Asti
Ky artikull dyshohet se përmban hulumtim vetjak apo thënie të pacituara prandaj nuk mund të merret si i saktë. |
Shën Asti | |
---|---|
Vdiq | 98 |
Shën Asti ishte peshkop i Durrësit në vitin 98 pas Krishtit (emri tij do të thotë “qytetar” ose “i qytetit”)[1].
Ai ishte një udhëheqës i vërtetë, shembull i gjallë i një jete të krishterë aktive për besimtarët e tij, një veprimtar i zellshëm për përhapjen e Ungjillit. Me hipjen në fron si Perandor i Romës (98-117) Trajani përtëriti dekretin e persekutimit të krishterëve në të gjithë Perandorinë Romake[2]. Kështu Asti arrestohet nga paria e qytetit, Numeriu, Nearku, Aglaidhi dhe Ariani dhe pasi nuk pranoi t’i bëjë therore idhujve, e dorëzojnë tek qeveritari Agrikola. Ky u përpoq që në fillim t’i ndryshonte mendjen dhe të mohonte Krishtin e më pas me kërcënime, por pa rezultat. Si një kryefetar i denjë i foli Agrikolës se nuk vlente ai pushtet që përdor forcën e tij për të bërë keq. Qeveritari i tërbuar nga qendrimi i Astit mendoi të hakmerrej djallëzisht. E torturuan, duke e rrahur me kamzhikë prej lëkure kau të pajisur me sfera plumbi, por ai përsëri ngulmoi në besimin tij te Krishti, duke mos e mohuar Atë[3]. E më pas, e lyen me mjaltë dhe e kryqëzuan mbi dru, pranë mureve të qytetit, ku dhe i pickuar nga grenxat dhe insektet e tjera dha shpirtin e tij në duart e Perëndisë dhe i lumur mori kurorën e martirizimit[4]. Ishte kohë vere dhe dielli përvëlonte. Lipsanin e Shën Astit e morën të krishterët dhe e varrosën duke ngritur edhe një kishë mbi të.
Po atë ditë (6 korrik) (sipas disa studiuesve 7 korrik) me Shën Astin dhanë jetën e tyre si dëshmorë të Krishtit dhe 7 besimtarë të tjerë që quheshin: Peregrini, Lukiani (Luçiani), Pompeu, Hisiki, Papia, Saturnini, Gjermani, të gjithë nga Italia[5]. Meqënëse atje ata përndiqeshin, erdhën me një anije në Durrës, për të shpëtuar. Këtu duke parë Shën Astin, episkopin e Durrësit, të varur në kryq, të lyer me mjaltë dhe të pickuar nga grenxat dhe insektet, për besimin e Krishtit filluan ta lumëronin atë dhe t’i thurnin lavde e për këtë ata u arrestuan. Këta deklaruan se ishin të krishterë. Qeveritari i tërbuar nga vendosmëria e Astit dhe i befasuar nga vendosmëria që të 7-të këta pohuan se ishin të krishterë, urdhëroi dhe i mbytën në detin Adriatik, kështu të lumurit morën kurorën e pavyshkur të martirizimit. Mbas 70 vjetësh dëshmorët iu shfaqën Kryepeshkopit të Alesios (Lezhës). Ky i gjeti lipsanet e çmuara të tyre të futura në rërë, i mori e i varrosi me nderim dhe u ndërtoi një kishë të vogël për nder të tyre.
Nderimi i shenjtorit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shën Asti është shenjtor tepër popullor ndër besimtarët e krishterë ortodoksë të Durrësit, aq sa edhe mjaft qytetarë të tij mbajnë emrin e tij, si dhe për nder të tij janë ndërtuar edhe kisha (historianë, kronistë dhe arkeologë dëshmojnë mjaft për të, ku ndër të tjera përmendim katedralen e madhe për nder të Shën Astit dhe Isavrit në shek.13-14, në Spitallë në vitin 1917, në varrezat e qytetit rreth vitit 1957, pranë portit 2002).
Fama e Shën Astit kalon kufinjtë e qytetit dhe të Shqipërisë, duke u përmendur dhe pikturuar në afreske edhe në kisha të tjera lokale si ato të Ohrit, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Italisë.
Për Hierodëshmor Astin janë hartuar dy shërbesa kishtare me himne, të cilat këndoheshin ditën kur populli e kremtonte bashkëqytetarin e tyre[6].
Shërbesa e parë ka qenë hartuar nga Josifi Himnografi i shekullit IX, ku një kopje e saj ruhet në një dorëshkrim, në Bibliotekën e Parisit në kodikun greqisht 13, f. 330a dhe 1575, f. 145b.
Shërbesa e dytë është hartuar në vitin 1918 me titull “Shërbesë e kënduar e Shenjtit, hierodëshmor të lavdëruar Astit, Peshkop i Durrësit, hartuar nga Mitropoliti i Durrësit, Gorëmokrës dhe Shpatit, Jakovi, dhe e miratuar nga Kisha e Madhe e Krishtit shtypur me shpenzimet e të nderuarit Mihail Thoma Truja nga paria e Durrësit, në Kostandinopojë (Stamboll), 1918”.
Ky shenjtor nderohet dhe festohet si në Kishën e Lindjes (6 Korrik[7]), ashtu edhe të Perëndimit (7 Korrik).
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Jeta e Shenjtorëve në Kishën Ortodokse, Bashkimi Ortodoks Kristian "Kryqi i Nderuar", Selanik 1996.
- Atë Justini, Nga Thesari Shenjtorëve, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2004.
- Γιαννουλάτος Aναστάσιος, “Εκκλησία της Αλβανίας: Ιστορική – Πνευματική Παράδοση. Τέχνη” në librin Χριστόπουλος Γεώργιος Α., Ο ΘΗΣΑΥΡΟΣ ΤΗΣ ΟΡΘΟΔΟΞΙΑΣ. 2000 Χρόνια, Ιστορία • Μνημεία • Τέχνη, Β΄ Τόμος - Πατριαρχεία και Αυτοκέφαλες Εκκλησίες, Εκδοτική Αθηνών, Αθήνα, 2000. (Kryepeshkopi Anastas, THESARI I ORTODOKSISË 2000 Vjet Histori - Monumente - Art. Vol. II - Patriarkanat dhe Kishat Autoqefale).
Shiko edhe:
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë Arkivuar 18 prill 2020 tek Wayback Machine
- Kalendari Kremtues Ortodoks
- OCA - Hieromartyr Astius, Bishop of Dyrrachium
Referime:
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Atë Justini, Nga Thesari Shenjtorëve, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2004, fq. 219.
- ^ Protopresviter Thomas Hopko, Besimi Orthodhoks V. III, Shkrimi i Shenjtë dhe Historia e Kishës, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2000, fq.173.
- ^ "OCA - Hieromartyr Astius, Bishop of Dyrrachium" (në anglisht).
- ^ "Kryepiskopi Anastas, "Kisha e Shqipërisë - Tradita historike-shpirtërore-artistike", THESARI I ORTHODHOKSISË, 2000 vjet Histori - Monumente - Art, vëll. II: Patriarkanat dhe Kishat Autoqefale".
- ^ Atë Justini, Nga Thesari Shenjtorëve, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2004, fq. 220.
- ^ Jeta e Shenjtorëve në Kishën Ortodokse, Bashkimi Ortodoks Kristian "Kryqi i Nderuar", Selanik 1996, fq. 113-114.
- ^ "Kalendari kremtues Orthodhoks 2020".