Jump to content

Marin Sirdani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Marin Sirdani
Pater / Atë
U lind më17 janar 1885
Guci, Sanxhaku i Pazarit të Ri, Perandoria Osmane
Vdiq më14 shkurt, 1962
Shkodër, Republika Popullore e Shqipërisë
Kombësiashqiptar
Gjinitë letrarefolklor, publicistikë, historiografi

Marin Sirdani (Guci, 17 janar 1885 - Shkodër, 14 shkurt 1962) ka qenë frat i Urdhërit Françeskan, mbledhës folklori, edukator, publicist dhe medievist shqiptar.

U lind në Guci më 17 janar 1885 i biri i Dakës dhe Marie Smajlit, me prejardhje nga Boga, i pagëzuar me emrin Ndue.[1] I ngelur jetim herët nga e ëma, i ati i kërkoi ndihmë hoxhës së Gucisë, e mori me vete në Shkodër së bashku me të vëllanë, Lekën dhe i çoi te kleri katolik ku të vazhdonin rrugën e priftërisë.[2][3] U shkollua në kolegjin e françeskanëve në Shkodër dhe më tej shkollimin e lartë e kreu në Universitetin e Gratzit,[4] ku e përfundoi më 1909.[5]

Kur u kthye, vijoi shërbimin meshtarak në Kthellë, Pishkash dhe Bazë të Matit. Më pas caktohet mësues në kolegjën e Troshanit, ku shërben deri më 1922, kur e thërrasin në Shkodër për të kontribuar në kolegjin françeskan të qytetit dhe më pas në liceun Illyricum.[6] Sirdani do të jepte historinë kombëtare[7] dhe doktrinën e krishterë;[4] më pas u emërua drejtor i kolegjit nga 1932 deri më 1938.[8]

“Registro della Provinzia Oss.[ervante] Albania 1720 In tempo del P. M. R. Lorenzo M di Santa Croce Ministro Prov[inciale], l’Anno 1720". Autori i këti regjistri të çmuar është P. Lorenzo Maria di Santa Croce

Pas Luftës së Dytë Botërore dhe marrjes së pushtetit nga komunistët, Sirdani me Dom Ernest Çobën u ngarkuan nga Kisha Katolike që të nisnin bisedimet me qeverinë demokratike të Tiranës, përfaqësuar nga Tuk Jakova dhe dy juristë. Në fund të bisedimeve, pala qeveritare propozoi një projekt-statut për ndarjen administrative nga Selia Shenjte dhe emërimin e ipeshkvinjve nga Këshilli i Ministrave. Propozim ky në shkelje të Dogmave të Fesë të Kishës Katolike. Me mënjanimin e Jakovës dhe ardhjes në pushtet të Mehmet Shehut, u urdhërua arrestimi i Sirdanit,[9] i cili u dënua me punë të detyruar.[10] Pasi u caktua me detyrë të negocionte me autoritetet shtetërore për Statusin e Kishës Katolike në Shqipëri, mendohet se për shkak të kundërshtive të tij e burgosën sërish, burgim prej të cilit doli nga fundi i 1959 ose fillimi i 1960.[11]

Kur doli u vendos te Kuvendi i Françeskanëve tek Arra e Madhe, ku më 14 shkurt 1962 ndërroi jetë i sëmurë nga tuberkulozi.[11]

Më 1926 Sirdani i dha historiografisë shqiptare veprën origjinale Skanderbegu mbas gojëdhânash, një përmbledhje të legjendave popullore që qarkullonin në viset ku shërbeu famullitar që e botoi tek e përkohshmja Zâni i Shna Ndout.[12] Sprova e tij cilësohet nga sivëllau i tij Luigj Marlekaj si përmbledhja më e plotë e traditës kastriotiane para asaj të Qemal Haxhihasanit më 1967. Më tej botoi shkrime të tjera rreth jetës private dhe politike të heroit: Zêmbra e Skanderbegut (1931), Kërkim mí vorrin e Skanderbegut (1932), Nji rival i Skanderbegut (1932) dhe Në shka fajiset Skanderbegu (1935).[13]

Më tej Për historinë kombëtare, monografia Shqipnia e Shqiptarëve më 1941, Vepra atdhetare e Françeskanvet në Shqypní më 1940, si dhe materiale etnofolkloristike në revistat Hylli i Dritës e Leka si shkrimet me vlerë: Kontributi i katolikëve në Shqipní, Nora e Kelmendit, etj; si dhe në të përkohshmet të tjera të kohës.[4] Për gjuhën e tij, Koliqi shkruante tek Dy shkollat letrare:[14]

[...] gjuha e maleve në shkrime të Sirdanit ruen gjallnín e forcën e vet, tue u çveshë veç prej rrebtësís madhore epike të dishmueme në veprat e Fishtës, të Gjeçovit e të Palajt. Rrjedh pa hov të rrëmbyeshëm e begatshme, të qetë, e njinjishme, pasqyrë e qetë qi pasqyron besnikisht shka i perfshin drita.

