Jump to content

Ahmet Qirezi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Ahmet Qirezi
Fotoporteti
Emri Ahmet
Mbiemri Qirezi
Lindur më 1932
Lindur në Qirez
Kombësia shqiptare
Profesioni shkrimtar

Ahmet Qirezi (Qirez, 1930 - Prishtinë, 2019)[1] është dramaturg dhe gazetar shqiptar që rrjedh nga një familje veteranësh të arsimit dhe të përpjekjeve për liri. Ahmet Qirezi është autor i një vargu dramash me të cilat i vuri themelet e dramaturgjisë moderne shqiptare në Kosovë. Ahmet Qirezi përpos dramaturgjisë, është marrur edhe me gazetari, kritikë të filmit dhe teatrit, kritikë letrare dhe aktrim. [1]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në fshatin Qirez në vitin 1930 dhe rrjedh nga një familje veteranësh të arsimit dhe të  përpjekjeve  për  liri. Familja e tij jetonte në Vushtrri që nga shekulli XIX, u shpërngul më 1912 në fshatin e origjinës – Qirez – për shkak të angazhimit patriotik të Ahmet Qirezit (gjyshit), në krah të patriotit të madh Hasan Prishtina. Pas përpjekjeve dy-vjeçare kundër pushtuesit serb nëpër Malet e Drenicës, Qirezi iku në Turqi dhe la pas vetes gruan Salihen dhe të birin tre vjeç Tahirin për të mos i parë më kurrë sepse pas pak kohe vdiq atje.

I ati Tahiri kthehet nga Qirezi në vendlindjen e tij në Vushtrri në vitin 1934. Duke qenë se ishte arsimuar dhe edukuar me librat dhe revistat që i kishte lënë trashëgim i ati, dhe në sajë të arsimit individual plotësues të mëvonshëm, Tahiri u punësua mësues në vitin 1941 – detyrë që e kreu deri në vitin 1944. Në këtë ambient, tek Ahmet Qirezi u zhvillua dashuria për arsim dhe libra. Pas inkuadrimit të të atit, Tahirit, në Brigadën e Shaban Polluzhës gjatë viteve 1944-45, i cili përjetoi dhe mbijetoi Golgotën e Tivarit, Ahmeti u detyrua që me punë krahu ta mbajë familjen shumanëtarëshe megjithëse e kishte përfunduar shkollimin fillor gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 1947, Ahmet Qirezi u inkuadrua si nëpunës në Trepçë, kurse në vitin 1949 vazhdoi punën në profesionin e mësuesit, të cilin e ushtroi deri në vitin 1952. Më pastaj, kreu edhe Shkollën e Lartë PedagogjikePrishtinë dhe u regjistrua në Fakultetin Filozofik.

Për shkak të agjitimit të tij kundër turqizimit të shkollës shqipe në Vushtrri, së bashku me kolegët e tij, Mustafë Venhari, Burhan Badivuku dhe Shefqet Karakashi; agjitim që pengoi planet e administratës serbe  për  shuarjen  e  arsimit  në  gjuhën  shqipe; Ahmeti u përjashtua nga arsimi në vitin 1952. Si për këtë, ashtu edhe për shkak se vinte nga një familje që kishte etiketën balliste, më nuk iu lejua kthimi në arsim.

Më 1 shtator 1954, Ahmet Qirezi doli në Prishtinë dhe menjëherë u inkuadrua si aktor në Teatrin Popullor Krahinor të Prishtinës, ku punoi plot 16 vjet. Gjatë asaj kohe, interpretoi shumë role kryesore e episodike. Derisa ishte aktor, u mor edhe me dramaturgji. Ndërmjet viteve 1960-1969, Ahmet Qirezi shkroi këto drama: “Vrasja e errët”-1960, “Çipçinjtë”-1962, Nëna e vërtetë”-1964, “Erveheja”-1966, “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu”-1967 dhe “ Ngjyrat e jetës”-1969.

