Jump to content

Donat Kurti

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Stampa:Kutia Shkrimtar Donat Kurti (Shkodër, 3 shtator 1902 - 10 nëntor 1983) ka qenë frat françeskan, mësues, mbledhës folklori, publicist dhe përkthyes shqiptar. Shquhet për mbledhjen e ciklit të kreshnikëve në vëllimin Visaret e Kombit së bashku me Bernardin Palajn dhe Prrallat Kombëtare. I përndjekur nga regjimi komunist, ndonëse puna e tij u mbajt larg vëmendjes së dijes zyrtare, një pjesë e përrallave të botimit "Folklori shqiptar" (v. I, Proza popullore) është shënuar se janë marrë nga botimet e punuara prej tij.

U lind në Shkodër i pagëzuar me emrin Cin (Agustin), i biri i Kolë Kurtit dhe Age Çurçisë,[1] me vëllanë Gjon e motrën Luçije. U fut në urdhërin franceskan në 1920 dhe, pasi mbaroi shkëlqyeshëm mësimet e para dhe të mesme në qytetin e lindjes, vazhdoi studimet e larta në Romë, në Collegium Antonianum, ku, më 24 shtator 1927, u urdhërua prift.[2] Po atë vit u kthye në qytetin e tij, ku u emërua profesor në gjimnazin "Illyricum" të fretërve. Dha gjuhe shqipe, latinisht dhe histori të natyrës. Nga 1930-1938 qe nëndrejtor i shkollës, gjatë kohës kur P. Antoni qe drejtor. Nga viti 1939 e gjer në mbylljen e saj më 1946 qe drejtor. Gjimnaz ku gëlonte një trupë mësimore e përbërë nga Fishta, Sirdani, Rrota, etj.

Në vitin 1937 Universiteti "San' Antonio" në Romë i jep titulli "Doktor i Shkencave".

Pasi u përpoq që nga gjysma e tetorit të 1946 të takonte Nako Spirun, për të diskutuar mbi problemet financiare të shkollës, dhe nuk ia doli të takohet, në Shkodër regjimi kishte stisur futjen e armëve në Kuvendin Françeskan ndaj të gdhirë të 17 nëntorit 1946. Me datën 12 nëntor 1946 Kurti u arrestua ndër të parët, me akuzën e formimit të Partisë Demokristjane, të futjes së armëve në Kishë, edukator i rinisë me frymën fashiste, një ndër bashkëpuntorët e "Hyllit të Dritës", që ka lavdëruar fashizmin etj. Pas 2 vjetësh në hetuesi nga prokurorët komunistë Nesti Kopali, Zoi Shkurti, Qako Prokopi, Hysni Ndoja etj., doli në gjyq, ku vendimi e dënoi me vdekje, pastaj me burgim të përjetshëm, që shkoi në 25 vjet.[3] Kurti 17 vitet e ardhshme i kaloi nëpër kampe pune dhe burgje në Beden, Maliq, Orman-Pojan. Pasi i shkroi një letër lutjeje Mehmet Shehut për ta larguar nga kampet e punës, iu muar parasysh, dhe u dërgua në burg të Burrelit, ku dhe kaloi pjesën më të madhe të dënimit.[4]

U lirua më 20 maj 1963 dhe u kthye në vendlindje,[2] ku shkoi në Kuvendin e Françeskanëve të Arrësmadhe deri më 1967 kur u mbyllën institucionet fetare. Banoi në një barakë në Fushë Firej, ku dhe ndërroi jetë më 10 nëntor 1983.[4] U varros në varrezat e Stom-Golemit, por pas rënies së regjimit komunist, eshtrat e tij u kthyen në varrezat e françeskanëve në Kuvendin e Gjuhadolit.[5]

Në rininë e tij tregoi talent në gjuhë, muzikë dhe pikturë, por përfundimisht iu përkushtua studimit të traditës së poezisë popullore dhe epikës. Për nevojat e shkollës ku punoi dhe drejtoi, përktheu nga gjermanishtja Gramatika latine: morfologji (1933) dhe Sintaksi i gjuhës latine (1940) dhe përgatiti për botim përkthimin e Ushtrime për gjuhë latine (1941) nga Viktor Volaj, të latinistit austriak August von Scheindler (1851-1931).[6][7] Përmbledhja e lëndës etnografike që bëri së bashku me sivëllaun françeskan Palajn, u botua më 1937 me titullin Kangë kreshnikësh dhe legjendash dhe Visaret e kombit. Mbledhjet që u bëri përrallave arriti t'i botonte në dy vëllime me titullin Prralla kombëtare: mbledhë prej gojës së popullit, përkatësisht më 1940 dhe më 1942, ku radhiten 98 përralla.

