Alajdin Abazi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Alajdin Abazi

Prof. Dr. Alajdin Abazi është rektor i Universiteti i Evropës Juglindore.

Akademik Abazi është shtetas i Republikës së Maqedonisë, i lindur në Tetovë. Ka kryer Fakultetin Elektroteknik në Zagreb, Kroaci (1965), ku regjistroi edhe studimet pasuniversitare dhe ku, më 1973, mbrojti temën e magjistraturës. Më 1977, në të njëjtin universitet, ai mbrojti me sukses edhe tezën e doktoraturës në lëmin e elektroteknikës, me titull: ”Ruajtja dhe neutralizimi i ngarkesës elektrostatike në filmat izolues".

Prej vitit 1966 deri më 1969, ka punuar si inxhinier profesional. Në vitin 1969 u angazhua në Fakultetin elektroteknik të Universitetit të Prishtinës (Kosovë), ku, një kohë, punoi edhe si dekan i Fakultetit teknik (1979-1981). Në vitin 1985 fiton thirrjen e profesorit ordinar për lëndën “Elektromagnetika”, pranë katedrës së Teorisë Elektroteknike, në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës.

Prej vitit 1982 deri më 1990, krahas punës së tij akademike, ushtroi edhe detyrën e kryetarit të Bordit në Institutin për hulumtime shkencore dhe zhvillim “Inkos” dhe atë të Zëvendës kryetarit të Bordit të Elektroekonomisë së Kosovës. Ishte dhe anëtar i Bordit Jugosllavo-Amerikan i Kooperatës për shkencë dhe hulumtim.

Interesimi i tij për shkollën dhe njohja e disa gjuhëve të botës, i mundësuan të ligjërojë dhe hulumtojë jashtë shtetit, si në: Universitetin North Wales (Britani e Madhe), IASI në Rumani, Tiranë (Shqipëri), në Akademinë e Shkencave dhe Artieve në Kinë. Në Universitetin West Virginia (SHBA) qe i angazhuar në cilësinë e kandidatit të programit të mirënjohur të Fulbrajtit.

Dr. Abazi ka publikuar më shumë se pesëdhjetë punime shkencore dhe tekste universitare. Ai ka marrë pjesë në një numër të madh projektesh shkencore.

Në vitin 2001, profesor Abazi u emërua drejtor i Fondacionit të Universitetit të EJL në Tetovë. Pasi përfunduan ndërtimet, përkatësisht, pas hapjes së Universitetit, ai u emërua Rektor i Universitetit të EJL.

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]