Drama “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu” u vu në skenë në Teatrin e qytetit të Prizrenit me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar dhe pati një sukses shumë të madh. Mirëpo, përkundër kërkesës unanime të ansamblit të dramës shqipe, ajo u ndalua nga autoritetet që të vehej në repertorin e Teatrit të Prishtinës. Suksesin më të madh e arriti me dramën “Erveheja”.[2] Dramat e tij, edhe si dorëshkrime janë luajtur gjatë viteve gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë e tetëdhjetë nga teatro profesioniste e amatore të Kosovës.  Me  dramën  “Ngjyrat  e  jetës”,  Ahmet Qirezi fitoi shpërblimin e konkursit të TPK-së për tekst dramatik në vitin 1969. Si rezultat, “Ngjyrat e jetës” u vu në  repertorin e TPK-së si e para në listë për sezonin teatror 1969-1970, por pas deshifrimit të autorit ajo nuk u vu në skenë kurrë, pa kurrfarë shpjegimi.

I zhgënjyer nga ky veprim i udhëheqësisë së atëhershme të Teatrit Popullor Krahinor, në Prishtinë Ahmet Qirezi e braktisi Teatrin Popullor Krahinor dhe profesionin e tij jetësor - kthesë kjo, të cilën e përjetoi rëndë. Në vitin 1970, u punësua në Radio Prishtinë, ku punoi si gazetar-redaktor deri më 7 korrik të  vitit 1989. Gjatë kësaj kohe, ai u mor me kritikë të teatrit e të filmit, kritikë letrare dhe raportoi nga ngjarjet kulturore, në Kosovë e jashtë saj. Ka marrë pjesë me referate e kumtesa në të gjitha simpoziumet kushtuar teatrit e filmit në Jugosllavinë e atëhershme. Si kryetar i Shoqatës së Kritikëve dhe Publicistëve të Filmit të Kosovës, Ahmet Qirezi ishte edhe anëtar i kryesisë së Shoqatave së Kritikëve e Publicistëve të Filmit e të Televizionit të Jugosllavisë.

Si gazetar, Ahmet Qirezi raportoi nga vende të ndryshme të botës. Në vitin 1979 në Ankara, ai ishte gazetari i vetëm që si dëshmitar okular i operacionit të ushtrisë turke me të cilin Kenan Evren pushtoi pallatin presidencial në Ankara, raportoi nga kjo ngjarje e rëndësishme të politikës globale. Ahmet Qirezi raportoi edhe nga vende të tjera, si Shqipëria, Siria, Gjermania, për ngjarjet kulturore.

Në vitin 1981, Ahmet Qirezi iu nënshtrua diferencimit ideo-politik si masë kundër lirisë së shprehjes për të cilën u angazhua rreth raportimit mbi demonstratat studentore të 11 marsit 1981. Politika famëkeqe e diferencimeve ideopolitike kundër inteligjencisë shqiptare në Kosovë filloi me diferencimin politik të Ahmet Qirezit. Edhe pas kthimit në punë në detyrat e njëjta, Ahmet Qirezi ishte nën embargo të emrit dhe të zërit në radio.

Ahmet Qirezi është pensionuar si gazetar, pas 40 vjet pune në fushën e arsimit, teatrit, filmit, kulturës e gazetarisë. Ndërroi jete me 2 prill 2019.[3]

Veprat[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Vrasja e Errët (1962)
  • Çipçijtë - dramë muzikore (1964)
  • Nëna e Vërtetë (1964)
  • Erveheja (1964)
  • Gjergj Kastrioti - Skënderbeu (1968)
  • Ngjyrat e Jetës (1969)

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1366. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  2. ^ https://www.epokaere.com/erveheja-nje-drame-e-karaktereve-dinamike/
  3. ^ https://aktoretshqiptare.info/ndahet-nga-jeta-jeta-aktori-ahmet-qirezi/

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Uebfaqja e Ahmet Qirezit -> kliko ketu Arkivuar 25 janar 2022 tek Wayback Machine.