Jump to content

Engjëll Koliqi

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Engjëll Koliqi
Emri Engjëll
Mbiemri Koliqi
Lindur më 10 nëntor 1956
Lindur në Stubëll
Kombësia shqiptare
Shtetësia kosovare, jugosllave
Profesioni gazetar

Engjëll Koliqi , është lindur më 10 nëntor të vitit 1956 në Stubëll të Karadakut (Kosovë), aty ku është vatra e parë e Shkollës Shqipe në Kosovë, për të cilën edhe ka hulumtuar , studjuar e shkruar.

Shkollen fillore e ka kryer në vendlindje, kurse shkollën e mesme (gjimnazin shkencor-matematikor) e ka filuar në Viti, e ka vazhduar në Ferizaj dhe e ka mbaruar në Viti. Ka frekuentuar Fakultetin Universitar të Shkencave të Edukimit dhe është diplomuar në Universitetin e Kosovës në Prishtinë, ku ka fituar titullin akademik – profesor i pedagogjisë. Plot tetë vjet ka dhënë mësim në shkollën fillore në vendlindjen e tij (Stubëll) e një vit shkollor ka qenë asistent–edukator edhe në Itali – në kolegjin e famullisë në Firmozë (Acquaformosa) të Kozencës, në Kalabri.

Nga regjimi pushtues-diktatorial i Beogradit, është dënuar për motive politike (vetëm për fjalë), me një vit burg (1978/1979), por pas nëntë muajsh është liruar. I kualifikuar nga regjimi pushtues, si person i rrezikshëm kundër “sistemit socialist jugosllav”, i është hequr e drejta e mësimdhënies në shkollë, për plot gjashtë vjet (1978 – 1984). I lodhur nga presionet permanente të atij regjimi, në mars të vitit 1990 ka qenë i detyruar të emigrojë në Itali, ku jeton ende dhe zhvillon veprimtari gazetarie, duke punuar për Radio Vatikanin, për Radiotelevizionin Shqiptar të Tiranës, për Radiotelevizionin e Maqedonisë të Shkupit, për Radiotelevizionin e Kosovës të Prishtinës dhe për radiotelevizione të ndryshme private në gjuhën shqipe. Ka shkruar për të përditshmet kosovare “Rilindja”, “Bujku”, “Bota Sot”, “Lajm ekskluzive”, “Pavarësia-news” dhe të tjera. Ka bashkëpunuar për vite të tëra e bashkëpunon edhe më me gazeta shqipe në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe në diasporë (Koha Jonë, Panorama, Rilindja Demokratike, Gazeta 55, etj). Nëpër revistat shqiptare, enekënd trojeve etnike dhe në diasporë ka botuar qindëra poezi në gjuhën amtare.

Gjatë luftës së Kosovë, ishte gjithnjë në radhët e para, në ndihmë popullit të vet, nga Italia. Gati çdo ditë ishte i pranishëm në studiot televizive të RAI-t dhe të MEDIASET-it, sikurse edhe duke folur përmes mikrofonëve të shumë radiostacioneve e duke shkruar në gazetat italiane: “Corriere della Sera”, “La Repubblica”, “Il Messaggero”, “Il Mattino”, “La Stampa”... duke njohur dhe sensibilizuar kështu opinionin italian me të vërtetën për Kosovën dhe për popullin e tij. Mbas luftës në Kosovë, afër dy vjet ka punuar në IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migracionet), në Romë – në projektet për Kosovën dhe Shqipërinë.

Në vitin 2002 është transferuar nga Roma në Lecco, ku jeton me familjen e tij. Në vitet e fundit ka filluar të shkruajë edhe italisht dhe bashkëpunon me revista të ndryshme kushtuar poezisë. Ka marrë pjesë në dy konkurse letrare (në Livorno dhe në Kozencë) dhe poezitë e tij janë kualifikuar në finale. Në Konkursin e Dytë Ndërkombëtar “Autorët për Europën 2005” të shtëpisë botuese “IBISKOS di A. Ulivieri”, nga 156 pjesëmarrës është kualifikuar në mesin e 20 finalistëve. “Shekulli im quhet dashuri” është libri i tij i parë italisht dhe e sheh dritën e botimit si finalist. Është pjesëmarrës në disa antologji poetike, të botuara në Tiranë dhe në Bukuresht.