Gjatë atyre viteve në revistën "Hylli i Dritës" botoi për 33 numra rresht monografinë Lojnat popullore, si dhe mjaft studime të tjera si Vepra kulturale e klerit katolik (1935).[8]

Pas luftës botërore, regjimi komunist meritat e punës së tij i mbajti në heshtje. Më 1966 nga Instituti i Folklorit u botuan disa përmbledhje me përralla popullore, ku, në vëllimin e parë u përfshinë mjaft përralla të mbledhura dhe botuara nga Kurti. Redaksia e përbërë nga prof. Zihni Sako (redaktor përgjegjës), prof. Ziaudin Kodra, Filip Ndocaj, Keti Harito dhe Jorgo Panajoti, në hyrje të librit shkruan: «Përrallat nga numri 119 e gjer në 189 janë marrë nga vëllimi I, II i "Prrallava kombtare" të D. Kurtit.» Këto përralla u redaktuan nga Filip Ndocaj.[4][9]

Në datat 20–22 tetor 1983 në Tiranë u zhvillua simpoziumi shkencor "Epika heroike shqiptare", ku as nuk u thirr e as u lakua emri i tij.[4][9]

Në burg vazhdoi punën intelektuale, duke filluar nga një përkthim integral i Besëlidhjes së Re së bashku me priftërinjtë bashkëvuajtës. Prej këtij përkthimi u botuan pjesë nga Ungjilli sipas Gjonit në vëllimin antologjik Quo vadis, Shqipëri?.[10] botuar më 1993. Zgjeroi vëllimin e tretë të "Përrallave popullore", përfundoi veprën "Thaça ose mënyra të thanunit në gjuhën shqipe", ku janë përfshirë rreth 12000 njësi frazeologjike dhe proverba nga e folmja e Shkodrës, shkroi pjesë "Nga kanuni i Skënderbeut", vëllimet me tregime "Mësimet e nanës", "Në rrugën e plepave", "Kah gurrat e jetës", përmbledhjen me poezi "Lule më lule" etj. Janë rreth 34 vepra të mëdha e të vogla që la në dorëshkrim, sot pronë e Provincës françeskane.[4][9] Të të 37 veprat e Kurtit kanë përmbajtje të sferave fetare, edukative, letrare, gjuhësore e folklorike dhe u shpëtuan pothuajse të gjitha, falë besnikërisë së pashoqe të Mark Hilukut nga Hajmeli.[3]

Lista kryesore e veprave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • "Visaret e kombit", në bashkëpunim me B. Palaj, 1937; Ribot. Shkodër, Botime Françeskane 2005. – 2007;
  • "Prralla Kombëtare", vëllimi i parë i botuar më 1940, ribot. 1942; vëllim i dytë botuar më 1942; ribot. Shkodër, Botime Françeskane 2005;
  • "Lojët Kombëtare", Shkodër, Botime Françeskane 2007;
  • Zakone e doke shqiptare, Shkodër, Botime Françeskane 2010.[5]
  1. ^ Kurti, P. Donat (2003). Provinça Françeskane Shqiptare (në latinisht). Shkodër: Botime Françeskane. fq. 121–122. ISBN 99927-789-1-1.
  2. ^ a b Elsie, Robert (2013). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 266–7. ISBN 978-1-78076-431-3.
  3. ^ a b Pllumi, Zef (1993). Shqipërim i Testamendit të Ri. Nga «Ungjilli i Shën Gjonit». "Quo vadis, Shqipëri?". Tiranë: sh.b. Albania. fq. 247.
  4. ^ a b c d e Pepa, Simon (10 nëntor 2017). "Martiri e dijetari, Atë Donat Kurti, në përvjetorin e vdekjes". Radio Vaticana. Marrë më 31 maj 2018.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  5. ^ a b Demaj, Vitor (5 mars 2011). "Botohen dorëshkrimet për doket e zakonet shqiptare". floripress.blogspot.com.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  6. ^ Paci, Evalda (2011). "Latino e Albanese: Prospettive linguistiche per l'insegnamento universitario nella nuova Europa". Formal Linguistics and the Teaching of Latin: Theoretical and Applied Perspectives in Comparative Grammar (në italisht). Cambridge Scholars Publishing. fq. 418, 426. ISBN 9781443831062.
  7. ^ Gjinaj, Maksim; Elmazi, Myrvete; Mele, Margarita (2010). Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare (PDF). Tiranë: Biblioteka Kombëtare, Sektori i Bibliografisë Kombëtare. fq. 370–1. ISBN 9992773189. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 2 shtator 2021. Marrë më 4 shtator 2021.
  8. ^ Gjinaj, Elmazi, Mele (2010), f. 651.
  9. ^ a b c Pepa, Simon (2001). "Atë Donat Kurti - dijetar i martirizuar, në 18-vjetorin e vdekjes". Phoenix. 21–23. Arkivuar nga origjinali më 31 dhjetor 2023. Marrë më 7 qershor 2022.
  10. ^ Mirdita, Zef (20 shkurt 2020) [1990']. "Bibla dhe përkthimet e saja në shqip". mrika.info.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)