ^ Kosova 42, Instituti i Historisë " Ali Hadri", Prishtinë 2016 fq. 265.
  5. ^ Në Institutin kroat të Historisë-Zagreb, u përkujtua vepra jetësore e shkencore e Prof.dr.Zef Mirditës/ http://botapress.info/ne-institutin-kroat-te-historise-zagreb-u-perkujtua-vepra-jetesore-e-shkencore-e-prof-dr-zef-mirdites/ Arkivuar 23 janar 2020 tek Wayback Machine
  6. ^ Kush ishte historiani Zef Mirdita? (Biografia)/ http://www.gazetaexpress.com/arte/kush-ishte-historiani-zef-mirdita-184761/?archive=1[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]