Si një pjesë e mbledhësve shqiptarë dhe të huaj të materialit etnografik, në vitet '30 deri në mesin e viteve '40, u përpoqën ta poziciononin mitografinë shqiptare brenda konfigurimit mitologjiko-racor të tipit arjan apo indogjerman.[15] Reflektimet e tij historiografike, si të shumë autorëve të tjerë bashkëkohës, ilustrojnë në nivel përmbajtjeje qasje euroteiste dhe pjesërisht nacional-romantike.[16]

Regjistri i françeskanëve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Si bashkëpunëtor i Hylli i Dritës, shkruante për një regjistër të Provincës Françeskane Shqiptare të vitit 1720, mjaft i rëndësishëm për historikun e Urdhrit në viset shqiptare. Regjistri në fjalë, para se të hynte komunizmi në Shqipëri gjendej në arkivin françeskan në Shkodër, ku mbas vitit 1945, së bashku me materialet e tjera u grabit nga qeveria komuniste e u dërgua në Tiranë, ku u depozitua në Arkivin e Qendror.[17]

Sipas Kolec Topalli, Sirdani la disa mijëra faqe në dorëshkrim, por u dogjën nga Sigurimi i Shtetit.[18] Sesa dorëshkrime kanë humbur gjatë dhe pas sekuestrimit e se ç'pjesë e tyre mund të jetë e arkivuar në AQSH, nuk ka dokumentacion. As Instituti i Gjuhësisë e Historisë nuk ka lënë gjurmë të mbërritjes së këtyre dokumenteve.[19]

  1. ^ Kurti, Donat (2003). Provinça Françeskane Shqiptare (në latinisht). Shkodër: Botime Françeskane. fq. 130. ISBN 99927-789-1-1. Marinus (P) Antonius Sirdani, f. Marci et Mariae Smajlja, n. Gusinae, d. Scodrensis 17 Jan. 1885 [...].
  2. ^ Ulqini, Kahreman (1999). Faktorë kulturorë e fetarë: nga kombësia tek kombi: sprovë. Shkodër: Idromeno. fq. 74. ISBN 9789992762332.
  3. ^ Pllumi, Zef (2006). Rrno vetëm për me tregue. Tiranë: 55. fq. 297. ISBN 9789994379989.
  4. ^ a b c Doka, Griselda (2014). "Francescani d'Albania: p. Marin Sirdani O. F. M. (1885-1962) cultore di storia e letteratura". Religiosità e cultura tra Oriente e Occidente (në italisht). 1: 58. ISBN 9788882341831.
  5. ^ Kurti 2003, p. 46.
  6. ^ "Atë Marin Sirdani, françeskan e studiues i historisë, në përvjetorin e vdekjes". archivioradiovaticana.va. 14 shkurt 2016. Marrë më 13 tetor 2019.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  7. ^ Kurti 2003, p. 233.
  8. ^ Kurti 2003, p. 189.
  9. ^ Qazimi, Azem (2012). Procesi i asgjësimit të fesë në komunizëm. Tiranë: ISKPK. fq. 91–93. ISBN 9789928168030.
  10. ^ Sinishta, Gjon (1976). The fulfilled promise: a documentary account of religious persecution in Albania (në anglisht). fq. 55.
  11. ^ a b Gàzulli, Daniel (8 janar 2011). "Vëllaznit Sirdani: At Martin Sirdani & dom Aleksandër Sirdani". kosova.albemigrant.com. Metropol, 2554. fq. 10. Arkivuar nga origjinali më 2 dhjetor 2010. Marrë më 13 tetor 2019.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  12. ^ Paci, Evalda (janar–qershor 2018). "Át Marin Sirdani O.F.M., kontribut për historinë e kulturën shqiptare". Hylli i Dritës. 295–296: 136–145.
  13. ^ Marlekaj, Luigj (2018). "Skanderbegu në traditat popullore shqiptare". Gjergj Kastrioti "Athleta Christi": Përzgjedhje studimesh të Klerikëve Katolikë. Shkodër: Botime Françeskane. fq. 133. ISBN 9789995697730.
  14. ^ Koliqi, Ernest (1998). Dy shkollat letrare. Prishtinë: Kisha e Shën Ndoit. fq. 75.
  15. ^ Hankollari, Blerina (2018). "Shteti antifetar shqiptar dhe etnografia profanizuese: elementi botëformues në etnografinë socialiste shqiptare". Antropologji. 1 (1): 128. ISSN 2617-9768.
  16. ^ Dani, Doan (2016). Shpikja e Mesjetës. Tiranë: Pika pa sipërfaqe. fq. 26. ISBN 9789928185303.
  17. ^ Demaj, Vitor (15 mars 2009). "Regjistri i Françeskanëve. Zbulohet dorëshkrimi i rrallë i 1720-ës". Gazeta shqiptare ("Milosao", suplement) (4512): II–III.
  18. ^ Topalli, Kolec (2010). "Persekutimi komunist në shkencat albanologjike". Hylli i Dritës. 1: 8–17.
  19. ^ Ndoja, Leka (2013). Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri. Tiranë: ISKK. fq. 58. ISBN 978-9928-168-12-2.