Merret shumë edhe me organizimin e diasporës shqiptare në Itali. Gjatë këtij viti, kryesisht po vepron në Brazil, ku ka lobuar për Kosovën, deri te kreu i federatës - Presidenti i Brazilit - Lula. Ka hapur dyert e bashkëpunimit në shumë fusha të jetës, në mes Brazilit dhe Kosovës. Në Brazil tashmë është i njohur dhe shumë i kërkuar si shkrimtar e gazetar me një vizion të mrekullueshëm, që parasheh dhe këmbëngul ta realizojë ndryshimin e botës me dashuri!

Në tetor të vitit 2011, në Tiranë, nga Federata Ndërkombëtare e Paqes, është shpallur Ambasador i Paqes, kurse që nga fillimi i vitit 2014 është anëtar me të drejta të plota i Akademisë Europiane të Arteve, me seli në Paris. Kah fundi i vitit 2019 është zgjedhur e pranuar an[tar i rregullt i Akademisë Shqiptaro-amerikane të Shkencave dhe të Arteve.

Engjëll Koliqi ka ndërmarrur një hap shumë të guximshëm patriotik - historik: Ai mbas afër 23 vitesh ka lënë përfundimisht mërgimin dhe është kthyer në vendlindjen e tij, në Stubëll të Karadakut (komuna e Vitisë në Kosovë), ku që nga gjysma e janarit po ushtron detyrën e mësuesit, aty ku e ka lënë në mars 1990 (mësuesi i vjetër na është bërë mësues i ri). Ende vazhdon në profesionin e mësuesisë, deri në nëntor 2021.

Koliqi deri më tani ka botuar këta libra: 1. Il mio secolo si chiama amore (poezi italisht), IBISKOS, Empoli 2005 2. Sentimento de luz (Ndjenjë drite) (poezi portugisht), PROTEXTO, Curitiba / Brazil 2007 3. Sentimento di luce (Ndjenjë drite) (poezi italisht), BOOPEN, Napoli 2008 4. Madre Teresa - um amor sem limites (Nënë Tereza - një dashuri e pakufishme), O LUTADOR, Belo Horizonte - Brazil, 2008 5. Să schimbăm lumea cu iubire (Ta ndërrojmë botën me dashuri) (poezi rumanisht), BOTIMET E REVISTËS ALBANEZUL, Bukuresht, 2009 6. Ylli i Dardanisë rrezaton tokë e qiell (Nënë Terezës), RUGOVA ART Prishtinë, 2010 7. Trokitje të heshtura (poezi), GLOBUS R, Tiranë, 2010 8. La stella di Dardania irradia terra e cielo (alla Madre Teresa), TRISAURO dhe ADMINISTRATA E KOMUNËS SË STRIGARIT (vendlindja e Serembes) Kalabri, 2010 9. Dr Ibrahim Rugova - arkitekt i Dardanisë së Re - Republika e Kosovës, RUGOVA ART Prishtinë, 2011 10.Për një jetë më të mirë (ese, reportazhe dhe...), BOTIMET ADA Tiranë, 2011 11.Nën kurorën e lisit plak (poezi), RUGOVA ART Prishtinë, 2011 12.Njëqind lule për Nënën (vëllim poetik kushtuar Shqipërisë, në 100 Vjetorin e Pavarësisë), BOTIMET VLLAMASI Tiranë, 2012 13. Miku i Madh i shqiptarëve, i Lumturuari (Shenjti) Papë Gjon Pali II, Botimet "Rugova Art" dhe "Drita" Prishtinë, 2013. 14. Gjurmëve të Martirëve, libër publicistik, Rugova Art, Prishtinë 2015. 15. Fituese është dashuria, Rugova Art, Prishtinë 2015. 16. REBEKA, një dashuri e ringjallur, roman, Botimet ADA, Tiranë,2015.


Engjëll Koliqi ka edhe disa libra në dorëshkrim dhe vazhdimisht po mbledh shkrimet e tij nëpër vite, për t'i mbarështruar në libra të rinj. Së shpejti do të dalë me romanin e parë, me shkrepëtima humoristiko-satirike, por edhe me botime shkencore, sidomos nga historia e arsimit shqip. Shkruan edhe për fëmijë.