Anton Xanoni

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Anton Xanoni
(Ndoc Zanoni)
Emri Anton
Mbiemri Xanoni
Lindur më 12 janar 1862
Lindur në Durrës
Vdiq më 16 shkurt 1915
Vdiq në Shkodër
Kombësia shqiptare
Profesioni prift jezuit, shkrimtar

Anton Xanoni, i njohur edhe me emrin Ndoc Zanoni, lindi në Durrës12 janar 1862, por që fëmijë u shpërngul në Shkodër, ku edhe mori arsim katolik. Etërit jezuitë, duke parë talentin e tij, e dërguan të kryente shkollën e lartë jashtë. Këtë ai e kreu në manastirin Kartusian në Porta Coeli në veri të Valencias, në Spanjë (1883), në një institucion jezuit në Kraljevica (ital. Porto Re) në bregdetin dalmat (1884), në Kremona të Italisë (1886), dhe në Kolegjin Gregorian në Krakov (Kraków) të Polonisë (1890-1892). Më 1892 u shugurua prift jezuit në Krakov dhe u kthye dy vjet më pas në Shkodër për të dhënë gjuhë shqipe në Kolegjin Saverian, ku kishte kryer studimet edhe vetë trembëdhjetë vjet më parë. Më 1896 dha mësim një vit në kolegjin Gregorian në Kieri (Chieri), në juglindje të Torinos në Itali, para se të kthehej në Shqipëri.

Bashkë me poetin lirik klasik Ndre Mjeda (1866-1937) e me të vëllanë e tij Lazër Mjeda, Xanoni ishte anëtar aktiv i shoqërisë letrare "Agimi", të themeluar më 1901, e cila punonte për nxitjen e përdorimit të gjuhës shqipe në letërsi, sidomos me anë të një alfabeti të ri.

Ishte Anton Xanoni ai që vendosi normat e retorikës dhe të stilit të shkrimit në dialektin verior të shqipes në një shkollë me ndikim si Kolegji Saverian, norma që i parashtroi në Prîsi në lâmë të letratyrës, Shkodër 1911-1912. Ai mbante qendrim purist në shkrimin e shqipes, ishte idhtar i zëvendësimit të shumë huazimeve nga italishtja, turqishtja dhe sllavishtja me rrënjë fjalësh më të lashta shqipe. Si autor vjershash, prozash letrare, dramash e punimesh studimore në gjuhën shqipe, që shërbyen si frymëzim i vazhdueshëm për studentët dhe kolegët e tij shkrimtarë, ai nuk ishte vetëm novator në gjuhë, por edhe stilist i shkëlqyer për kohën kur jetoi.

Nga viti 1908 bashkëpunoi rregullisht me periodikun jezuit Elçija e Zemers t'Jezu Krisctit me artikuj për historinë, letërsinë, kulturën dhe politikën, por edhe me tregime të shkurtra e me vjersha të tijat apo përkthime që pëlqeheshin shumë.

Ka mbetur në histori edhe për veprat "Gramatika shqyp", Shkodër 1909, dhe "shkurtorja e historis së moçme", 1910, si dhe në veçanti për vjershën me frymën e Rilindjes "Rrnoftë Shqypnia", kushtuar shpalljes së pavarësisë. Një pjesë e mirë e veprës së tij ka mbetur e pabotuar edhe sot e kësaj dite. Xanoni vdiq në Shkodër më 16 shkurt 1915 dhe çmohet si një veteran i arsimit dhe i kulturës shqiptare.

Burimi i të dhënave[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Robert Elsie: Histori e Letërsisë Shqiptare. Botim i dytë. Përktheu nga anglishtja: Abdyrrahim Myftia. Pejë: Dukagjini 2001, Fq. 214.

Lidhje të jashme[redakto | redakto tekstin burimor]